Nuk ndodh rrallë të ulesh në divanin e shtëpisë dhe të duash të shohësh një film që të ngroh zemrën – ata që në amerikë quhen: ‘feel good movies’. Një film të thjeshtë, pa pretendime, një nga ata që të lypen kur je shpirt-lodhur e pa shumë nerva. “Nonnas” është një titull që lidh dramën familjare me komedinë, me protagonistë [shumë] të njohur e me një histori që bazohet në një të vërtetë.
Shumë prej jush mund të jeni rritur nga gjyshja, por edhe në mos, i kujtoni gatimet e saj speciale sa herë, sado rrallë, shkonit për vizitë (ose ua sillte në shtëpi). Duart e gjysheve janë të ndryshme nga ato të shefave me yje Michelin në kuzhinë, por ushqimet e tyre kanë zemër, kanë shpirt, diçka që është shumë më shumë se një pjatë e gatuar.
Dalë në ditën ndërkombëtare të mamave (Mother’s Day), “Nonnas” është i thjeshtë por i pëlqyeshëm; një film që mbledh familjen mbas një dreke të fuqishme të diele e të përkëdhel me një melankoli nostalgjie.

Njësoj si tironsit e vjetër thërrasin gjyshet, No(n)na-t italiane kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e familjes tradicionale, duke nisur nga kuzhina e tavolina, diçka që është trashëguar edhe në familjet që kanë emigruar herët nga çizmja për të gjetur një jetë më të mirë gjetkë.
Vince Vaughn këtu luan Joey-n, një meso-burrë që e njohim fillimisht si fëmijë 8-9 vjeçar teksa joshet nga gatimet e nonës e të ëmës e më pas në dhimbje të thellë për humbjen e të dy grave të cilat i dhanë shije jetës së tij. Në morinë e shumë historive, ndonjëherë edhe të shurdhëta të lidhjes që djemtë kanë (o presupozohet të kenë) me baballarët; është rifreksuese të shohësh një histori për lidhjen e veçantë që një djalë ka me mamanë (e me gjyshen) e tij. Marrëdhënia edhe pse shkurt është treguar bukur dhe shkoqur duke mos shtuar shumë momente melo-dramatike por duke mos kursyer hudhrën.
I gjendur në një lloj udhëkryqi, Joe vendos të hapë një restorant për të nderuar kujtimin e gjyshes së tij, momenteve të pazëvendësueshme të kaluara në kuzhinë me të; e për këtë mendon që të punësojë gjyshe të vërteta italiane të cilat do të gatuajnë në kuzhinën e jetës së tij të re. Kështu me ndihmën e mikeshave së mamasë së tij (interpretuar nga Lorraine Bracco dhe Susan Sarandon) dhe ‘Craig List’, ku gjen personazhet e luajtura me besueshmëri nga Brenda Vaccaron dhe Talia Shire, ai është i sigurt që njerëzit do ta përqafojnë ëndrrën e tij.

Por asgjë nuk vjen lehtë në jetë.
I rrahur me histori njerëzore ‘me fund të ëmbël e të hidhur’ regjisori Stephen Chbosky (“The Perks Of Being A Wallflower”, “Wonder”) e di mirët se si të navigojë përmes personazheve, ndjesive dhe ritmit të tyre. Shkruar nga Liz Maccie, kjo histori e lehtë por jo e cekët, bazuar në një të tillë të vërtetë, nuk na forcon për të ndjerë për ata që jemi duke parë, një skenar që karakterizohet nga një delikatesë e rrallë aq më tepër kur vjen puna në këtë zhanër.
Në një përpjekje të vazhdueshme të industrisë perendimore të filmit për t’i dhënë hapësira aktoreve që kanë frymëzuar breza dhe tani po jetojnë moshën e tyre të tretë – shpesh talenti i Kathy Bates, Alfree Woodard, Jacki Weaver, Salli Field apo vetë Susan Sarandon ka shkuar dëm në filma si Book Club të cilët janë të thatë e të sforcuar. “Nonnas” i jep këtij brezi një fytyrë të vërtetë, xhenuine dhe të dashur me gjithë humorin e zi apo të bardhë që i shoqëron hera herës.
Tërësia e prodhimeve të platformave të streaming të cilat tashmë kontrollohen nga publiku më shumë se kurrë më parë, ka sjellë në vitet e fundit shumë filma komedi nga ata të cilët pasi i ke parë njëherë as nuk të shkon në mendje ti shohësh prapë. E mbas kaq kohësh është e bukur, domethënëse madje që prej këtyre prodhimeve të shohësh një film që me siguri për një arsye apo një tjetër do t’i kthehesh sërish, mbase për të të dhënë një ndjesi më të mirë sesa ajo që je duke kaluar në jetën tënde.
Sepse siç do të shohim aty, ngandonjëherë na duhet që jetën ta fillojmë nga e para, e nëse zemrën e kemi të hapur çdo gjë që humbasim i lë vend diçkaje për të cilën kishim nevojë.



