Pas restaurimit dhe përshtatjes në anglisht filmi do të shfaqet për shikuesin e huaj
“Nëntori i dytë” do të shfaqet premierë më 27 mars SHBA për një audiencë të zgjedhur në Teatrin Michelson të Universitetit të NY, i ndjekur nga premiera në New England në Universitetin Wesleyan më 28 mars, dhe nga një shfaqje e veçantë publike në Nju Jork më 29 mars. Premiera vjen pas restaurimit dixhital dhe përshtatjes në gjuhën angleze, falë bashkëpunimit midis projektit të Kinemasë Shqiptare, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Colorlab Corp. “Nëntori i dytë” është shkruar nga Dhimitër Shuteriqi (së bashku me Kiço Blushin) dhe me regji të Viktor Gjikës. Realizuar tre vjet para vdekjes së diktatorit Hoxha, filmi pati premierën në fund të nëntorit 1982. Më 3 nëntor 2012, varianti i restauruar i filmit “Nëntori i dytë” hapi “Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar” në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë. Ky ishte restaurimi i parë i një filmi shqiptar dhe hera e parë që u realizua një bashkëpunim ndërkombëtar mes kineastëve, laboratorëve të filmit, arkivave, akademikëve dhe aktivistëve për të ndihmuar në ruajtjen e një trashëgimie filmike që është në rrezik serioz.
“Nëntori i dytë” nuk ka qenë shfaqur më parë jashtë Shqipërisë dhe ky restaurim shënon njëkohësisht edhe përshtatjen e parë në gjuhën angleze të filmit. Ky film është i pari nga pesë filmat që ACP ka thënë se do të restaurojë brenda një harku kohor prej pesë vjetësh. “Është një histori me nota tejet kombëtare që tregon përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi. Është Braveheart-i i tyre, nëse ju pëlqen ta themi kështu. Teknikisht, restaurimi është i klasit botëror, befasues, që arriti të kthejë një film të zymtë në një film plot me ngjyra ylberi dhe peizazhe ftuese”, është shprehur kritiku i filmit, Mark Cousins. Katër filmat e tjerë që do t’i nënshtrohen restaurimit janë “Ballë për Ballë” i regjisorëve Kujtim Çashku dhe Piro Milkani, 1979, “Tomka dhe shokët e tij” i regjisores Xhanfise Keko, 1977, “Kapedani” i regjisorëve Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo, 1972 dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen” i regjisorëve Gëzim Erebara, Piro Milkani, 1967. Restaurimi i këtyre filmave ka për qëllim të bëjë të njohur kinemanë shqiptare në botë.