Laura Bispuri/ Regjisorja italiane tregon rrugëtimin e saj në historinë e “burrneshave” shqiptare. Filmi pati premierën dje në hapje të edicionit XII të Tirana Film Festival


 


LauraLaura Bispuri, regjisorja italiane e filmit “Burrnesha”, vjen në Tiranë për premierën e filmit të suksesshëm ndërkombëtarisht që në qendër ka një histori shqiptare. Në një intervistë për emisionin “Top Show” ajo tregoi sekretin e suksesit. Një film për të është i tillë nëse i trondit botën e brendshme.


Është filmi juaj i parë me metrazh të gjatë. Është gjykuar nga kritika si “Film Fizik”. Pse zgjodhët një histori shqiptare për të kaluar në një nivel tjetër profesional?


U pasionova menjëherë pasi lexova librin e Elvira Dones. Pika e fillimit të kësaj aventure që zgjati shumë kohë, lindi pikërisht me leximin e këtij libri. Më pëlqen shumë përkufizimi “Film Fizik” që i është bërë filmit “Burrnesha”, sepse ka të bëjë me zgjedhjen e gjuhës kinematografike. Edhe në film trajtohet mbi të gjitha tema e “fizikes”, tema e “trupit”. Zgjodha këtë histori shqiptare sepse historia e virgjëreshave të përbetuara i përket vetëm Shqipërisë ose le të themi maleve të Shqipërisë ose atyre afër Shqipërisë. Dhe menjëherë u dashurova me këtë histori, me këtë personazh. Ndjeva së brendshmi që në këtë histori, në një vend kaq të përqendruar, kaq të vogël, brenda saj kishte elemente universale, bashkëkohore. Pasi ndjeva gjithë këtë, vendosa të studioja Shqipërinë, u përpoqa të hyja në këtë kulturë për të cilën dija pak, por që më pasionoi rrëmbyeshëm. Kështu që studiova materiale dhe e jetova mbi të gjitha si përvojë direkte.


Gjatë aventurës drejt filmit, a je këshilluar me autoren e librit?


Me Elvirën kemi qenë në një kontakt të vazhdueshëm qysh prej fillimit dhe gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë, kam pasur bashkëbisedim të shpeshtë me të.


Laura-1Pasi pashë filmin, kuptova që kishit punuar shumë me emocionet. Pak dialogë dhe shumë gjuhë trupi. Në fakt, sipas meje, edhe po të mos ishin fare dialogët, emocioni do të përcillej po njësoj. Ishte zgjidhje dhe zgjedhje teknike profesionale, apo për shkak se Alba, nuk dinte gjuhën shqip?


Jo, jo. Alba në momentin që nisi të studionte gjuhën shqipe, mund të studionte më pak ose më shumë. Procesi kishte nisur tashmë, kështu që pengesa gjuhësore nuk ishte absolutisht frenuese për këtë zgjedhje dhe zgjidhje. Alba, përveçse batutave të filmit, kishte nisur të mësonte edhe të improvizonte pak, kështu që nuk ishte kjo arsyeja. Është menduar dhe shkruar që në fillim në këtë mënyrë; me dialogë të thatë që kur vijnë, kanë vërtet kuptim. Ideja ishte të punohej me emotivitetin, ashtu si thua ti. Është një film që tregon të brendshmen e personazhit, përpos të jashtmen e tij. Përveç transformimit burrë-grua, tregon udhëtimin e brendshëm. Kështu që kur ke të bësh me të brendshmen, patjetër që ke të bësh me emotivitetin. Kur më pyesin se çfarë dua te kinemaja, çfarë dua te një film, në fund, kur e mendoj përgjigjem: një film më pëlqen kur më sposton së brendshmi, më ndryshon gjendjen emotive. Sigurisht edhe pjesën reflektive brenda meje. Kështu që kur duhet të bëj unë një film, duhet të jap si reflektimet intelektuale, ashtu edhe zhvendosjet e brendshme.


Sabina Veizaj