Mirela Bogdani


OLYMPUS DIGITAL CAMERAMë 14 qershor 2005, në hotelin londinez “Dorchester” në Londër kam pasur nderin të jem e ftuar në një aktivitet vërtet të veçantë. Një darkë speciale, e quajtur “Pearl Anniversary Dinner”, e organizuar nga “Conservative Way Forward”, për nder të zgjedhjes së Margaret Thatcher, 30 vjet më parë (1975), si lider i Partisë Konservatore. Pjesëmarrja ime në këtë takim u bë e mundur nga fakti që, veç anëtarësimit në Partinë Konservatore Britanike gjatë viteve të jetesës sime në Britaninë e Madhe, unë isha bërë pjesë e grupit “Conservative Way Forward” (CWF), grupi Thatcherian i djathtë i Partisë Konservatore, që ish krijuar pikërisht për mbajtjen gjallë, ruajtjen dhe avancimin e ideve, parimeve dhe ideologjisë Thatcheriane në gjirin e Partisë Konservatore, presidente e të cilit ishte baroneshë Thatcher. Në aktivitetin që u zhvillua me rastin e këtij përvjetori ishte organizuar një pritje dhe darkë, ku kishte një numër të madh të ftuarish, por unë pata fatin të jem e ftuar në pritjen private prej 30 vetash me përfaqësues nga Parlamenti dhe dhoma e lordëve. Ndoshta arsyeja për këtë, siç u shpreh edhe kryetari i CWF, Chris Chope, (anëtar i Parlamentit britanik) ishte se “Ne nuk kemi shumë anëtarë të partisë sonë apo të grupit CWF nga Europa Lindore, aq më tepër nga një vend si Shqipëria, që të jenë kaq Thaçeriane në bindje dhe parime si ju”. Gjatë kësaj pritjeje unë pata rastin të takohesha e të bashkëbisedoja me zonjën Thatcher. Pasi i thashë sa e lumtur dhe e nderuar ndihesha të takohesha me të, shtova: “Znj. Thatcher, unë vij nga Shqipëria dhe siç mund ta dini, vendi ynë vuajti për rreth 50 vjet një nga diktaturat më të egra dhe ishte vendi më i izoluar i Europës. Gjithsesi në izolimin dhe ideologjinë komuniste, emrat dhe fama e vetëm dy prej politikanëve britanikë mundën të depërtojnë dhe të bëhen të njohur te ne: ai i Churchill-it dhe juaji, znj. Thatcher. Kontributi juaj në përmbysjen e komunizmit në Europën Lindore është i jashtëzakonshëm dhe prandaj ne ju jemi shumë mirënjohës”. Ajo u përgjigj: “Të faleminderit shumë e dashur, më vjen shumë mirë që i dëgjoj këto fjalë”. Ajo që më bëri përshtypje ishte që fjalët dhe vështrimi i saj ishin aq të ngrohtë, të butë dhe të dashur, shumë larg përfytyrimit që kisha krijuar për të si e famshmja “Zonja e Hekurt”. Isha shumë e emocionuar para dhe gjatë takimit dhe kjo sepse të parit nga afër dhe takimi me të ka qenë një ëndërr që kur fillova involvimin në politikë. Margaret Thatcher ka qenë dhe vazhdon të ngelet idhulli dhe heroina ime (apo siç anglosaksonët thonë “my role-model”). Ajo ka qenë inspirimi im në një karrierë në politikë, jo vetëm për faktin që përbën shembullin e një gruaje tepër të suksesshme në politikë, por mbi të gjitha sepse kam vlerësuar cilësitë e saj, si integritetin, kurajën, eficensën, përkushtimin, si dhe ndaj të njëjtat bindje, ide dhe parime, të njohura me emrin “Ideologjia Thatcheriane”. Miqtë, të afërmit dhe shokët e mi të gjithë e dinë admirimin tim për këtë grua të rrallë, që la gjurme jo vetëm në historinë dhe politikën britanike, por edhe atë botërore, për Kryeministren me qeverisjen më të gjatë në Britani gjatë gjithë 150 viteve të fundit. Prandaj, të takohesha me Margaret Thatcher, ta shikoja nga afër, të shtrëngoja duart dhe të bisedoja me të, ka qenë një nga ëndrrat e jetës sime dhe jam shumë e lumtur që arrita ta realizoj këtë ëndërr.