Ja një shfaqje teatrale ndryshe si të tjerat : Tartufi i Molierit, që edhe pse aq e njohur, e interpretuar gjatë disa shekujve, në shumë gjuhë të botës, e padyshim dhe në shqip, më së fundi u luajt në gjuhën e tij, në frëngjishten e vjetër, siç e fliste dhe shkruante ai në vitet 1600 dhe në versionin origjinal, në 3 akte, shfaqur para teatrit të Louis XIV, me 12 maj 1664, në teatrin mbretëror të Versailles. Louis XIV e donte shumë komedianin Molier dhe kjo pjesë e trupës së Molierit e argëtoi shumë, por ardhja e shpejtë e kryepeshkopit të Parisit, duke u ankuar për Molierin se në këtë vepër cënonte kishën dhe Zotin, mbreti më së fundi vendosi që shfaqjen ta ndalonte.
Vitet do të kalonin dhe Molieri e lexonte këtë pjesë në sallonet mondane parisiane deri sa më së fundi e përpunoi dhe pesë vjet më vonë e ripunoi në 5 akte, duke u kujdesur të mos e lëndonte më Kishën. Mbrëmë në teatrin e rrugës Moufftard, rrugën që aq shumë i pëlqente Hemingway-t që banonte në cep të saj, bashkë me Evelyne Noygues ndoqëm pikërisht veprën origjinale të komedianit francez dhe ishte e habitshme të dëgjoje e ndiqje një pjesë të Molierit në atë gjuhë, ku ende Akademia Franceze nuk kishte vendosur rregullat e saj.
Një zbulim i vërtetë, ku gjuha i printe aktorët për një interpretim të veçantë, në intonacione të çuditshme, deklamime dhe një impostim zanor që padyshim të çonte larg, për të rijetuar nje tjetër kohë. Ishte e njëjta gjuhë siç kishte shkruar Ronsard për shqiptarët apo veprat e para për Skënderbeun në Francë.
Ishte mikja jonë Anne-Marie Bucquet, profesoreshë e letërsisë angleze, pasionuese e teatrit por dhe përkthyese e pjesëve teatrale shiqiptare nga shqipja në frëngjisht, e cila na ftoi në këtë shfaqje ku luante vetë “Madame Pernelle”, duke hapur aktin e parë dhe mbyllur të tretin, Anne-Marie kjo grua intelektuale aq simpatike me të cilën mund të flasësh shqip, pasi ajo e ka studiuar këtë gjuhë në vitet 1960 në Inalco
kur bota shqiptare hynte tek ajo në një mënyrë të habitshme, përtej një dritareje të mbyllur e ku profesor Noçka që kishte mbetur që nga vitet ‘30 në Paris, u shpjegonte se ç’ndodhte vërtet në Shqipëri. Luan Rama
1 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)