Pjesa më e madhe e dokumentacionit që ekspozohet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë nuk gjendet në origjinal. Një fond prej 5 milionë lekësh të vjetra është akorduar sivjet për pasurimin e tij, por mbetet sërish një shumë e papërfillshme
Oliverta Lila
Muzeu i Pavarësisë është një destinacion që pakkush e humb kur shkon në Vlorë. Në këto ditë vere, takon veçanërisht emigrantë, por edhe pushues. Godina dykatëshe, në oborrin e së cilës “takon” portretet në bronz të atyre që krijuan qeverinë e parë, është simbol i datës së shënuar të shpalljes së pavarësisë. Në këtë 100-vjetor, ndoshta duhet të ishte edhe më shumë. Në korridorin e ngushtë që të çon për te shkallët e katit të dytë janë ekspozuar edhe disa nga portretet e firmëtarëve të pavarësisë që piktori Arben Morina ka realizuar me rastin e këtij vjetori. Brendia është një fond me objekte (një pjesë origjinale), materiale fotografike dhe dokumente, në pjesën më të madhe fotokopje. Kjo është një “sëmundje” që drejtori Agron Shehu ia njeh muzeut që drejton. Ndonëse shprehet se në këta 20 vjet janë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta pasuruar, pak është reflektuar nga moria e dokumentacionit të ri që është zbuluar e herë edhe publikuar gjatë këtyre viteve. Duke nisur që në përpjekjet e rilindësve, çetat e para, manifestimi për çlirimin e Shkodrës, lajmërimi se gjuha shqipe do të jetë gjuha zyrtare e administratës pas shpalljes së Shqipërisë e mosvarme, një maket i shtëpisë ku u mbajt kongresi, një fotografi e madhe e Vlorës në vitin 1912, fotografi e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit para se të zbrisnin në port, për të vazhduar në katin e dytë ku gjenden disa objekte origjinale si karrigia ku është ulur Ismail Qemali, kallamari me shqiponjën e bronztë që ka përdorur(pena gjendet në Muzeun Historik në Tiranë), perdet origjinale të asaj kohe, fermani origjinal përmes së cilit Sulltani emëronte Ismail Qemalin në poste të larta, një fotografi e Ismailit me fëmijët e tij, kutia e duhanit e Isa Boletinit, literaturë pjesë e bibliotekës së Ismail Qemalit etj. Një fond prej 5 milionë lekë të vjetrash është vënë në dispozicion të këtij muzeu për pasurimin me materiale origjinale. Një shumë thuajse e papërfillshme. Ndonëse drejtori Agron Shehu shprehet se janë në përpjekje për të marrë materiale origjinale, shprehet se në pamundësi do të përfundojnë sërish te fotokopjet që në këtë rast nuk përbëjnë një vlerë të shtuar, por një mënyrë për “të mbyllur hallin”. Nga ana tjetër, drejtori i muzeut shprehet se do të ndërhyhet edhe për rikonstruksionin e godinës si brenda ashtu edhe në fasadë, për ta bërë gati për festën e nëntorit.
Më herët është njoftuar nga Ministria e Kulturës çelja e një fondi të posaçëm për Muzeun e Pavarësisë në Vlorë. Për çfarë do të përdoret ky fond?
Fondi i çelur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rreth 2.3 milionë lekë të reja do të jetë në funksion të restaurimit të muzeut. Do të jenë ndërhyrje që do të bëhen në një pjesë të konsiderueshme të hapësirës së brendshme dhe fasadës së godinës. Pas mbarimit të punës, që shpresojmë ta mbyllim deri në fund të shtatorit, godina do të marrë një pamje tjetër.
Do të jetë vetëm ndërhyrje në infrastrukturë? Ç’do të bëhet me pasurimin e fondeve të këtij muzeu?
Pasurimi i muzeut, veçanërisht me dokumentacion origjinal ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i yni. Një fond prej 5 milionë lekë të vjetrash na është vënë në dispozicion për këtë qëllim. Nga kontaktet dhe interesimi që kemi vendosur me ministrin e Kulturës, na është garantuar akses në institucione të tilla si Instituti i Historisë, Arkivi i Filmit etj., për të pasur mundësinë të tërheqim materiale interesante që janë zbuluar edhe në arkiva të huaja e që do të ekspozohen në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.
Një pjesë e mirë e dokumenteve të ekspozuara janë në fotokopje. Sa përpjekje janë bërë dhe sa e mundshme do të jetë këtë vit për të siguruar origjinalet?
Unë si drejtues i muzeut dhe specialist i kësaj fushe, e di mirë se vlera e muzeut është gjithnjë te dokumentet origjinale. Ato i japin më shumë vlerë muzeut se ato që mund t’i quajmë transkriptime ose fotokopje të tyre. Ne kemi bërë disa marrëveshje për marrjen e dokumenteve origjinale që janë zbuluar së fundmi, por në pamundësi, do të marrim sërish fotokopje.
Për çfarë materialesh jeni interesuar veçanërisht?
Ne na intereson gjithçka, pasi ky muze përfshin gjithë periudhën e Rilindjes, e cila kulmon me shpalljen e pavarësisë.
Sa objekte origjinale ruhen apo ekspozohen në këtë muze?
Janë mbi 30-40 objekte origjinale që kanë vlera të veçanta. Vetë godina ka arkitekturën origjinale më shumë se 100-vjeçare, pastaj vijnë tavolinat, karriget, etazherë, mbi 10-15 foto origjinale, tablo pikture, kuti duhani me filigran argjendi i Isa Boletinit, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe, flamuri i katër vilajeteve i para shpalljes së pavarësisë etj.
Ju përmendët fotografitë. Gjatë këtyre 20 vjetëve janë publikuar vazhdimisht fotografi që nuk njiheshin më parë, një pjesë edhe me cilësi më të mirë se këto që keni ekspozuar…
Ne jemi të interesuar edhe për këtë fond, sepse me kalimin e kohës një pjesë e fotografive dëmtohen. Po shohim mundësinë që një pjesë t’i rinovojmë ose t’i zëvendësojmë me foto më të pastra, sepse shohim që janë botuar mjaft foto interesante që nuk kanë qenë ekspozuar më parë.
Pse nuk është bërë më parë?
Kjo nuk varet gjithnjë nga dëshira jonë. Jemi interesuar në vazhdimësi, por janë institucionet qendrore që vendosin qoftë për restaurimet, qoftë për pasurimet që kanë një faturë financiare pas dhe detyrimisht që duhet të marrin miratimin që nga Ministria e Financave.
Ka kohë të mjaftueshme për të bërë të gjitha restaurimet dhe pasurimin e fondit?
Kjo periudhë kohe është e mjaftueshme, sepse ky muze e ka bazën reale në objekte e dokumentacion. Para nëntorit do të kenë mbaruar të gjitha punimet dhe do t’i ofrohet një pamje tjetër vizitorëve dhe kushte më të mira për ruajtjen e objekteve.
Nëse flasim me shifra, sa i frekuentuar është Muzeu i Pavarësisë në Vlorë?
Është një nga muzetë më të frekuentuara në Republikë pas Parkut Arkeologjik të Butrintit. Vizitohet jo vetëm nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por edhe nga shqiptarë të shumtë që jetojnë në diasporë. Në një vit llogaritet një shifër prej 8 deri në 10 mijë vizitorë, duke përfshirë edhe kategoritë që janë pa pagesë.
23 milionë – Lekë të vjetra janë akorduar nga Ministria e Kulturës për rikonstruksionin e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë. Drejtori Agron Shehu shprehet se do të ndërhyhet si në fasadë, ashtu edhe në ambientet e brendshme
5 milionë – Lekë janë akorduar për pasurimin e muzeut me objekte dhe dokumentacion. Synimi është marrja e dokumenteve të reja origjinale, që janë zbuluar nga studiuesit, veçanërisht në arkivat e huaja
8-10 mijë – Është numri i turistëve që vizitojnë në një vit Muzeun e Pavarësisë në Vlorë. Vizitohet jo vetëm nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por edhe nga shqiptarë të shumtë që jetojnë në diasporë