E ftuar në këtë episod të “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë Ermonela Jaho. Sopranoja e njohur me famë botërore në këtë intervistë ekskluzive ka ndarë me dëgjuesit detaje nga karriera e saj, se si nisi gjithçka, kush e frymëzoi dhe si ka arritur që përgjatë gjithë këtyre viteve të ndërtojë një bazë kaq të fortë dhe të arrijë majat me talentin e saj.

Nga buron kjo forcë e madhe për të transmetuar emocion? Ku frymëzohet Ermonela për të qenë teknikisht e fortë,e saktë dhe e kujdesshme?

Sot, detyra e një artisti është që të jetë i vërtetë në skenë dhe me atë vërtetësi ai do të emocionojë publikun. Kjo është detyra e artit dhe detyra e një artisti. Ana teknike mendoj se të shërben duke të të dhënë ty të gjitha ato çelësat për të të hapur këto dyert e vështirësisë të notave akute apo të koloraturave. Të ndihmon që të shprehesh lirshëm. Çfarë është këndimi në opera? Janë ndjenjat humane të emfatizuara, janë ndjenjat kështu në ekstrem si tragjedi, gëzim, hidhërim, sakrificë. Që ti t’i japësh këto lloj ndjenjash dhe këtë lloj emocioni duhet të jesh ti e para që ta ndjesh. Për një artist ana teknike të ndihmon që të të çlirojë dhe të të japë një lirshmëri të madhe nga mënyra se si ti këndon, përdor zërin dhe të ta bëjë më të lirshme që ti ta shprehësh këtë emocion. Ndonjëherë bëhet problem sepse ka shumë artistë dhe këngëtarë që fokusohen tek ana teknike dhe harrojnë pjesën emocionale. 

Sopranoja shtoi se:

Është thjesht filozofi e imja, por për mua nuk ekziston. Artisti duhet të japë emocion. Nuk e konceptoj dot perosnalisht që ti si artist të ngjitesh në skenë, të këndosh këto ndjenjat humane dhe të jesh kaq i stakuar. Pastaj ne themi se publiku nuk kupton, dhe duhet të jetë një publik elitar. Jo, më vjen shumë keq sepse ose përcillet ose nuk përcillet. Publiku do të ndjejë atë emocion që ti po përcjell. Publiku duhet të vijë në teatër dhe të bëjë një rrugëtim tre orë me ty së bashku me atë që ti po jep në skenë. Kështu që teknika është jashtëzakonisht e rëndësishme, por vetëm në favor të emocionit.