Dokumentet/Kompozitori i njohur amerikan, Claude Capham, kërkesë mbretit Zog për të kompozuar një opera shqiptare


Alda Bardhyli



“Princesha Maxhide ishte si një muzikë.” Claude Capham, kompozitori i njohur amerikan, do ta kujtonte gjatë takimin me princeshat shqiptare, sidomos fytyrën e ëmbël të princeshës së vogël Maxhide. Në hollin e operës, ato dukeshin kaq elegante teksa flisnin për muzikën dhe vendin e tyre, Shqipërinë. Ishte një vend shumë pak i njohur për patriarkun e dikurshëm të muzikës klasike, por pasioni që këto tri femra kishin në rrëfimet e tyre, e bënë të shfletonte libra e të lexonte më shumë për të. Më 21 prill 1938, vetëm dy muaj nga takimi me princeshat, Claude Capham ulet në studion e tij dhe i shkruan një letër mbretit të shqiptarëve Zog, ku i kërkon të kompozojë diçka për muzikën shqiptare. “Lartësia Juaj! Amerika e admiron pa masë vendin tuaj, Shqipërinë, dhe pse është shumë pak i njohur. Pata nderin të takohesha me motrat tuaja të bukura, dhe pas këtij takimi më lindi dëshira për të kompozuar një opera shqiptare për panairin botëror që do të mbahet në Nju Jork. Pesë vite më parë, në bashkëpunim me poetët japonezë, unë kompozova operën e parë në historinë japoneze, shkruar në gjuhën e tyre, e më pas kalova disa vite në Orient. Po mendoja pse të mos e përsëris këtë histori me operën shqiptare, në bashkëpunim me poetë të njohur shqiptarë dhe libretistë? Falë kompozimit tim, e bëra muzikën japoneze shumë të suksesshme në Europë. Pse mos ta bëj këtë gjë dhe me muzikën shqiptare? Do të isha shumë i lumtur të njihesha me mendimin tuaj për këtë? Duke ju përcjellë urimet më të mira për ju dhe motrat tuaja të dashura, veçanërisht për princeshën Maxhide?”, thuhet në letrën drejtuar mbretit Zog. Letra është dërguar në adresën e Pallatit të dikurshëm Mbretëror shqiptar, dhe ruhet në Arkivin e Shtetit. Në fjalinë e fundit, kompozitori Capham nuk e fsheh simpatinë që ka për Maxhiden. Bashkë me letrën, kompozitori Capham i bashkëngjit si dhuratë pjesën e kompozuar për publikun japonez, duke menduar se një ditë do të mund të kenë një pjesë për muzikën shqiptare. Por, mbretërimi i shkurtër i mbretit Zog, do të bënte që kjo dëshirë e Capham të mbetej thjesht e tillë. Një vit pas kësaj letre, fati i mbretit dhe i motrave do të ishte shumë larg Shqipërisë. Dhe dëshira e Capham për të kompozuar mbi vargje shqip, do të mbetej thjesht një dëshirë. Capham është kompozitor i njohur amerikan, i cili ka shkruar muzikën e prodhimeve “Earl Carroll” dhe mbi 200 opera. Një nga operat e tij më të njohura është “Sakura”. Ai ka shkruar dhe këngë lirike, si “Melodia e ëndrrave”. Capham vdiq nga një atak në moshën 67-vjeçare, më 1957-n. Princesha Maxhide ishte e njohur për veshjet e saj elegante dhe dëshirën që kishte për muzikën. Ajo lexonte dhe dinte të fliste bukur. Udhëtimi i tri princeshave shqiptare drejt SHBA-së është i dokumentuar në arkivat e kohës, por edhe në gazetat e amerikane të atyre viteve. Për herë të parë, në SHBA, tri motrat e mbretit Zog, Ruhije, Maxhide dhe Muzejen, udhëtuan më 28 shkurt 1938 dhe qëndruan deri më 23 mars 1938. Në këtë udhëtim ato u shoqëruan nga Abdurrahman Krosi. Princeshat janë pritur në mënyrë zyrtare. Në aeroport ka pasur dhe nga Departamenti i Shtetit, ndërsa nuk mungonte dhe ministri i Shqipërisë në SHBA, Faik Konica. Fotoreporterë të kohës kanë fokusuar momentet e mbërritjes së vajzave, që vinin si përfaqësuese të oborrit mbretëror shqiptar. Gazeta “Dielli” i bëri një jehonë të gjerë qëndrimit të tyre me kronika të përditshme. Ato vizituan qendra të ndryshme, atë të vajzave “American Girl Scouts”, jetimore, spitale. “Princeshat janë të interesuara për punë mirëbërëse, si edhe në punë arsimore… dhanë ndihma për vajza të vobekta, lanë të holla në një jetimore dhe në një shtëpi me fëmijë të vobektë”, thuhet në artikullin e gazetës “Dielli”. “New York Times” i përshkruan princeshat si tepër të bukura dhe me kulturë në një shkrim të 5 marsit 1938. “Janë princesha me kulturë e të bukura, janë princesha me tërë kuptimin e fjalës, si të gjitha princeshat e Europës. Nuk tymosin duhan, por janë moderne”, thuhet në shkrimin e “New York Times”. Sipas medias amerikane, princeshat kanë pirë çaj dhe nga zonja e Presidentit Roosvelt. Më 9 mars, gazeta “New York World” njoftonte se ato u pritën “si mysafire të qytetit” nga kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, La Guardia. Disa media do të shkruanin se “princeshat ndodhen në SHBA për t’u martuar”, gjë që do ta mërziste ambasadorin Konica. Princeshat u takuan dhe me Fan Nolin në Boston… “Si njeriu që kam ndenjur më tepër me princeshat në kohën që ndenjën këtu, mund të dëshmoj se kanë zemra të pastra, një dashuri të kthjelltë për Shqipërinë, një dëshirë të zjarrtë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve, dhe një ndjenjë të lartë të detyrës si motra të mbretit dhe si të bijat e një oxhaku të vjetër”, do të shkruante Faik Konica pas kthimit të tyre në Shqipëri. Pas Nju Jorkut, princeshat udhëtojnë drejt Londrës e më pas në Paris, dhe më 22 prill 1938, ato mbërrijnë në Tiranë. Në kancelaritë europiane, kjo vizitë e princeshave shqiptare u pa edhe si politike. Në Romë dyshuan se mos ky udhëtim i princeshave fshihte ndonjë qëllim politik, mos ishte një tentativë e Zogut për të gjetur investime financiare përtej oqeanit… Por, pavarësisht asaj çfarë fshihej përtej, përfaqësimi i princeshave shqiptare duket se ka qenë dinjitoz, nisur nga letra që ka mbërritur në oborrin e mbretit Zog, por edhe nga kujtimet e Faik Konicës.