Lamtumirë Cuk!
“Cuk, ti do të më vdesësh mua …!”. Kjo fjali e thënë nga i ndjeri Aleko Prodani te filmi “Dy herë mat”, drejtuar Cukut (Fadil Kujovskës), e kthyer si një nga thëniet më popullore sot, do ta bëjë të pavdekshëm kujtimin e Fadil Kujovskës. Dje, aktori i dhjetëra roleve, ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 63-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ikja e tij është një humbje për artin e shtatë, të cilit do t’i mungojë një karakter që mbartte brenda humorin dhe tiparet e një aktori profesionist. Aktorët e rinj të shfaqjes “Vanja, Sonja, Masha e të tjerë”, përmes një fotoje, i dërgonin një puthje në eter Kujovskës, dje, për gjithë kontributin dhe shembullin e tij në teatër. Një humbje të madhe e ka quajtur edhe Teatri Kombëtar, largimin e aktorit nga jeta. Fadil Kujovska lindi në Tiranë, më 14 shkurt. Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974-n filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975-n interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik.
Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978-n, krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjike Kurtiqit “Miq të paftuar”, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit. Po më 1978-n, interpretoi rolin e Hoxhe Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt. Një vit më pas, luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën “Furrnalta” të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës, ambiguitetin dhe sensin humoristik. Më 1982-shin i dha jetë njërit prej roleve të tij me të goditur, atij të Sër Tobit në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij. Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes” të A. Z. Çajupit (1984), ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetërsuese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomanie që e diskreditonte paq krenarinë e tij. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Comores nga Teatri Kombëtar (2003). Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe në filma artistikë, si dhe në disa filma televizivë, ku veçohet roli i Cukut te “Dy herë mat” (1986), i fotograf Veliut te “Historiani” dhe “Kameleoni” (1989). Roli i Cukut te “Dy herë mat” është ende në kujtesën e publikut. Dje u shua një protagonist i teatrit shqiptar, i cili do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tij.