Në kohën kur blog-et ishin popullore, tre të ashtuquajtura Betches (derivat i fjalës Bitch – Lavire në një kuptim metaforik të stërholluar larg kuptimit origjinal) Aleen Dreksler, Jordana Abraham dhe Sami Sage botuan një libër që u kthye në një ‘manual’ për gocat e ‘këqija’ ose ato që duan të jenë të tilla për t’ja dalë në jetë. Jo aq për të gjetur lumturinë sesa për të gjetur suksesin. Sipas tyre lumturia është e mbivlerësuar, suksesi jo.
“Nice is Just a Place in France” është një udhëzues satirik dhe argëtues mbi jetën moderne të vajzave të reja, publikuar më shumë se një dekadë më parë nga ‘The Betches’ – tre amerikane tashmë të pasura, të njohura për faktin se nuk kanë qime në gjuhë, humorin ironik dhe promovimin o përqafimin e kulturës pop e konsumizmit. Ai nuk është thjesht një manual mbi modën apo marrëdhëniet, por një reflektim me sarkazëm mbi mënyrën se si vajzat e shekullit XXI ndërtojnë identitetin e tyre në shoqëri.
Libri e paraqet “betch” si një vajzë të sigurt, të pavarur dhe shpesh të pamëshirshme, e cila di çfarë dëshiron dhe nuk ka frikë të përdorë zgjuarsinë, manipulimin dhe karizmën për ta arritur qëllimin. E kundërta e ‘goc për shpi’ – ‘the betch’ është ajo që të gjithë burrat duan në të vërtetë (sipas tyre gjithmonë). Ky stereotip përbën boshtin rreth të cilit ndërtohen këshillat për miqësitë, marrëdhëniet romantike, jetën në universitet, karrierën dhe përdorimin strategjik të rrjeteve sociale. Autoret nxisin një qasje ku bukuria, humori, inteligjenca dhe njëfarë egoizmi shihen si armë për sukses.
I ndarë në kapituj të shkurtër, secili me tituj provokues, të cilët trajtojnë tema si “si të ruash imazhin me lekët e babit pa u bërë e keqe në sytë e tij”, “si të mos sakrifikosh asgjë”, apo “si të menaxhosh miqtë dhe rivalët”. Gjuha është e shkujdesur, plot me ‘slang’ dhe referenca kulturore, duke e bërë leximin të rrjedhshëm dhe shpesh qesharak. Edhe pse në kategorinë e librave vetëndihmues, ky tekst nuk mundohet të japë moral, por më tepër tallet me normat tradicionale, duke i dhënë lexuesit ndjesinë e të qënit i rrethuar nga gocat më garipe në botë.
Pas humorit të tepruar dhe ironisë, libri përcjell një ide më të thellë: fuqizimin e grave të reja për të marrë kontrollin mbi jetën e tyre, për të mos pasur turp nga ambiciet dhe për të pranuar që mirësjellja tradicionale shpesh nuk sjell rezultatet e dëshiruara. Titulli “Nice is Just a Place in France” nënkupton pikërisht këtë: të qenit “e sjellshme” nuk është gjithmonë vlerë; më shumë rëndësi ka të jesh e zgjuar, e vetëdijshme dhe e vendosur.
Në thelb, libri është një miks i këshillave praktike, humorit të ashpër dhe një satirë të kulturës bashkëkohore të grave të reja. Ai sfidon klishetë e “vajzës së mirë” dhe përqafon një model tjetër – atë të betch-it të guximshme dhe të pathyeshme, duke ofruar një lexim argëtues e motivues për një brez që kërkon të ndërtojë rregullat e veta.
“Nice is Just a Place in France” (2013), nga The Betches, qaset si një manual ironik për vajzat që synojnë të arrijnë atë që bota ultra-kapitaliste moderne e konsideron ‘sukses’. Megjithatë, nën maskën e humorit të zi dhe sarkazmës, ai mbart një sistem vlerash tejet problematik: materializëm i tejskajshëm, seksizëm si normë, madje nxitje të anoreksisë si model për afirmim social. Në një lexim kritik, ky tekst mund të analizohet si shembull i mënyrës sesi kultura pop e viteve 2000-2010 riprodhoi normat patriarkale, duke i paketuar si “fuqizim” për gratë.
Një nga elementët më problematikë të librit është promovimi i anoreksisë si mjet për të arritur pushtet dhe status. Në këtë pikë, libri mishëron atë që Laura Mulvey e ka quajtur male gaze – një mekanizëm kulturor ku gruaja ekziston si objekt për t’u parë dhe për t’u vlerësuar nga syri mashkullor. Duke e reduktuar trupin femëror në një “projekt për sukses”, The Betches e përsërisin këtë strukturë në vend që ta sfidojnë. Në vend të një lirie për të përzgjedhur identitetin trupor, lexuesi ndeshet me një presion të brendësuar për t’iu nënshtruar standardeve të bukurisë së ngushtë dhe toksike.
Ky përçudnim ‘i ri’ i gruas në imazh është i lidhur edhe me kritikën e Simone de Beauvoir, e cila në Le Deuxième Sexe (1949) argumenton se gruaja është shndërruar historikisht në “Tjetërin” – një objekt që ekziston në raport me Burrin, jo si subjekt i plotë. Në librin e The Betches, kjo logjikë përforcohet: femra nuk përkufizohet përmes zgjedhjeve të saj autentike, por përmes mënyrës sesi arrin të projektojë dëshirueshmëri dhe pushtet sipas normave patriarkale.
Në kohën e botimit, libri pasqyroi kulturën e fillim-viteve 2010, ku ironia dhe cinizmi ishin kthyer në monedhë shoqërore. Qasja “vajza e keqe” që fiton vëmendje përmes arrogancës dhe bukurisë dukej si një alternativë ndaj figurës tradicionale të “vajzës së mirë”. Megjithatë, siç argumenton Bell Hooks në The Will to Change (2004), këto modele nuk shërbejnë për të çliruar gratë, por vetëm për të riprodhuar një rend ku femra mbetet e vlerësuar sipas pritshmërive patriarkale.
Shpërthimi i lëvizjes #MeToo në vitin 2017 solli një zhvendosje të rëndësishme në diskursin publik mbi pushtetin, seksualitetin dhe integritetin trupor të grave. Në këtë kontekst, manuale si Nice is Just a Place in France të lexuara sot duken të rrezikshme dhe të vjetruara. Ato normalizojnë një kulturë të objektivizimit dhe të heshtjes përballë abuzimit, duke u shfaqur sot si shembuj të “internalizimit të patriarkatit” që Judith Butler e lidhet me performativitetin e gjinisë: gratë mësohen të performojnë feminitetin sipas pritshmërive të sistemit, duke e përjetësuar atë.
Në epokën post-#MeToo, modelet e suksesit që propozon libri janë jo vetëm të tejkaluara, por edhe të dëmshme. Kulti i anoreksisë bie ndesh me lëvizjet bashkëkohore për pranimin e trupit (body positivity) dhe për shëndetin mendor. Materializmi ekstrem bie ndesh me kritikat e sotme ndaj kapitalizmit konsumist, i cili i vlerëson gratë vetëm si objekte të tregut estetik dhe social. Po ashtu, idetë që pushteti arrihet përmes arrogancës dhe manipulimit shfaqen anakronike në një kohë kur diskursi mbi barazinë gjinore e vendos theksin te solidariteti, agjencia dhe përfaqësimi i zërit femëror.
Nëse ju bie në dorë, dhe vuani nga sindromi që duhet ta lexoni (deri në fund) bëjeni në mendje që ky është më shumë dokument kulturor i një epoke sesa manual i vlefshëm për sukses. Nëse në vitin 2013 ai dukej si një reagim ironik ndaj normave konservatore, sot ai duket si një tekst që riprodhon e legjitimon seksizmin dhe objektivizimin. Nuk qëndron dot si model fuqizues. Përkundrazi, ai mbetet një dëshmi se sa thellë e rrënjosur ka qenë kultura e kontrollit mbi trupin e gruas – dhe një arsye më shumë për të kërkuar narrativa të reja, ku femra shihet jo si objekt për konsum shoqëror, por si subjekt i lirë dhe i barabartë.