Regjisori i njohur, Kristaq Mitro, tregoi për herë të parë në “E diell” në “Top Channel”, ekzistencën e një filmi artistik kushtuar diktatorit Enver Hoxha


Gati tri dekada nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha, regjisori Kristaq Mitro deklaroi për herë të parë mbi ekzistencën e një filmi artistik kushtuar figurës së udhëheqësit komunist. I ftuar në rubrikën “Emocione” në “E diell” në “Top Channel”, përballë Alban Dudushit, regjisori Mitro tregoi sesi bashkë me regjisorin Ibrahim Muçaj dhe skenaristin Vath Koreshi kishin realizuar në vitin 1985 menjëherë pas ndarjes nga jeta të Hoxhës një film artistik mbi figurën e tij. “Ne po realizonim premierën e filmit “Duaje emrin tënd” më 6 prill në Pogradec dhe po na nxitonin për të bërë premierën. Siç duket në Tiranë po përgatiteshin për atë çfarë po ndodhte”, tha regjisori Mitro. Kur lanë Pogradecin dhe erdhën në kryeqytet, ata do të mësonin mbi gjendjen e rëndë të diktatorit i cili u nda nga jeta më 11 prill të atij viti. “Një ditë takoj Vath Koreshin në rrugë, e më thotë se na ka thirrur në zyrë drejtori. Përse na ka thirrur, e pyeta. As unë nuk e di, më tha. Më duket se dinte diçka, por nuk e tha duke e lënë të na e thoshte drejtori. Kur shkuam në drejtori, na thanë se ishim zgjedhur të bënim një film artistik për Enver Hoxhë”, thotë Mitro. Menjëherë pas këtij takimi, ata do të nisnin punën për ta realizuar brenda një viti, që filmi të shfaqej në njëvjetorin e vdekjes. Deri atëherë kishte pasur dokumentare, apo kronika mbi jetën e tij, por jo një film artistik. “Vathi ishte një njeri shumë komunikues. Nisëm nga puna, Vathi si skenarist dhe unë me Ibrahimin si regjisorë. Na u vendosën dy drejtorë dhe një grup pune në dispozicion në mënyrë që filmi të përfundonte brenda afatit. Pasi realizuam skenarin nisëm punën”, tha Mitro. Aktori kryesor në këtë film ishte Ndriçim Xhepa. “Xhepa luante rolin e regjisorit të filmit, pasi filmi ishte konceptuar si një film brenda filmit. Enver Hoxha ishte gjithnjë në kronikë, por mënyra sesi ishte ndërtuar ai, ishte gjithnjë i pranishëm, dukej sikur çdo moment po xhirohej. Gjithçka ishte xhiruar në atë mënyrë sa edhe operatori Agim Shuka dukej sikur po xhironte në momentin kur ndodhi vdekja dhe ishte aty para arkivolit”, thotë Mitro. Filmi do të realizohej brenda 11 prillit të vitit 1986 dhe do të shfaqej ashtu siç ishte zakon për herë të parë për kolektivin. “Erdhën për ta parë filmin Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia. Pasi mbaroi filmi u ngjitëm lart në drejtori dhe ndërkohë pasi u thanë disa fjalë për përmirësime që duheshin në film, Nexhmija doli nga dera në një mënyrë që dukej si e revoltuar. Më kujtohet si tani ikja e saj duke ecur në këmbë në oborrin e Kinostudios deri sa u fut në makinë”, tha Mitro. Të nesërmen do të vinin vërejtjet me shkrim të cilat do t’i korrigjonim në film, por kjo nuk do ta ndryshonte fatin e filmit, pasi ai nuk u shfaq kurrë për publikun. Me humor Mitro tregoi sesi Vath Koreshi i thoshte gjithnjë se ne e bëmë filmin dhe na e shitëm e nuk fituam asgjë. Sipas regjisorit, kopja e filmit ndodhet në Arkivin e Filmit, ndërkohë që pas viteve ’90 filmi është kopjuar dhe është ndarë kudo.