Arti shkodran ka humbur dje një nga kontribuuesit e njohur të tij. Fatbardh Smaja, aktor dhe regjisor i teatrit “Migjeni” ka mbyllur përgjithmonë sytë në moshën 59-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Pothuajse gjithë karrierën e tij Smaja e ndërtoi në Teatrin “Migjeni” duke qenë aktor dhe regjisor i shumë shfaqjeve që i dhanë jetë këtij teatri. Vetëm një javë më parë, ai ngjiti në skenë dramën “Kandili i Argjendit”, me rastin e 90-të vjetorit të lindjes së poetit Martin Camaj. Ngjarjet në këtë shfaqje ndodhnin në një familje tregtare shkodrane, në fazën e parë të revolucionit komunist në Shqipëri, ku ndërrimi i pushtetit ishte i pakonceptueshëm për një familje që ishte mësuar të jetonte mes luksit. Nën vargjet e Martin Camajt, Smaja bëri dhe ngjitjen e fundit si regjisor në skenë, duke i bërë një rikthim tjetër të poetit në qytetin e lindjes, rikthim që u prit me duartrokitje nga publiku. Ndër veprat ku Smaja është shfaqur si regjisor e aktor mund të përmendim: “Rëndësia e të qenët i sinqertë”, “Eldorado”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, I sëmuri për mend”, “Zeneli”. Me shfaqjen “Rëndësia e të qenët i sinqertë”, ai mori disa çmime në konkursin e teatrove në Preshevë, ku publiku e mirëpriti me shumë duartrokitje dhe vlerësimet maksimale nuk munguan. Ndarja e Smajës nga jeta është një humbje jo vetëm për teatrin e qytetit të Shkodrës, por edhe për artin në vend.