Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare aktori i zërit Peter Cullen, një prej figurave më të njohura të industrisë së animacionit, i cili u bë i famshëm në mbarë botën si zëri i Optimus Prime në serinë “Transformers” dhe i personazhit Eeyore në disa projekte të “Winnie-the-Pooh”.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua të mërkurën nga agjenti i tij, Kevin Motley. Cullen ndërroi jetë në shtëpinë e familjes së tij në Los Angeles, i rrethuar nga familjarët e tij. Familja bëri të ditur se aktori u nda nga jeta “i rrethuar nga familja e tij e dashur dhe i mbajtur në zemrat e miqve të shumtë dhe të panumërtëve fansa në mbarë botën”.
Peter Cullen do të mbetet veçanërisht i lidhur me Optimus Prime, liderin e Autobots në universin “Transformers”. Zëri i tij i fuqishëm dhe karakteristik u bë një prej elementeve më të identifikueshme të personazhit dhe e shoqëroi atë në projekte të shumta ndër vite.
Një tjetër rol i paharrueshëm ishte ai i Eeyore, gomarit melankolik dhe pesimist nga bota e “Winnie-the-Pooh”. Cullen i dha zë personazhit në disa produksione, duke e bërë Eeyore një prej roleve më të dashura të karrierës së tij.
Gjatë një karriere të gjatë, Cullen u shndërrua në një prej aktorëve më të respektuar të zërit dhe zëri i tij u njoh nga disa breza shikuesish.
Në deklaratën e familjes, të afërmit e aktorit u kërkuan fansave që ta nderojnë trashëgiminë e tij jo vetëm duke kujtuar punën artistike, por edhe duke ndjekur vlerat që ai përfaqësonte.
Familja bëri thirrje që njerëzit të shërbejnë në komunitetet e tyre dhe të udhëheqin të tjerët me dhembshuri, integritet dhe besnikëri.
Mesazhi i fundit i familjes për fansat ishte një frazë që përmbledh filozofinë e Cullen: “Jini mjaftueshëm të fortë për të qenë të butë.”
