Eurovision 2027 do të sjellë disa ndryshime të rëndësishme në rregullat e konkursit. Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka miratuar një paketë të re rregullash pas analizës së edicionit të vitit 2026 dhe konsultimeve me transmetuesit pjesëmarrës.

Edicioni i ardhshëm i Eurovision-it do të mbahet në Bullgari, ndërsa ndryshimet e reja prekin çështje që lidhen me sigurinë, moshën e konkurrentëve dhe mënyrën se si duhet të realizohen performancat vokale në skenë.

Po nëse fituesi ndodhet në një zonë konflikti?

Një nga ndryshimet më të mëdha ka të bëjë me organizimin e konkursit në vendin fitues.

Nga viti 2027, fitorja nuk do të nënkuptojë automatikisht se transmetuesi i atij shteti do të ketë të drejtën të organizojë edicionin e ardhshëm. Nëse vendi përballet me luftë, konflikt të armatosur, tensione të rënda gjeopolitike apo probleme të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë, EBU mund të vendosë që konkursi të zhvillohet diku tjetër.

Në raste të tilla, organizata mund të kërkojë edhe një vlerësim të pavarur mbi situatën e sigurisë.

Nëse konkluzioni është se vendi fitues nuk është në gjendje të presë Eurovision-in, EBU do të zgjedhë një transmetues tjetër për të marrë përsipër organizimin. Ai do të mbajë përgjegjësitë për prodhimin, zhvillimin dhe detyrimet që lidhen me konkursin.

Eurovision-i nuk do të ketë më konkurrentë nën 18 vjeç

Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt artistët.

Duke nisur nga Eurovision 2027, mosha minimale për pjesëmarrje bëhet 18 vjeç. Konkurrentët duhet ta kenë mbushur këtë moshë deri në ditën e provës së tyre të parë.

Deri në edicionin e fundit, në konkurs mund të merrnin pjesë edhe artistë 16 dhe 17-vjeçarë.

Sipas EBU-së, vendimi synon të rrisë mbrojtjen e artistëve të rinj dhe të kufizojë presionet që mund të shoqërojnë një kompeticion me ekspozim kaq të madh ndërkombëtar.

Çfarë ndryshon te vokalet live?

Rregulla të reja janë përcaktuar edhe për mënyrën se si përdoren vokalet e regjistruara gjatë performancave.

Parimi kryesor mbetet i njëjtë: melodia kryesore duhet të këndohet drejtpërdrejt nga artisti ose artistët që ndodhen në skenë.

Eurovision-i do të vazhdojë të lejojë elemente vokale të regjistruara paraprakisht, por ato nuk mund të përdoren në një mënyrë që zëvendëson apo mbështet në mënyrë të tepruar interpretimin kryesor live.

Me këtë sqarim, EBU synon të sigurojë që performancat të ruajnë karakterin e tyre live dhe që vokali kryesor që dëgjon publiku të vijë realisht nga skena.

EBU: Duam më shumë qartësi dhe mbrojtje

Drejtori i Eurovision-it, Martin Green, tha se ndryshimet janë hartuar duke marrë në konsideratë sugjerimet dhe reagimet e transmetuesve anëtarë.

“Duke u udhëhequr, si gjithmonë, nga reagimet e anëtarëve tanë, ne kemi sqaruar dhe forcuar disa fusha për vitin 2027. Këto ndryshime synojnë të ofrojnë qartësi më të madhe për të gjithë të përfshirët, të mbrojnë artistët dhe të sigurojnë që konkursi të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe mikpritës, duke ruajtur frymën dhe integritetin që e bëjnë Konkursin e Këngës në Eurovision kaq të veçantë”, u shpreh Green.

Me këto rregulla, EBU synon të vendosë një kornizë më të qartë për edicionet e ardhshme, veçanërisht në një kohë kur çështjet e sigurisë dhe integritetit të performancave kanë marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe.