Në një vit, mbas suksesit të jashtëzakonshëm të serialit “Succession” – Jesse Armstrong sjell një komedi të zezë që lundron në ujëra të ngjashme, titulluar “Mountainhead” (si FountainHead e Ayan Rand).
Filmi që tregon fundjavën e katër bilionerëve në një fundjavë në një vilë në mes të maleve të Utah mbuluar nga bora është njëkohësisht argëtues, briliant dhe i cekët. Vëzhgimi satirik, i cili është shumë aktual mbas ngjarjeve mes Elon Musk dhe presidentit amerikan Donald Trump, i personazheve që drejtojnë superfuqitë teknologjike në botë (gjëra si rrjetet sociale, apo sisteme të tjera teknologjike – not consumables (pra jo produkte)) është aq nerv-ngritës sa nuk e beson dot që një pjesë [jo e vogël] e jetës tënde kontrollohet pikërisht prej këtyre lloj individëve. Katër themelues të katër kompanive të Silicon Valley janë miq po aq sa armiq sepse busulla e tyre e vetme morale janë zerot mbas numrit të parë. Steve Carrell këtu është në rolin e Randal Garrett – Peter Thiel-i (themeluesi i Pay-Pal) i grupit, i pari që arriti miliardin e parë prej tyre – the ‘big bro’ (papa bear). I prekur nga një kancer i pashërueshëm Garret i thotë me paturpësi doktorit të tij:
“Nuk je fort inteligjent, nuk do të vdes, truri im do ngarkohet në server”

Jason Schwartzman luan Hugo Van Yalk, mendja krijuese pas një App-i të stilit të jetesës, njëkohësisht pronar i vilës ‘Mountainhead’ dhe më i ‘varfri’ i shokëve – akoma nuk ka bërë 1 miliard. Cory Michael Smith interpreton Venis Parish, një kombinimi Musk-o-Zuckerberg-ian i cili në plaftormën e tij sociale Traam lejon publikimin e postimeve Fake & Deep Fake të cilat siç do të shohim do ta çojnë botën në buzë të kolapsit (një shqetësim eminent i botës reale prej inteligjencës artificiale). Parish dhe karakteri i tij qesharak deri në pabesueshmëri është i pari që zbulojmë nga katërshja. Ndërsa Ramy Youssef është Jeff Abredazi, më ‘intelektuali’ prej grupit ai që gjithashtu duket si më ‘normali’ prej tyre. Abredazi ka zhvilluar një tool që integron inteligjencën artificiale për të mbajtur në brazda rrjetet sociale quajtur ‘Bilter’.
Në krijimin e Armstrong – që vetëm rrethi i brendshëm i asaj bote mund ta dijë sa i afrohet realitetit – morali i këtyre njerzve novatorë që ndryshojnë botën është edhe më i cekët se i politikanëve. Në vazhdimësi të ekspozimit të karakterit makiavelist të këtyre lloj sipërmarrësve, siç bëri David Fincher me “The Social Network” (2010, filmi që tregon historinë e themelimit të Facebook), Armstrong ishte motorr kryesor për ta përshpejtuar filmin për shkak të rëndësisë së kohëve që po jetojmë, në mënyrë që publiku ti shohë gjërat me një sy më të qartë për atë që mund të fshihet pas atyre që paraqiten si zhvillime të cilat presupozohet ta bëjnë botën më të mirë. Dhe për shkak të asaj që ndodhi së fundmi me Musk (përdorues ketamine (edhe pse ai e mohon), investitor i shpërqëndruar, baba i 14 fëmijëve me gra të ndryshme, mbështetës dhe më pas akuzues i Trump kur gjërat nuk shkuan sipas interesit të tij) është e vështirë që ky krijim artistik të të mos të duket si një dokumentar.

Skena të forta si ato kur Parish takon të birin foshnje për pak sekonda, apo Abredazi ballafaqohet me kërkesat e të dashurës e cila po shkon në një ‘F*ck Party’ gërshetohen me skena gati absurde; gjasat që të kenë lidhje me realitetin janë të pakta. (Apo jo?).
Armstrong është i jashtëzakonshëm në krijimin e dinamikave mes personazheve duke përdorur dialogje të gjata me gjuhë disi të vështirë për publikun e gjërë, ama tejet të rrjedhshme. Disa nga temat që mundojnë luginën e silikonit këto kohë si biohacking, transhumanizmi, apo politika fashiste dhe doemos A.I. janë të gjitha të ndërthurura me referenca të vazhdueshme e inteligjente që kërkojnë vëmendje të madhe për t’u ndjekur. Këto dhe tema kryesore e lakmisë apo tradhëtitë shekspiriane me të vetmin ndryshim që këtu pushteti i lë vendin parasë; edhe pse duhet thënë se të katër personazhet e gjejnë veten goxha të pushtetshëm. Nëse do ti besonim budallallëkut të tyre – ka më shumë rrezik në vilën luksoze sesa në bunkerët presidencalë ku lëshohen sulmet bërthamore. Është shumë interesante se si trajtohet prej tyre një telefonatë e presidentit amerikan mbas kaosit që krijohet prej postimeve të Traam.
Energjia e aktorëve është një prej gjërave më të mira të filmit. Xhirimi me kamera në dorë i Armstrong, njësoj siç bënte kur ishte në “Succession” bën që shikuesit të mos i shpëtojë asgjë nga gjuha e trupit duke shtuar një lloj ankthi të vazhdueshëm që nga fundi i filmit përfundon në një neveri të përgjitshme prej 4 anti-heronjve, sepse në film nuk ka asnjë të ‘mirë’.
Me inteligjencën artificiale kaq të afërt me publikun, hapja e kutisë së pandorës tashmë ka ndodhur ndaj paralajmërimet e filmit (apo të personazheve si Sam Bankman-Fried, dënuar për mashtrim me crypto-currency) për atë që është në gjëndje të bëjë ajo. Venis është një lloj Sam Altman-i (Open AI) larg syrit të kamerave ku pretendimet për kujdes janë të vazhdueshme.

Versioni i shekullit të XXI i “Duke Pritur Godonë” është shikimi i ‘bro-ve’ të teknologjisë me sytë e njëri tjetrit dhe vetes për fuqinë që kanë në duar dhe faktin se Inteligjenca Artificiale do ti bëjë ata dhe të ngjashmit e tyre të pavdekshëm. Por me gjithë përparimet në dukje, instiktet primare janë ato që çojnë konfliktin përpara dhe janë ato që na tregojnë se primitiviteti është e vetmja gjë e pandryshueshme tek njerëzit.
Natyrisht, pasi panë filmin, zëra nga Silicon Valley nuk ishin fare dakord me portretizimin që i’u është bërë atyre dhe kolegëve duke i nxjerre si gjakpirës, analfabetë emocional të udhëhequr vetëm nga [për]fitimet personale. Po nëse sheh rastet e Zuckerberg apo Musk, filmi thjesht i hedh benzinë zjarrit për të të shtuar dyshimet sa i takon motivacionit të këtyre personazheve që në kuptim metaforik apo jo po udhëheqin jetën tonë prej të paktën një dekade. Ndikimi i tyre në politikë bërje – në manipulimin e opinionit publik është një fakt i prekshëm dhe kjo vetëm [sa] i shton besueshmërisë së filmit.
Në fund, besoj se askujt prej nesh nuk i shkon mendja se motivacioni i këtyre figurave nuk është përfitimi i tyre personal, e vetmja gjë që do të pretendonim të mos ishte ashtu në realitet, është që jeta në planet të mos kontrollohej aq lehtësisht nga telefonat e katër burrave me IQ gjeniu por me mungesë të thellë empatie karshi çdo gjëje që nuk është vetja.