Ministria e Kulturës ka zgjedhur firmën “Valenta” për realizimin e bocetit të arkitektëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas. Monumenti thuhet se do të montohet në Tiranë para 28 Nëntorit 


“Procesi do të kushtojë 355 mijë euro”


Oliverta Lila


Monumenti i Pavarësisë do të realizohet në Austri. Firma austriake “Valenta” ka fituar tenderin e organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, tregon se kostot e realizimit do të shkojnë 355 mijë euro, pa përfshirë shpërblimin artistik të dy artistëve (35 mijë euro) dhe koston e realizimit të bazamentit. Ofertat për realizimin e monumentit u janë paraqitur 10 firma europiane. Monumenti do të realizohet sipas bocetit fitues të arkitektëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas dhe do të vendoset në sheshin “Rinia”. Realizimi ende nuk ka filluar, por drejtori i GKA-së, Rubens Shima, shprehet se do të jetë i montuar para 28 Nëntorit në vendin e përcaktuar. “Zbërthimi i këtij monumenti nga arkitektët gjermanë solli edhe koston e ndërtimit. Ministria e Kulturës e gjykoi të udhës që të organizonte një formë tenderi dhe t’u bënte kërkesë për ofertë disa nga kompanive më të rëndësishme që punojnë me metalet dhe që kanë në referencë të tyre punë të ngjashme. Komisioni i vlerësimit vendosi të përzgjedhë kompaninë austriake “Valenta”, e cila ka në CV-në e saj punë të ngjashme shumë të rëndësishme të veprave artistike, por edhe arkitektonike”, thekson Shima. Faktin që për realizimin e monumentit u kërkuan firma të huaja, Shima e justifikon me mungesën e teknologjisë së zhvilluar që kërkohet në këtë rast. “Ndërtimi i këtij monumenti kërkon teknologji të precizonit të lartë. Kjo lloj infrastrukture në Shqipëri nuk ekziston. Mënyra se si ne i bëjmë monumentet është teknologji shumë e vjetruar dhe nuk do ta ekzagjeroja po ta quaja primitive dhe nuk ka asnjë lloj mundësie që këto lloj veprash kaq komplekse të realizohen në Shqipëri. Monumenti është i përbërë nga dy pjesë: struktura mbajtëse që është skelet prej çeliku dhe veshja prej aliazhesh bronzi, përfshirë edhe detaje të ndriçimit apo shkrimit me lazer të deklaratës së pavarësisë”, shpjegon Shima. Ndryshe nga sa ishte thënë më parë, monumenti nuk do të jetë 8 metra i lartë, por është zgjedhur varianti i vogël, 6.4 metra i lartë dhe rreth 5.5 metra i gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale që do të kalojë nëpër të. Sipas Shimës, artistët do të ndjekin të gjithë procesin e realizimit të veprës nga fillimi deri në montimin përfundimtar. Nëse do të bëhet një përllogaritje e shpenzimeve nga realizimi deri në montim, monumenti i pavarësisë do t’i kushtojë qeverisë shqiptare rreth 450 mijë euro. Boceti i arkitektëve Visar Obrija (kosovar) dhe Kai Kiklas (gjerman) u shpall fitues mes katër boceteve të tjera të përzgjedhura (Pjerin Kolnikaj, Thoma Thomai, Ilirjan Shima dhe Blerta Xhomo e Jorg Plickat). Një diskutim të gjerë pati në rrethin e artistëve, por edhe më gjerë, për faktin se sa kjo vepër e përfaqësonte këtë moment historik. Në këtë aspekt, pati jo pak zëra që kërkuan përsëritjen e konkursit për të dalë në një rezultat me nivel më të lartë artistik.


 


355 mijë euro – Do të kushtojë realizimi i monumentit të pavarësisë në Austri. Kjo fazë përfshin montimin, por jo bazamentin e veprës. Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, realizimi në Shqipëri ishte i pamundur, për shkak të mungesës së teknologjisë


35 mijë euro – Kushton shpërblimi artistik i arkitektëve që kanë realizuar bocetin. Visar Obrija dhe Kai Kiklas do të ndjekin gjatë gjithë procesit të realizimit monumentin


6.4 metra – Ndryshe nga sa ishte thënë më parë, monumenti nuk do të jetë 8 metra i lartë, por është zgjedhur varianti i vogël, 6.4 metra i lartë dhe rreth 5.5 metra i gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale që do të kalojë nëpër të


 


 


Monumentet


Nis puna për Ismail Qemalin, Zogun dhe Prishtinën


Krahas monumentit të pavarësisë, puna ka nisur edhe për realizimin e tri monumenteve të tjera, atë të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës. Skulptori Kreshnik Xhiku është thuajse në përfundim të fazës së parë të monumentit të Ahmet Zogut, ndërkohë që edhe Artan Peqini po punon për monumentin e Hasan Prishtinës. Në proces është edhe Ismail Qemali, sipas bocetit të skulptorit nga Kosova Veli Blakçori, por që do të vendoset në Muzeun Kombëtar, e jo në lulishten pranë Kuvendit. Në këtë vend do të vendoset shtatorja e realizuar nga Odhise Paskali e që ka qëndruar deri më tani në pavijonin e pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar. Komisioni vendosi që të bëhej ky shkëmbim, duke menduar se vepra e Blakçorit nuk është në nivelin e kërkuar artistik. “Konkursi i shpallur për monumentin e Ismail Qemalit prodhoi veprën e Veli Blakçorit, që propozoi një risi për një figurë historike, Ismail Qemalin, ulur në karrige dhe siç ndodh, gjërat e reja nuk pranohen lehtësisht, por do të kalojnë në procesin e refuzimit. Meqenëse tradita e do që themeluesi i shtetit të qëndrojë në këmbë, madje të jetë edhe pak patetik, u vendos që vepra e Paskalit të kalojë në të njëjtin vend ku ishte menduar edhe vepra e Blakçorit dhe skulptura e Ismail Qemalit do të vendoset në Muzeut Historik”, ka theksuar Shima.


 


Aktivitetet


Kryeministri Berisha: Grupe të reja për Pavarësinë


Grupe të reja specialistësh do t’i bashkëngjiten Komitetit Shtetëror për festimin e pavarësisë. Kjo ka qenë deklarata e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e djeshme të Komitetit Shtetëror. “Kemi hyrë në një fazë ku duhen disa grupe të reja t’i bashkëngjiten këtij komiteti, grupe që do të sjellin ekspertë në fusha të caktuara. Në tërësinë e vet, çdo popull shkruan historinë e tij, kështu e kanë shkruar edhe shqiptarët me faqet e ndritura dhe me faqet me hije”, ka theksuar Berisha. Duke bërë një analizë të shkurtër për mbarëvajtjen e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri ka theksuar se gjenden në rrugë të mbarë. Sipas tij, ka qenë i madh kontributi i shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë e të diasporës në këtë 100-vjetor. Berisha theksoi se duhet të vendosen disa rregulla ose disa qëllime që janë të domosdoshme për kremtimet, duke iu referuar shqyrtimit edhe njëherë të listës së aktiviteteve. Në fakt, vetëm 2 muaj para shënimit të datës, ende nuk ka një program të qartë festimesh, përveçse disa aktiviteteve të veçuara që përmend nga institucione të caktuara. Kryeministri u ka kërkuar edhe njëherë qeverisjeve vendore që të marrin masat për të kremtuar këtë ditë. Ai është ndalur veçanërisht në Vlorë dhe ka theksuar se do të kenë përgëzimet e qeverisë dhe në rast nevoje edhe ndonjë mbështetje modeste. Ndërsa duke iu referuar debatit që është bërë në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Berisha e ka quajtur të pashmangshëm, por edhe të domosdoshëm. “Debati i ka shërbyer nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara, disa të vërtetave historike të mohuara dhe të vërtetave të deformuara”, ka përfunduar Berisha. Mbledhja ka vazhduar më tej me dyer të mbyllura, për çështje që Kryeministri i quajti teknike.