Mbrëmjen e sotme do të mësohet fituesi i festivalit të madh europian, “Eurovision”.

Në prag të finales, Alis Kallaçi u ka bërë thirrje shqiptarëve të votojnë këngën ‘Nân’ kur të hapet votimi në 21:00. Përmes një postimi në rrjetet sociale artisti shprehet mirënjohës për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe kanë pëlqyer këngën.

“Televotimi hapet sonte në 21:00! Jam pafundësisht mirënjohës që po e dëgjoni ‘Nân’ dhe po i dhuroni kaq shumë dashuri! Në imazhe gjeni kodet për çdo shtet. Kur të hapet votimi, mund të mbështesni Shqipërinë duke votuar 05. Nëse nuk e shihni shtetin ku ndodheni në fotot sipër, mund të votoni që tani online nga kudo në botë në esc.vote Faleminderit që e keni bërë “Nân” tuajën”, shkruan artisti.

Në Finalen e Madhe, votimi hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë i hapur gjatë të gjitha performancave e më tej edhe 40 minuta pasi të jetë interpretuar kënga e fundit. Për këngën e preferuar, mund të votohet deri në 10 herë.

Nëse ndodheni në një vend jo pjesëmarrës, votimi online në esc.vote hapet në mesnatë dhe mbyllet kur fillon shfaqja live, për t’u hapur përsëri pak para se të interpretohet kënga e parë. Më pas do të mbetet e hapur gjatë gjithë shfaqjes live deri rreth 40 minuta pasi të jetë prezantuar kënga e fundit konkurruese.