Një ndër komedianët më të mirë të Shqipërisë, Zef Deda, është nga jeta ditën e sotme. Artisti është shuar në moshën 73-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.
Lidhur me vdekjen e aktorit të mirënjohur ka reaguar Teatri Migjeni, Shkodër, ku Zef Deda ka punuar më shumë se 40 vite.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë se u nda nga ne, aktori i shquar, “ Mjeshtri i Madh” Zef Deda. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!🙏”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Teatrit Migjeni.

Artisti për thuajse 4 dekada iu përkushtua skenës teatrale, në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Lidhja me skenën, me televizionin dhe publikun e Shqipërisë ishte aq e fortë, sa asnjë nga ngjarjet që shënjuan jetën e këtij artisti, nuk do të ndikonte në këtë marrëdhënie.
I njohur për rolet e tij e kryesisht si kunati i shokut Xhemal, apo për plastikën e jashtëzakonshme të një aktori shqiptar që mund të imitonte magjinë e Charlie Chaplin, Zef Deda mbetet në memorien e shqiptarëve si një ndër artistët e rrallë të skenës që la një pasuri të madhe, po aq edhe shpirtin artistike që përcolli te dy djemtë, Julin dhe Marion, të dy artistë të njohur në vend.
Dyzet vite në teatër dhe mbi më shumë se 20 vite të tjera në botën e spektaklit në Shqipërinë post komuniste do ta bëjnë portretin e Zef Dedës, atë të artistit të pa kompromis që na dhuroi shumë buzëqeshje.

