Konferenca
“Dora D’Istria, pararendëse e Europës pa kufij”, titullohet konferenca që do të mbahet sot, në orën 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar. Takimi organizohet nga fondacioni “Dora d’Istria” në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe RTSH-në, në kuadër të projektit për vlerësimin e personaliteteve të shquara të grave shqiptare dhe kontributin e tyre në pavarësinë shqiptare. Dora D’Istria (1828–1888), princeshë me origjinë shqiptare, patriote dhe shkrimtare, jetoi në Firence nga 1860-a deri më 1888-n, ku pati mundësinë të hynte në kontakt me shtresën e flaktë të intelektualëve dhe politikanëve të periudhës postunitare. Mendimi i saj i prerë feminist e shtyu atë të analizojë gjendjen e grave përballë ligjit civil e fetar dhe për të denoncuar Konkordatin që e bënte “martesën” të parevokueshme aq sa jeta në manastir. Konferenca do të përurohet nga drejtori i MHK-së, Luan Malltezi, për të vijuar me Antonio D’Alessandrin, shkrimtar i monografisë së Dora D’Istrias. Me këtë rast do të shfaqet edhe një dokumentar kushtuar kësaj figure.