Dan Oryan

Dan Oryan


Intervistë me drejtorin e Departamentit të Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Izraelit dhe ambasador jo rezident i izraelit në Maqedoni, Dan Oryan


Nga Tel-Avivi


Rudina HOXHA


Dan Oryan, drejtori i Departamentit të Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Izraelit dhe ambasador jo rezident i Izraelit në Maqedoni, është një diplomat “plot ngjyra”, që nuk e takon çdo ditë. Një atlet i mrekullueshëm, i cili pëlqen të shkruajë libra për fëmijë, përpiqet shumë të vendosë marrëdhënie sa më të mira me fqinjët. Dhe kjo mund të arrihet edhe me anë të librave për fëmijë. Mbi të gjitha, 50-vjeçari ka një lidhje të veçantë sidomos me Shqipërinë dhe sa herë ka të ftuar nga Shqipëria, ai ka ndjenjën se po flet me një partner të vërtetë. “Secili prej personaliteteve nga Shqipëria që kam takuar janë kaq interesante për të biseduar dhe ndjenja që të krijohet është se ne kemi një partner dhe nuk është e lehtë të gjesh një të tillë. Me z. Meta dhe z. Bushati, ne kemi diskutuar çështje të kohës dhe kemi shumë mirëkuptim dhe në shumë aspekte, jemi në të njëjtën linjë”, thotë Oryan në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”. Sipas tij, Shqipëria dhe Izraeli ndajnë pak a shumë të njëjtët partnerë ndërkombëtarë dhe shumë nga mendimet ndaj çështjeve në Ballkan. Oryan konfirmon se në dhjetor, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të vizitojë Izraelin dhe se kurioziteti i tij është i madh, sepse “z. Rama duket një person tepër interesant”. Gjithashtu, Oryan thotë se Shqipëria mund të përfitojë shumë nga dëshira e izraelitëve për t’ia dalë mbanë si një nga formulat bazë për të pasur startup-e të suksesshme.


Dan Oryan



  1. Oryan, si ka mundësi që Shqipërinë e keni kaq shumë për zemër?


Shërbej, pak a shumë, prej tri vitesh në postin e drejtuesit të departamentit që merret me Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme të Izraelit. Kam shumë “eksperiencë” (kështu do ta quaja) me miqtë shqiptarë dhe me shqiptarët në përgjithësi dhe me atë që ndodh në këtë vend. Nuk ka dyshim se kur takon shqiptarë dhe shikon qëndrimin e tyre, ne kuptojmë sesa pranë jemi. Që nga fillimi, kur mora këtë detyrë, dëgjova gjëra shumë të rëndësishme për të shkuarën e Shqipërisë, që më bëri të jem pozitiv ndaj këtij vendi. Patjetër që historia e së shkuarës së Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtimi i izraelitëve nga koha e Holokaustit është një fakt që ne e nderojmë. Unë kam shërbyer më parë edhe në Danimarkë. Atje kishte disa shpëtimtarë të izraelitëve, por jo të gjithë shpëtuan. Kam shërbyer në Moskë që është patjetër një histori tjetër. Por kudo ku kam shkuar, gjithmonë qëndrimi i izraelitëve në të shkuarën më ka treguar shumë për atë vend. Kjo është gjëja e parë që më ka bërë përshtypje për Shqipërinë edhe para se të merrja këtë detyrë. Shumë izraelitë e kanë këtë gjë në mendje kur flasin për Shqipërinë. Sa i takon Shqipërisë, unë pata kënaqësinë t’ju takoj juve si një gazetare shumë profesioniste nga Shqipëria. Më parë, kam pasur kënaqësinë të takoja ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, si dhe shumë biznesmenë. Kur i shikon se sa seriozë dhe të gatshëm janë për të bashkëpunuar, por gjithashtu edhe në nivelin personal, më jep gjithmonë ndjenjën se ka shumë për të bërë midis nesh. Secili prej këtyre personaliteteve janë kaq interesante për të biseduar dhe ndjenja që të krijohet është se ne kemi një partner dhe nuk është e lehtë të gjesh një të tillë. Me z. Meta dhe z. Bushati kemi diskutuar çështje të kohës dhe kemi shumë mirëkuptim dhe në shumë aspekte jemi në të njëjtën linjë: ata janë të shqetësuar për radikalizmin islamik, mbështesin hyrjen e Shqipërisë në BE dhe shpresojmë që Shqipëria do të na ndihmojë të jemi më të pranishëm në BE. Dy vendet tona ndajnë pak a shumë të njëjtët partnerë ndërkombëtarë dhe shumë nga mendimet ndaj çështjeve në Ballkan.


Në këtë post të rëndësishëm që ju mbani, çfarë objektivash keni kur vjen puna te vendi ynë?


Unë kam pasur kënaqësinë të takoj edhe Presidentin e Shqipërisë, z. Bujar Nishani, dhe shpresoj ta takoj përsëri. Por shumë shpejt shpresojmë të kemi Kryeministrin Edi Rama në një vizitë tepër të rëndësishme në Izrael. Nga ajo që kam lexuar dhe parë nga burime të ndryshme të hapura, z. Rama duket një person tepër interesant. Pres me padurim ta takoj. Më kanë bërë përshtypje arritjet e tij kur ishte kryetar bashkie i Tiranës, por edhe eksperiencat e tij kulturore dhe ato të karrierës. E di që kjo vizitë është planifikuar në muajin dhjetor. Nga ana tjetër, ne shpresojmë të realizojmë vizitat e disa nga figurave kryesore të Izraelit në Shqipëri vitin tjetër, kur të dyja vendet tona do të festojnë 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.


Si e shikoni sot Izraelin?


Izraeli është një komb i vogël rreth kombeve të tjerë, të cilët janë të ndryshëm. Megjithëse ne përpiqemi të kemi marrëdhënie nga më të mirat me fqinjët tanë, nuk ndodh gjithmonë kështu nga ana e tyre. Por, megjithatë, kur është mundësia, vendi ynë do t’i bëjë të gjitha përpjekjet dhe kompromiset që nevojiten. Ne kemi një marrëveshje paqeje me Egjiptin, Jordaninë, ndërsa kemi disa marrëveshje edhe me Palestinën dhe shpresoj që të arrijmë të tjera për të siguruar një jetë normale.


Si mund ta ndihmojë Shqipërinë vendi juaj, i cili njihet nëpër botë si “kombi i startup”-ve? Madje edhe një libër për këtë çështje u promovua së fundmi në Tiranë.


Mendoj se ne, përveç ekspertëve që mund të japin këshilla të mira, kemi zhvilluar këtu në Izrael disa mekanizma se si të marrësh një ide të mirë dhe ta transformosh atë në një kompani që prezantohet dhe bën shumë para. Kemi zhvilluar inkubatorë dhe akseleratorë, si dhe kurse të veçanta se si të rinjtë me shumë ide të mira mund t’i bëjnë ato realitet dhe se si vendi dhe kompanitë private mund të ndihmojnë. Ju takuat gjatë kësaj vizite në Izrael edhe një të ri izraelit që pati idenë se si të gjente para për biznese të ndryshme edhe pa pasur miq që kanë miliona. Amir Raveh i “New Generation Entrepreneurship” organizon kurse të tilla. Një gjë që unë besoj se mund të mësoni nga Izraeli është dëshira për t’ia dalë. E shoh këtë gjë shumë në këtë vend. E shoh edhe te fëmijët e mi, edhe me kolegët e mi, por sidomos në industrinë e hi-tech, në universitete, accelerators (akseleratorë) e të tjerë. Të gjitha këto përpjekje shkojnë te pyetjet: Se si të mësosh shkencën dhe se si të bësh fëmijët të duan të mësojnë shkencë apo të shkojnë në një nivel tjetër në mësimin e matematikës që nevojitet sot. Për shembull, Oren Faber, një ekspert në çështjet e arsimit, mëson shkencë nëpër shkolla nëpërmjet shfaqjes së filmave. Një aspekt tjetër është që duhet të dëgjosh nevojat e njerëzve. P.sh., disa të rinj patën idenë e mësimit të telefonave celularë nga ana e moshave të treta me anë të një aplikacioni. Pra, pyetjet që duhet të bëni kanë të bëjnë me nevojat e shoqërisë. Të rinjtë, diku te mosha 16 – 17-vjeçare, pyesin prindërit dhe gjyshërit e tyre se çfarë duan ata dhe se çfarë ju nevojiten më shumë. Këtu në Izrael, një herë në javë, të rinjtë shërbejnë si vullnetarë. Kështu, p.sh. të rinjtë shkojnë nëpër azile pleqsh dhe ju mësojnë se si të përdorin celularët që ju vijnë shumë në ndihmë.


Një diplomat shkruan librin e tij të parë për fëmijë. Pjesë e hobit tuaj?


Ky është një hobi im i vogël. Interesi im për librat për fëmijë më lindi rreth 10 vite më parë, kur isha në Danimarkë. Gjithmonë më kanë thënë se kur je në një vend, shiko se ç’kanë vendasit më tepër për zemër dhe përpiqu të krijosh një lidhje me pasionet e tyre. Kështu në Danimarkë, të gjithë merren me sport kudo ku janë dhe janë të pasionuar pas librave për fëmijë. Edhe unë kështu veprova. Dhe mund të them se është argëtim. Si çdo gjë tjetër, edhe ky libër është një kompromis. Sepse në fillim kisha në mendje një libër me 400 faqe, por në fund, realizova një libër të vogël me 24 faqe, me foto të vogla. Dhe libri tregon për një bisedë midis babait dhe djalit të tij. Ky i fundit e pyet babanë e tij se kur kishte qenë i vogël, çfarë kishte dëshiruar të bëhej. Babai i tij kishte shumë ide të mëdha dhe midis tyre ndodh një dialog interesant që nuk po dua t’ua zbuloj lexuesve. Fillimisht libri është botuar në Maqedoni, në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip. Është përkthyer në shqip nga Adelina Marku, dikur një gazetare dhe sot një figurë e rëndësishme në Ministrinë e Jashtme Maqedonase. Shpresoj që ky libër të jetë në Shqipëri së shpejti. Për mua, ky libër ishte një sukses kur doli në gjuhën arabe një vit më parë, sepse si një diplomat izraelit, përpiqem gjithë kohës të ndërtojmë ura bashkëpunimi me fqinjët tanë. Dhe fëmijët gjithnjë të afrojnë më pranë.


Si hytë në rrugën e diplomacisë?


Marsin tjetër mbush 50 vjeç. Gruaja ime, Sheron, punon në Ministrinë e Drejtësisë, ajo është një juriste. Dhe ne kemi tre djem. Më i madhi është ushtar, është vetëm 19 vjeç. Ai vepron si ndihmësmjek në ushtri. Me thënë të drejtën hyra në diplomaci rastësisht. Shpresoja të bëhesha një përkthyer ndërkombëtar dhe doja të shkoja në Gjenevë ku është një shkollë për përkthyesit. Ndërkohë shokët e mi po kalonin testet në shkollën e kadetëve për t’u bërë pjesë e shërbimit të jashtëm. Kalova testin e parë, të dytin e kështu me radhë, u caktova në Moskë, pastaj në Danimarkë. Sot jam 50 vjeç dhe kam “ngecur”. Çfarë të bëj? Sidomos kur kam këtu të ftuar nga Shqipëria, jam shumë i kënaqur. Unë shpresoj se ju u kënaqët nga kjo vizitë në Izrael dhe uroj t’ju takoj së shpejti në Shqipëri.


Edhe diçka të fundit. Ju dalloheni edhe për “hedhjen diplomatike” …


Ëndrra ime më e madhe ka qenë të bëhesha kampion bote në gjimnastikë. Por ende e kam këtë ëndërr, vazhdoj të praktikohem. Në makinë mbaj kostumin e gjimnastikës dhe sa herë kam mundësi, praktikohem derisa nuk kam fuqi më të eci. Në këtë kontekst, mund të them se po bëj një projekt që quhet “hedhja diplomatike”. Me anë të kësaj hedhjeje, unë promovoj vendet që vizitoj. Edhe në Shqipëri, do ta realizoj “hedhjen” time.