I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Andi Vrapi për të dhënë më shumë detaje në lidhje me Festivalin MUSE-X, i cili do të zhvillohet në Sheshin Italia më 11-12-13 Prill. Andi ka shpjeguar me detaje se çfarë është ky festival dhe çfarë do të ndodhë përgjatë tre ditëve të eventit…
Agjenda e të premtes është që në orën 10:00 është ceremonia hapëse e Muse-X, ku do të kemi të kombinuar elementë të kërcimit, të baletit, të muzikës moderne dhe asaj tradicionale shqiptare, do të ketë fjalimet hapëse dhe përshëndetjet. Pastaj përgjatë gjithë ditës e deri në orët e para të mbrëmjes, të gjithë do të kenë mundësi të vizitojnë stendat e bizneseve, të kenë mundësi të shohin nga afër se si realizohet një podcast. Nga ana tjetër mund të shihni nga afër se si realizohet një film, sepse ne kemi një stendë të dedikuar filmit dhe kemi të gjitha pajisjet se si xhirohet një film i kohëve moderne. Pastaj në orën 19:00 e gjitha transformohet në festivalin e muzikës elektronike, ku do të kemi disa DJ të cilët do të ngjiten në skenë dhe do të kulminojë me Dubfire, një nga DJ më të njohur të muzikës elektronike në botë dhe i nominuar për çmimet Grammy.
Të shtunën rinisim sërish në orën 10:00, do të kemi artistë të rinj që do të luajnë, do të kemi ‘rap battles’. Reperë të rinj edhe të panjohur për publikun, por dhe ata të dëgjuar, do të ‘ndeshen’ me njëri-tjetrin dhe fituesi do të arrijë të marrë një vend në festival në darkë, ku do të performojë përkrah emrave si Marini, Buta, La Fazani, Killua, e shumë të tjerë.
Të dielën është dita e fundit dhe ne do të arrijmë një konkluzion, do të shtrojmë atë që ne e kemi quajtur ‘tullën e parë në formalizimin e industrisë muzikore shqiptare’, ku do të vijmë me një plan të shkruar se ku është më shumë e përqendruar audienca shqiptare, çfarë pëlqen, për çfarë është i përqendruar biznesi, cilat janë problematikat, si mund të zgjidhen, që në të ardhmen e afërt të gjitha bizneset të kenë ku të bazohen për planet e tyre. Pastaj do të ketë aktivitete përgjatë gjithë ditës, për të kulminuar me festivalin e muzikës rock, me legjendat që kemi ne, Aleksandër Gjoka, Eugent Bushpepa, 3 Muskutierët dhe një sërë artistësh të tjerë të rinj që do të ngjiten në skenë. Është një nga projektet më inovative në fushën e muzikës dhe argëtimit në Shqipëri, jo vetëm për t’u argëtuar, por dhe për të shtruar rrugën e informalizimit të kësaj industrie. Do të jenë tre ditë dhe tre net shumë të ngjeshura që do t’ju sugjeroja që të mos e humbisni. /TAR/