Me Namik Prizrenin, piktorin e parë të filmave shqiptarë…
Ngjyrën që Paul Gauguin e vendoste në telajot që realizoi në Tahiti, e sheh në kollaren vendosur bri një këmishe me të kaltër të lehtë, që Namik Prizreni ka veshur këtë paradite maji. Ecën ngadalë, sikur mbart bashkë me lëvizjet një kohë të tërë impresionizmin që ashtu si në Francë, u zhvillua heshturazi në Shqipërinë komuniste. Gauguin mbylli sytë herët në moshën 54-vjeçare, duke lënë pas një model arti që do të kthehej në frymëzim për dekada të tëra. Simbolizmi që gjendet lehtë në pikturat apo skulpturat e tij do të ishte arma me të cilën shpesh do t’u shpëtonin dhe regjimeve të egra diktatoriale artistë të ndryshëm. Kaq vite pas asaj periudhe Namik Prizreni një nga piktorët e parë të filmit në ish-Kinostudio, kujton se simboli ka qenë shpesh një detaj që nuk u ka munguar veprave të tij. Një detaj që i vendosur me kujdes shpesh ka shprehur gjithë botëkuptimin e një artisti i cili kërkonte ta shihte ndryshe jetën, dhe pse në socializëm. Dyshemeja e lyer me të kuqe, duke provokuar me ngjyrën e komunizmit, teksa përgatitej të realizonte imazhet që do të bënin filmin “Balada e Kurbinit”, kujtohet ende nga grupi i xhirimit, të sjell në mendje imazhin e një artisti modernist, i cili kërkonte t’u jepte gjuhë ngjyrave. Por bluja është ngjyra e tij e preferuar, për të cilën mund të flasë gjatë, për vetë hapësirën që të jep. Në historinë e kinematografisë shqiptare para viteve ’90, emri i Namik Prizrenit është i lidhur fort me historinë e kinemasë. Gati gjysmëshekulli punë në ish-industrinë e filmit shqiptar Prizreni ka dhënë një kontribut në ndërtimin e një modeli mbi pikturën e filmit. Por me modestinë e një brezi që i pëlqen të flasë më shumë përmes punës, atij nuk i pëlqen të flasë shumë për veten. I lindur në Tiranë më 1936, piktura do të ishte më shumë se një pasion në jetën e Prizrenit. Pas përfundimit të Liceut Artistik për pikturë, ai do të nisej për në Çeki ku do të studionte për “piktor filmi” për gati dy vjet. Sot kur e kujton atë udhëtim të përzier me kuriozitetin e asaj që e priste, ai thotë se e vetmja gjë që dinte ishte se do të studionte kinematografi. Por Çekia do të ndryshonte dimensionin artistik të të riut shqiptar, i cili do të kthehej prej andej më i formuar. Menjëherë pas kthimit në Tiranë, ai do të niste punë në ish-kinostudio për të qenë pjesë e grupit të parë të punës që do të realizonte filmin e parë artistik me metrazh të gjatë shqiptar “Tana”. Ishte viti 1958, dhe ky film do të ishte prodhimi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, premiera e të cilit do të ishte më 17 gusht të atij viti. Nën regjinë e Kristaq Dhamos, ky film ishte më shumë se një provë për të gjithë stafin realizues. Nën skenarin e Nasho Jorgaqit, Kristaq Dhamos e Fatmir Gjatës, në të do të pasqyroheshin ngjarjet e viteve ’50, jeta e Tanës, një vajze të zgjuar me mendime të përparuara e cila bie në dashuri me Stefanin, e cila duhet të përballet me mentalitetin e vjetër të fshatit. Gjithë kjo lojë dashurie që mbart filmi, do të vinte e pasqyruar përmes pikturave të Prizrenit. Në atë kohë ishte vetëm 22 vjeç dhe do të vendoste gjithë përkushtimin e tij në realizimin e një tabloje të vërtetë të kohës, duke e bërë Tanën një film që do të mbetet gjatë në memorien tonë historike. “Ishte hera e parë që bëheshin skena për filmin dhe kjo nuk ishte e lehtë. Nuk e mbaj mend sasinë e dekoreve që kemi prodhuar, një pjesë e të cilave as nuk u vendosën fare në film. Ishte mungesa e eksperiencës dhe ne donim që të ishim të sigurt”, kujton Prizreni. Ky film do të ishte sprova e parë në kinematografi e Prizrenit, i cili do të kthehej në një nga emrat më të rëndësishëm të filmit shqiptar ndër vite. Më shumë se 20 filma mbajnë firmën e tij si piktor filmi, një pjesë e të cilave janë më se të njohura për publikun. Prizreni jo vetëm ishte i ri në këtë terren pothuajse të palëvruar në një kinematografi që ishte në fillesa, por i duhej të ndërtonte i vetëm strukturën e një arti pothuajse të panjohur në vend. E në gjithë këtë punë, ai duhej të ishte vetëm. “Piktori i filmit ka një jetë krejt tjetër nga grupi i xhirimit të filmit. Në kohën kur grupi është në aktivitete apo xhirime, piktori është në studio duke përgatitur dekorin”, kujton Prizreni. Pavarësisht se imagjinata e një artisti është gjithnjë në krijim, atij i duhej t’u përmbahej rregullave të soc-realizmit. Por skematizmi që ndihet në artin e asaj periudhe, mbart vlera të rralla në kompozicion dhe ndërtim, çka e bën artin e asaj periudhe ende një kohë që ka shumë për t’u hulumtuar nga studiuesit, për vetë emocionin që përcjellë. Te çdo film, Prizreni ka lënë një pjesë të vetes së tij, orë të tëra pune krijuese apo kujtime të cilat i shfaqen shpesh sa herë sheh në ekran një punë të tijën. Për punën në filmat “Lulëkuqe mbi mure”, “Plagë të vjetra”, “Ballë përballë”, “Balada e Kurbinit”, etj., ai është nderuar me çmime të para, në festivalet kombëtare të filmit, të organizuara nga Kinostudioja. Në vlerësim të kësaj pune, në vitin 1979 do t’i jepet titulli “Artist i merituar”. Krahas punës në kinematografi, Prizreni ka dhënë kontribut në kompozimin e një sërë serish të pullave postare dhe për 30 vjet me radhë ka realizuar një numër të madh serish filatelike (40 emisione me 250 pamje). Ai ka kompozuar monedhat metalike të Lekut Shqiptar të cilat vazhdojnë të jenë në përdorim, si dhe së fundi ka kompozuar koleksione numizmatike përkujtimore për Bankën e Shqipërisë. Një tjetër gjini ku Prizreni është ndalur gjatë karrierës së tij është dhe grafika. Ai i ka dhënë jetë një sërë veprash grafike kryesisht pllakate të filmave ku ka qenë vetë edhe piktor, por edhe pllakata e stema për ngjarje të rëndësishme të kohës, të cilat kanë qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme, të vlerësuara dhe me çmime. Pas përfundimit të filmit ai kujton se ishte piktori i filmit ai që ngarkohej të realizonte atë që sot quhet poster, apo Baner i filmit. Në pllakadë, ai duhet të vendoste elementët kryesorë që mbartte historia në film, për ta bërë sa më të prekshëm për syrin e shikuesve. Por grafika ka qenë një gjini të cilën Prizreni e ka dashur herët. Janë pafund imazhet e krijuara në kohë, përmes së cilave ka shprehur gjendje të ndryshme. Ai është ndër të paktët artistë shqiptarë që fund të viteve ’50 u prezantuan me punët e tyre jashtë Shqipërisë. Në vitet 1957-1958 Prizreni ka qenë pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme pikture edhe në rang ndërkombëtar si në Bienalen e Aleksandrisë 1957-1958, ku është vlerësuar me medalje dhe më 23 mars 1966 ka hapur dhe ekspozitën e tij personale. Gjithë jeta e Prizrenit është një udhëtim mes ngjyrash, shpesh jo në kohë të mira për vetë periudhën ku iu desh të ndërtonte karrierën, por një jetë e ndarë mes pasionit për artin. Një jetë ku ngjyrat i dashuroi ashtu në heshtje dhe me zgjuarsinë e një artisti i vendosi ato në personazhet që veshi, që ashtu përmes atij ekrani bardhezi, frymëzuan mijëra njerëz nën diktaturë…Një impresionist, i cili ndryshe nga gjithë ata që e përqafuan këtë rrymë, sfidoi me vepra një epokë…
A.Bardhyli