Me Mario Ashikun / Historia e një aktori që iu desh ta linte Tiranën për vite me radhë. Turneu në Prishtinë më 1971-shin dhe dhurata e Ali Podrimes …
Mario Ashiku
Mario Ashiku ruan ende portretin e një burri të pashëm që vitet nuk kanë mundur t’ia fshehin. Në vështrimin blu, ai mban gjithë kujtimet e një jete jo të lehtë, me të cilën u përball si artist gjatë regjimit komunist. Dukej sikur fati e kishte parashtruar lidhjen e tij me teatrin dhe filmin para se të niste studimet për aktrim. Në kohën e bashkëpunimeve shqiptaro-ruse, regjisori Juri Ozerov do të pikaste talentin e të riut me një trup të gjatë dhe të pashëm. Ai do të interpretonte te “Fortuna”, përkrah aktorëve si Naim Frashëri, Lazër Filipi, Ndrek Luca, Liza Vorfi etj. Filmi përpiqet të tregojë një epope të Luftës Nacionalçlirimtare. Nis me pushimin fashist dhe përfundon me çlirimin e Shqipërisë. Ashiku interpreton në këtë film rolin e Benit, i cili është një ndër personazhet që bashkë me Zanën (aktorja ruse Ariadna Shengelava) veprojnë në situata të ndryshme në legalitet, në burg e më pas në mal, ku dashuria e tyre triumfon. Kohët në Rusi, gjatë xhirimeve të këtij filmi, kanë mbetur ende në memorien e Marios, si kohë të bukura që vijnë vetëm një herë në jetë. Janë shumë kujtime që e çojnë në ato rrugica apo hotelin ku iu desh të jetonte për gati katër muaj … Djaloshi nga Shkodra do të ndiente për herë të parë në këtë vend lidhjen që do të ishte e pashmangshme më vonë në jetën e tij me artin. Në vitin 1959, ai kthehet në Shqipëri, për të mos u kthyer më asnjëherë në Rusi. Tashmë që kohët kanë ndryshuar dhe mjafton një biletë avioni për të mbërritur në Shën Petërburg, Mario nuk ka dashur ta bëjë një udhëtim të tillë. Ai kërkon ta ruajë ashtu Rusinë si një fotografi bardhezi mbushur plot emocione, të cilën nuk do të donte t’ia ndryshonte kuptimin me të papriturat që mund të sillte një udhëtim i ri. “Isha vetëm 20 vjeç kur udhëtova në Rusi dhe dua ta ruaj ashtu atë kujtim, me ndodhitë që jetova në atë periudhë”, thotë Ashiku. Pas kthimit nga Rusia, Ashiku nisi studimet në Akademinë e Arteve për dramë, e menjëherë pas diplomimit u bë aktor i Teatrit Kombëtar. Janë një mori rolesh që ai ka interpretuar në teatër, krahas punës si pedagog në Akademinë e Arteve. Një nga ngjarjet që nuk është shlyer nga kujtesa nga ajo periudhë është udhëtimi drejt Kosovës më 1971-shin bashkë me një grup nga teatri për të ngjitur në skenën e Teatrit të Kosovës dramën “Cuca e Maleve”, dramën e Loni Papës. 13 ditët e kaluara në Prishtinë dhe vizitat në qytete të tjera të Kosovës do të ishin më shumë se emocionuese për aktorët shqiptarë. Mario kujton pritjen e ngrohtë dhe duartrokitjet e publikut në Kosovë për këtë vepër. Një moment që nuk do ta harroj asnjëherë është shkrimi që Ali Podrimja, atëherë gazetar, bëri për shfaqjen, duke nënvizuar për Marion fjalinë “një aktor jo i zakonshëm”. “Duke dalë nga hoteli ku qëndronim, më thotë aktorja Esma Agolli, sesa ishte Ali Podrimja këtu të kërkonte.” Poeti i kishte lënë bashkë me gazetën ku ishte shkrimi mbi shfaqjen edhe një kravatë dhuratë. Kur do të takoheshin pas disa ditësh, ai do ta pyeste: A të pëlqeu kravata? Duke qenë se në Shqipëri ishte komunizëm dhe gjërat plot ngjyra të modës nuk lejoheshin, Podrimja i kishte bërë dhuratë një kravatë që s’ishte e modës, por të cilën mund ta përdorte në Tiranë. Kosova ishte një ngjarje e bukur jo vetëm për Ashikun, por për të gjithë trupën e aktorëve dhe regjisorëve që ishin bashkë me të në atë turne. Pas shtatë viteve të kaluara në teatër, Ashiku do të kalonte si pedagog në Akademinë e Arteve deri në vitin 1975, ku do të qarkullonte për në Pogradec. Ashtu si shumë personazhe të njohura të artit ai s’mundi t’i shpëtonte dot censurës së kohës. Largimi nga Tirana do të ishte i trishtë për pedagogun e përkushtuar, i cili tashmë do të vendosej përballë një tjetër sfide. Për 11 vjet, ai do të punojë si regjisor në Estradën e qytetit të Pogradecit, duke i dhënë jetë artit teatror të këtij qyteti. Një nga miqtë e tij më të mirë në atë qytet do të ishte poeti Lasgush Poradeci. Janë të shumta kujtimet nga miqësia me Lasgushin në ato kohë jo të mira të jetës. Një intervistë filmike që ekziston nga Lasgushi është falë këmbënguljes së Marios, pasi atij nuk i pëlqente të ishte protagonist. Në qytetin bri liqenit, Mario Ashiku u përpoq të ruante marrëdhënien e tij me artin dhe të mos dorëzohej. Ky ishte një ndëshkim që i kishin dhënë, por ai përpiqej ta shihte si një mundësi për ta vazhduar raportin me artin në një tjetër dimension. Në vitin 1986, ai do të shpërngulet për në teatrin e qytetit të Durrësit si regjisor, ku do të qëndrojë për tetë vite deri sa doli në pension. Por miku i tij, regjisori Kujtim Spahivogli, e dinte se ishte tepër herët që ai të bënte jetën e një pensionisti, duke i kërkuar që të angazhohej si pedagog në Akademinë e Arteve. Pedagogjia është arti më i bukur në jetën e Mario Ashikut, një art që u ka dhënë shumë nxënësve që kanë dalë prej tij që sot janë emra të njohur të ekranit. Mënyra sesi ai flet për pedagogjinë mbart jo vetëm përgjegjësinë e këtij profesioni, por dhe një dashuri me të cilën i është përkushtuar. Por, pavarësisht sesi fati u soll me të, Mario Ashiku kujtohet sot për një mori rolesh në kinematografi. Pas filmit “Fortuna” ai interpretoi në vitin 1961 rolin e Astritit te filmi “Debatiku”. Ai do të jetë Leka te “Toka jonë” më 1964-n, Ndre Gjetani te “Komisari i dritës” më 1966-n, Z. Maluka tek “Agimet e stinës së madhe” më 1981, Shpend Dragobia te “Nëntori i dytë” 1982, Veseli te “Gracka”, Princi te “Të paftuarit” 1985, komandanti gjerman te “Tre njerëz me guna”, profesor Kallmi tek “Asgjë nuk harrohet” etj. Me një jetë të trazuar gjatë sistemit të kaluar, Mario Ashiku ka mundur të ruajë një dritë brenda tij, që e bën sot të kujtojë bukur të shkuarën dhe kur gjen kohë jo të bukura në të
a.b.