Thënia “Jo ” e Shqipërisë për të çuar një film në Akademinë “Oskar”/ Andamion Murataj tregon situatën e filmit në vend…



Nëse letërsia, muzika apo artet pamore kanë mundur të konkurrojnë në tregun e artit ndërkombëtar këto dy dekadat e fundit, kinemaja shqipe duket se është ende shumë larg një përfaqësimi dinjitoz. Filmat shqip të prodhuar këto vite duket se nuk janë ndarë ende nga kinemaja e soc-realizmit, por as nuk e kanë tejkaluar atë. Kritikat për filmin shqip nisin nga skenari, deri te mënyra e prodhimit. Të mësuar me idenë që kinemaja duhet të merret me tema të mëdha, ajo çfarë nuk shihet në prodhimet e fundit është njeriu. Nëse gjigantët e prodhimeve kinematografike krahas filmave për çështje të mëdha të njerëzimit, siç është luftërat në Lindjen e Mesme, apo çështjet historike, sjellin në ekran dhe tema që kanë të bëjnë me raportet e përditshme njerëzore, duke nisur nga fabula tejet të zakonshme, në skenarët e filmave shqip mungojnë këto. Vetëm dy ditë më parë një komision i ngritur pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike vendosi që Shqipëria të mos përfaqësohej me asnjë nga dy filmat pretendentë për t’u paraqitur në Academy of Motion Picture, Art and Sciences 2015, përkatësisht filmi “Ada” me regji të Spartak Pecanit, dhe “Amsterdam Express” i regjisorit Fatmir Koçi. Paraqitja e një filmi në këtë Akademi, ishte një rast për t’u njohur me kinemanë e re shqipe, pavarësisht nëse filmi do të kalonte për t’u futur në garë. Thënia “jo” e Shqipërisë ndaj kësaj ftese, tregon se filmi shqiptar ende nuk është në kohët e tij të mira. Andamion Murataj, një kineast që ndan jetën mes SHBA-së dhe Shqipërisë, i cili disa vite më parë mori “Ariun e Argjendtë” në Festivalin e Filmit në Berlin, për skenarin në filmin “Falja e Gjakut”, nën regjinë e Joshua Marston, e quan debatin e përvitshëm për “Oskar” në vend si “shumë zhurmë për asgjë”. Sipas tij, kriza e filmit shqip ende nuk ka kaluar dhe po thellohet nga viti në vit. Nëse Kosova apo Maqedonia po japin shembullin sesi vendet e vogla mund të kenë kinema të mirë, Shqipëria ka mbetur ende peng i strategjive, të cilat janë vetëm në letra.


 


Si e gjykoni faktin që Shqipëria nuk do të hyjë as këtë vit në Akademinë e Oskarit?


Unë nuk e di çfarë ka ndodhur këtë vit me selektimin për të dërguar një film për konsiderim – pasi këtu keqpërdoret termi “nominim”.  Për t’u nominuar bëhet fjalë kur nominohen 5 filma nga bota sipas disa kritereve që asnjë nga filmat shqiptarë nuk i përmbush. Një nga kriteret e detyrueshme për t’u konsideruar seriozisht për çmimin Oskar është që filmi të ketë distribucion zyrtar në Amerikë. Por edhe po ta përmbushë këtë, filmi duhet së paku të ketë fituar çmim të parë në seksionet e konkurrimit zyrtar të festivaleve të Kanës, Berlinit, Venecias apo Sundance. I gjithë debati i përvitshëm për çmimin Oskar në Shqipëri është “shumë zhurmë për asgjë”. Unë mendoj se Shqipëria para se të shqetësohej cili film duhet të shkojë për konsiderim, duhet së pari të prodhojë filma të cilësisë së denjë për t’u konsideruar. Të flasësh sot për Oskar në filmin shqiptar është si të flasësh për të shkuar në Hënë me shkencën shqiptare. Kineastët shqiptarë mund të spekulojnë sa të duan me keqpërdorimin e termit “nominim”, por e vërteta e pastër është se ka ende rrugë përpara se t’i shkojë kujt mendja që një film shqiptar vërtet të nominohet për Oskar.


Megjithatë, këto kohë është folur për përmirësime në prodhimet kinematografike të fundit?


 Ky është një diskutim produktiv dhe filmi shqiptar po lëviz. Pyetja shtrohet a jemi ne një hap me Bosnjën apo Maqedoninë me zhvillimet në kinema? Këto janë vende fqinje me peshën tonë ekonomike me të cilat mund dhe duhet të krahasohemi. Ne mund të lëvizim, por nëse ata lëvizin më shpejt, atëherë ne mbetemi pas e më pas. Është matematikë e thjeshtë. E vërteta është që të dyja vendet e mësipërme kanë investime me shumëfishin tonë në kinemanë kombëtare dhe të tilla i kanë rezultatet. “Nga asgjëja del asgjë”, thotë Shekspiri. Shqipëria nuk do kishte kurrfarë rezultati në infrastrukturën e rrugëve apo ndërtimeve po të mos kishte kryer investimet e nevojshme. E njëjta vlen edhe për kinemanë. Ne mund të vijmë vërdallë sa të duam, por nuk kemi për t’u krahasuar me kinemanë e fqinjëve tanë nëse nuk bëjmë investime të krahasueshme me ta.


Pyetja e vjetër që bëhet shpesh për kinemanë është se çfarë i mungon filmit shqip?


Kjo është pyetja më e vjetër dhe të gjithë në Shqipëri duket se e kanë gjetur përgjigjen: skenari. Unë besoj që ky është vështrim i cunguar. Skenari është vetëm një nga pikat e dobëta të filmit shqiptar, por këtu çdo aspekt është në krizë që nga drejtorët e fotografisë, producentët, të gjitha departamentet e tjera pa përjashtim. Boll t’i hedhim një sy botës së reklamës apo televizionit dhe të kuptojmë që Shqipëria ka mungesë të theksuar profesionistësh në çdo departament të prodhimit. Boll të shtrosh pyetjen: Sa nga filmat shqiptarë xhirohen nga kineastë shqiptarë, apo montohen nga editorë shqiptarë? Krahasoje këtë situatë me vendet fqinje qoftë dhe me Kosovën për të kuptuar gjendjen e vërtetë.


 Çfarë duhet të ndryshojë sipas jush? 


Mendoj se kriza e filmit shqiptar është një krizë që po thellohet më tepër çdo vit. Shkollat e filmit shqiptar nuk po duken të jenë të afta ta mbyllin. Edhe sikur në Kosovë të hedhim sytë mësojmë shumë. Ata sapo bënë një binjakëzim me shkollën e filmit në Pragë. Shumë nga kineastët më të mirë të brezit të ri në Kosovë janë edukuar në shkollat europiane dhe amerikane dhe kthehen në Kosovë rrinë dhe japin eksperiencë. Blerta dhe Lëndita Zeqiri, Visar Morina, Blerta Basholli, Shota Bukoshi, Sevdije Kastrati, Latif Hasolli e shumë të tjerë kush më shumë e kush më pak janë edukuar në vende të tjera dhe sjellin një frymë dhe mendim të ri. Duke shkëmbyer eksperiencën me artistë të rinj pasionantë dhe shumë të talentuar të shkollës vendase po i ndërrojnë fytyrën kinemasë kosovare. Po dhe po të hedhim një vështrim pas, në historinë e kinemasë shqiptare vitet më të arta mbeten ato kur një plejadë artistësh studiuan në vendet lindore dhe krijuan identitetin e kinemasë shqiptare atë çka sot ne e konsiderojmë trashëgimia jonë kinematografike. Investimi afatgjatë në edukimin filmik nuk mund dhe nuk duhet të përfshijë vetëm qendrën e filmit, por duhet një koordinim edhe me ministritë e Kulturës apo Arsimit. Për sa i përket qendrës mendoj se përveç vizionimit të një politike afatgjatë të zhvillimit, është nevojë imidiate të inkurajojë dhe mbështesë pjesëmarrjen e çdo projekti premtues shqiptar në workshop-et profesionale të zhvillimit të skenarit, regjisë dhe prodhimit, apo edhe organizimin e workshop-eve specifike brenda vendit për pozicione të ndryshme që nga asistenti i produksionit te drejtori i fotografisë, apo producenti. Unë besoj që investime të tilla janë efektive, afatshkurtra dhe me rezultat të menjëhershëm.