Refleksion mbi kontributin e ri të akademikut Vasil S. Tole në fushën e mësimdhënies së lëndës së muzikës në arsimin 9-vjeçar


Mikaela Minga*


Kohët e fund


Vasil Tole


it, problematikat e edukimit mbi muzikën janë kthyer në qendër të vëmendjes. Kjo duke marrë parasysh faktin se shumë fëmijë dhe të rinj njohin si pika referimi për muzikën variantet e shumta të muzikës komerciale, të cilat ç‘është e vërteta, qarkullojnë lirshëm para tyre. Sa i takon muzikës së madhe, të paktë janë ata që dëgjojnë apo kanë informacion rreth zhvillimeve të saj historike e bashkëkohore, qofshin këto brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Kjo është një nga arsyet pse në kuadrin e reformimit të përgjithshëm të sistemit arsimor i është kushtuar një vëmendje e veçantë edhe hartimit të programeve përkatëse të lëndës së muzikës. Sigurisht, faktorët që ndikojnë një situatë të tillë janë të shumtë dhe nuk përqendrohen vetëm te shkolla; megjithatë, shkolla si institucioni kryesor i edukimit ka pjesën më të rëndësishme, për të ndikuar dhe për të përmirësuar një situatë të tillë. Në këtë kuadër, ashtu si çdo disiplinë tjetër, edhe muzika duhet mësuar dhe ky proces nuk ka të bëjë thjesht me edukimin e veshit muzikor. Para së gjithash, ai lidhet me njohjen e muzikës si art dhe vendit inteligjent që ajo ka në jetën e njeriut. Vasil S. Tole, një personalitet i afirmuar tashmë në çështjet e muzikës dhe të trashëgimisë sonë kulturore, është angazhuar prej disa kohësh me një problematikë të tillë dhe në sajë të përvojës së tij të gjerë si studiues, kompozitor dhe  etnomuzikolog, ai vjen me ciklin e plotë të librave të muzikës për shkollat 9-vjeçare. Nëpërmjet kësaj serie ai synon të sjellë përpara nxënësit një metodë mësimore të plotë, e cila të mund ta shoqërojë atë hap pas hapi dhe në mënyrë sistematike gjatë të pesë viteve të shkollës. Për vitin që vjen, do të jenë në duart e nxënësve dy prej librave të këtij cikli; përkatësisht libri i klasës së pestë dhe ai i klasës së gjashtë. Ashtu si e përmenda edhe pak më sipër, procesi i edukimit muzikor ka specifikat e veta, të cilat nënkuptojnë qoftë mësimin e një kënge të thjeshtë, ashtu edhe mësimin e asaj çfarë është kënga në muzikë. Si rrjedhojë, prof. Vaso Tole i është referuar përvojës bashkëkohore europiane të edukimit muzikor, në të cilën jo rastësisht, një ndër themeluesit kryesorë të saj është edhe kompozitori e studiuesi Zoltan Kodai, një figurë shumë e rëndësishme e muzikës në shek. XX. Mbi këtë bazë, akademiku  Vasil S. Tole  bën një përzgjedhje të kujdesshme të materialit dhe të lëndës përkatëse, duke bashkuar qoftë anën praktike të të mësuarit, siç mund të jetë, për shembull, mësimi i himnit kombëtar, i shkrimit muzikor, etj., me anën inteligjente, që është ndërgjegjësimi i nxënësit për atë çfarë përfaqëson himni për një komb, ose si paraqitet historia e shkrimit muzikor. Këto janë dy principet themelore mbi të cilat mbështetet metoda e tij, por ai nuk mjaftohet vetëm me kaq. Duke i marrë këto si pika orientimi, ai e zgjeron më tej lëndën dhe materialin e ofruar. Kështu, duke iu referuar sërish shembujve të mësipërm, vërejmë që nga koncepti i himnit kombëtar, nxënësi kalon në formë të shkallëzuar te njohuritë për këngën patriotike dhe nga shkrimi muzikor, ai kalon te veçoritë dalluese të gjuhës muzikore.


I njëjti koncept shoqëron të gjithë kapitujt si: “Luajtja në instrumentet muzikore”, “Dëgjimi muzikor” dhe “Shprehja dhe krijimi muzikor”. Krahas kësaj, akademiku Vaso Tole është përpjekur që nxënësi të njihet edhe me një çështje tjetër të rëndësishme: atë të trashëgimisë kulturore të një vendi dhe vendit që muzika ka brenda saj. Kjo është një problematikë e re në procesin e edukimit, por shumë e rëndësishme për zhvillimet bashkëkohore të tij. Në këtë mënyrë, nxënësi njihet nga afër me ato cilësi të veçanta të kulturës muzikore kombëtare, siç është fjala vjen, muzika iso-polifonike e Shqipërisë së Jugut, këngët e veriut, këngët qytetare shqiptare etj. Nëpërmjet tyre ai mësohet të vlerësojë atë sistem vlerash autentike që qëndron në themel të çdo kombi. Duke i njohur në mënyrë profesionale, ai ndërgjegjësohet kështu jo vetëm për muzikën, por edhe për konceptin e trashëgimisë kulturore në tërësi. Njohuritë vijnë në mënyrë të shkallëzuar nga njëra klasë te tjetra, gjë që i ndihmon  në një formim muzikor më të plotë. Qëllimi kryesor i edukimit muzikor duhet të jetë afrimi i fëmijëve me botën e tingujve dhe me mesazhet që muzika përcjell, dhe kjo duhet të vijë në mënyrë sa më të thjeshtë dhe komunikuese. Tole ka sjellë pikërisht një gjë të tillë. Nëpërmjet librave të tij, nxënësi ka mundësinë që të mësojë rreth muzikës, ta kuptojë atë, ta këndojë dhe interpretojë, si dhe të dëfrehet dhe të gjejë kënaqësi mes tingujve të saj.


“Pesë të drejtat muzikore bazë”


Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës/IMC është organizata globale e organizmave të specializuar muzikor dhe e ekspertëve të cilët punojnë në fushën e muzikës. Krijuar në vitin 1949 nga UNESCO, këshilli është mandatuar që të promovojë diversitetin muzikor dhe të mbështesë të drejtat kulturore muzikore për të gjithë njerëzit. Ky këshill, përmes programit të “Forumit të III-të botëror të muzikës”, mbështet përhapjen e pesë të drejtave muzikore bazë, në të gjitha vendet e botës.


*Muzikologe