Homazhet në nder të aktorit të njohur, Naun Shundi, do të mbahen ditën e sotme. Mësohet se ceremonia e homazheve do mbahet tek “ArtTurbina” nga ora 10:30- 12:00.
Shundi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Artisti u dërgua për trajtim të specializuar në një spital në Francë, por kostot e larta financiare detyruan familjarët që të kërkojnë ndihmë. Më pas ai u rikthye në Shqipëri, ku vijoi trajtimin mjekësor në QSUT, shpenzimet e së cilës u mbuluan nga ministria e Shëndetësisë.
Naun Shundi është një nga figurat më të vlerësuara të skenës shqiptare, me kontribute të shumta në teatër dhe dramaturgji, si dhe themelues i një hapësire të veçantë kulturore përmes teatrit të tij.
Naun Shundi, ishte regjisor, dramaturg, aktor i më shumë se 100 roleve në teatër dhe 20 në film, ndërsa ka kaluar më shumë se 46 vite në Teatrin Kombëtar.

