Violinistja Ervis Gega Dodi në një rrëfim për karrierën, ikjen nga Shqipëria dhe jetën në Gjermani


Rudina HOXHA


Ervis GegaViolina është gjithçka në jetën e Ervis Gega Dodit. Me një karrierë të gjatë në këtë instrument, ajo është sot një nga artistet më të suksesshme, duke interpretuar në shumë skena ndërkombëtare. Vetëm pak ditë më parë, me rastin e festave të pavarësisë së bashku me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në Landin e Rhenanisë Veriore-Veshtfalisë, zonjën Anduena Stephan, përgatitën një aktivitet të gjerë, të një natyre siç nuk është organizuar më parë në Gjermani, për nder të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ervis jeton në Bon të Gjermanisë bashkë me familjen e saj.


Sa vite në skenë tashmë? Si do ta përshkruanit karrierën tuaj në këtë pikë? Çfarë ka ndryshuar ose çfarë prisni të ndryshojë?


Emocionet e para në skenë i kam përjetuar në moshën katërvjeçare. Po natyrisht, karriera ime nisi pas ardhjes në Perëndim, në moshën 16-vjeçare. Meqenëse unë tani jam 41 vjeç, mund të them se në skenë debutoj prej 37 vjetësh. Ose 25 vjetësh, si ta shohësh. Për sa i përket karrierës sime deri tani mund të them me plot gojën që është një karrierë e shumanshme. Kjo në përputhje me dëshirën time të hershme, që jo vetëm të debutoj si soliste, por edhe që dijet dhe mjeshtërinë muzikore t’ua përcjell të tjerëve. Ndjek prej jo më pak se 15 viteve një karrierë paralele: si soliste, si pedagoge studentësh dhe si Koncertmaestre në Filarmoninë Klasike të Bonn-it, ku edhe jetoj së bashku me familjen time. Për sa i përket pyetjes suaj se çfarë pres të ndryshoj … mund të shtoj vetëm se dëshiroj që ky trekëndësh që po ndjek me sukses prej 15 vitesh, të vazhdojë edhe për shumë vite po me këtë intensitet që kam tani.


Në tetor, ju ishit në Kinë për të përfaqësuar Gjermaninë në kuadrin e komunikimit kulturor midis Gjermanisë dhe Kinës. Si do ta përkufizonit një mundësi të tillë midis shumë të tillave që keni pasur?


Landi apo Republika Gjermane e Rheinland-Pfalzit, ku unë jap mësim, më zgjodhi ta përfaqësoj në një turne dyjavor, pjesë e partneritetit me një rajon të Kinës. Sekretari i shtetit, Walter Schumacher, dhe një delegacion politik, më shoqëruan në këtë turne. U ndjeva natyrisht shumë e privilegjuar për këtë zgjedhje që bënë dhe e lumtur për udhëtimin, pasi këtë radhë luajta përveçse në Pekin e në Shanghai, edhe në qytete e salla të tjera, ku nuk kisha qenë më parë. Kultura aziatike vërtet më mrekullon. Zhvillimi ekonomik i dekadave të fundit në Kinë ka bërë që kinezët të ndërtojnë edhe salla koncertesh shumë madhështore: të bukura optikisht dhe të mrekullueshme për sa i përket akustikës. Interesi për instrumentistë të njohur nga Europa në Kinë është shumë i madh. Kjo, megjithëse mikpritësit tanë bëjnë një investim shumë të madh te fëmijët e tyre, të cilëve u mësojnë një instrument muzikor që në moshë shumë të vogël.


Ju ishin në qendër të një artikulli të analistit të njohur Fred Abrahams, në revistën më prestigjioze të Gjermanisë, “Der Spiegel”. Si ishte për ju të ktheheshit shumë vite në kohë e të kujtonit historinë e jetës suaj? A e keni vuajtur imazhin e Shqipërisë gjatë rrugës suaj drejt suksesit në Gjermani?


Ishte hera e parë që unë u intervistova nga revista e famshme “Der Spiegel”, për historinë e ikjes së familjes sime dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë nga Shqipëria, përmes hyrjes në ambasadat e huaja në Tiranë. Sivjet ishte 25-vjetori i kësaj historie aq të dhembshme, po edhe të bukur. Njohja ime me zotin Abrahams ishte rastësore. Ishte një takim që do të mbetet gjithmonë mbresëlënës për mua, takimi me analistin dhe veprimtarin e njohur Fred Abrahams, si dhe me ish-ambasadorin e RFGJ-së të asaj kohe në Shqipëri, zotin Werner Daum, nga i cili mësova edhe shumë histori dhe dialogë sekretë të atyre ditëve. Meqenëse unë në Gjermani jam person publik dhe zoti Abrahams sapo kishte botuar librin “The Modern Albania”, i cili po përkthehet edhe në shqip, në këtë përvjetor të kësaj historie të rëndësishme jo vetëm për popullin shqiptar, ai më intervistoi për “Spiegelin”, për të rikthyer dhe përkujtuar për popullin gjerman edhe njëherë kthesën e madhe politike dhe thyerjen e përhershme të diktaturës më të ashpër komuniste në botë. Kanë kaluar 25 vjet që atëherë dhe unë kam qenë në një moshë fare të re. Por, megjithatë hyrja, natën e 9 korrikut në ambasadën gjermane dhe largimi nga Shqipëria për mua do të mbeten gjithmonë të paharruara. Kthimi pas në kohë dhe ritregimi i gjithë historisë së atyre ditëve për zotin Abrahams ishte shumë prekës emocionalisht. Ishte hera e parë që flisja në mënyrë kaq të detajuar për ato ditë e nuk dua të zgjatem më për këtë çështje. Dua të kujtoj vetëm fjalinë time mbyllëse të intervistës: “Shqipëria është për mua e pazëvendësueshme, sepse është vendi ku kam lindur dhe kaluar një pjesë të jetës sime, por Gjermania është shtëpia ime”.


Si mund të ndihet një femër si ju e realizuar në kaq shumë drejtime: vetë me një karrierë të suksesshme, burri juaj, Auron Dodi, është bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë gjermane, gjithashtu person i njohur, vëllai juaj, Gersi Gega, tashmë drejtor i departamentit të ekonomisë në qytetin e Mainzit?


Natyrisht ndihem shumë e lumtur dhe krenare. Në themel të të gjitha këtyre sukseseve janë jo vetëm aftësi të veçanta, por edhe shumë punë. Një nga gjërat për të cilat e çmoj lart Gjermaninë është mundësia që u jep talenteve dhe më të aftëve për të ecur përpara dhe për të zënë një vend me prestigj në shoqëri. Të gjithëve këtu u jepet një mundësi e tillë, pastaj varet nga njerëzit se çfarë bëjnë ata me atë që u ofrohet.


Si e shikoni dramën e shumë refugjatëve jo vetëm shqiptarë që po synojnë një jetë më të mirë në tokën gjermane? A ju kanë bërë këto ngjarje më të ndjeshme për aktivitete të bamirësisë?  


Dramën e refugjatëve nga të gjitha vendet e botës e kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek me shumë interes. Më prekin shumë gjithë këto lëvizje masive njerëzish, që vënë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre në rrezik. Duke qenë se e kam përjetuar edhe vetë këtë gjë, e kuptoj shumë mirë që njeriu vetëm kur nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër e vë jetën në rrezik. Refugjatët e ardhur kanë arsye të ndryshme. Tmerrohem kur dëgjoj tregimet e sirianëve se si bombardohen. Po njëkohësisht është shumë e dhembshme të shohësh familje të tëra shqiptare që shpërngulen nga Shqipëria, sepse s’kanë bukë të hanë. Ajo që më shokon është se po flasim 25 vjet pas regjimit të egër komunist. Në Shqipëri pllakos papunësia dhe varfëria. Për mua personalisht është e rëndë ta pranoj, pas 25 vjetëve zhvillim të Shqipërisë në demokraci.


Gjithmonë duket se ju gjeni diçka të re në çdo koncert që realizoni? Cili është sekreti? 


Mendoj se është repertori që luaj. Mundohem që gjithmonë ta alternoj, po dua të theksoj edhe diçka që për muzikantët është e qartë, por është më pak e qartë për publikun jo profesionist. Instrumentisti është interpretues i momentit. Ai jeton për atë moment kur interpreton dhe në atë moment. Në artet e tjera, si piktura apo letërsia, piktori apo shkrimtari e hedh mendimin në letër dhe kur nuk i pëlqen, e korrigjon apo e prish dhe e ripikturon. Te ne instrumentistët luan rol vetëm sekonda apo momenti. Dhe momentet janë gjithmonë të reja, sepse gjithçka në jetë ecën më tej, nuk mbetet e pandryshuar në vend. Edhe ti vetë në rrjedhën e momenteve je i ndryshëm. Interpretimin ti e bën në atë moment dhe gjithçka mbaron, mbetet ajo që ti jep atë moment. Prandaj jeta e instrumentistit është jo vetëm e bukur, por edhe më e vështirë se e arteve të tjera.


Cili ka qenë koncerti më i bukur që keni luajtur deri më sot dhe pse?


Për mua të gjitha koncertet kanë bukurinë e tyre, pasi në çdo koncert ndihem ndryshe. Tjetër sallë, tjetër partner në skenë, tjetër orkestër, tjetër publik. Çdo sallë e ka akustikën ndryshe, çdo orkestër ka një tingull të ndryshëm, çdo dirigjent të drejton ndryshe apo komunikon emocionalisht ndryshe, prandaj çdo koncert është i veçantë nga tjetri.


Kush jua dizajnon veshjet tuaja? Cilat janë preferencat kur vjen puna te moda?


Sa për veshjet e koncertit, ato i zgjedh në bazë të materialit dhe të prerjes. Shumica e fustaneve të mia të koncertit janë Giorgio Armani, kurse preferencat e mia në veshjet e përditshme janë shumë të qarta. Moda në kuptimin e gjerë më ka interesuar gjithmonë, si gjithë femrave dhe shpenzoj shumë për veshjet. Preferoj veshjet klasike të drejtimit sportiv. Në gardërobën time të përditshme ka veshje të Ralph Lauren, Armani, Burberry, kurse nga çantat më pëlqejnë Prada dhe Miu Miu. Për çantat dhe këpucët kam interes të veçantë.


Si është jeta juaj jashtë skenës? Ku e gjeni kohën për familjen tuaj?


Mund të them që një ditë imja është gjithmonë shumë e ndryshme nga tjetra. Kjo kërkon prej meje menaxhim shumë të mirë. Unë vërtet udhëtoj shumë dhe jam në lëvizje, po ka edhe shumë ditë që zgjedh të rri vetëm në shtëpi dhe të jem vetëm për familjen time. Kështu është e ndërtuar jeta jonë familjare. Edhe unë dhe im shoq kemi profesione që na kërkojnë herë pas here të jemi në udhëtim. Djali ynë e di gjithmonë që në fillim të muajit se kur do të jemi së bashku dhe është përshtatur shumë mirë me këtë model. Kaloj shumë kohë me të dhe shpesh e marr me vete edhe në turne. Dua të theksoj se për mua jeta familjare ka po aq rëndësi sa ajo artistike dhe për këtë mundohem gjithmonë t’i vë në një balancë të shëndoshë.