Aktori i njohur i Hollivudit, Michael Madsen, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare në shtëpinë e tij në Malibu. Sipas Zyrës së Sherifit të Los Angeles-it, nuk ka pasur rrethana të dyshimta lidhur me vdekjen. Shërbimet e emergjencës u thirrën të enjten në mëngjes dhe ai u shpall i vdekur në orën 08:25.

Menaxheri i tij, Ron Smith, konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte një atak kardiak. Në një deklaratë të përbashkët me menaxheren Susan Ferris dhe zëdhënësen Liz Rodriguez, thuhej se Madsen po punonte në disa projekte të reja filmike si “Resurrection Road”, “Concessions” dhe “Cookbook for Southern Housewives”, ndërsa ishte gjithashtu në procesin e botimit të librit të tij “Tears for My Father: Outlaw Thoughts and Poems”.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se katër dekada, Madsen u bë i njohur për rolet e tij si “djalë i keq” në filma të kultit si “Reservoir Dogs”, “Kill Bill: Vol. 1”, “Donnie Brasco” dhe “Thelma & Louise”. Ai bashkëpunoi shpesh me regjisorin Quentin Tarantino, duke u shfaqur edhe në “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”.

Karriera e tij përfshin më shumë se 340 projekte, përfshirë edhe tituj të njohur si “The Doors”, “Free Willy”, “Species”, “Sin City”, “Die Another Day” dhe “Scary Movie 4”.