Ikona e teatrit shqiptar, Roland Trebicka, përcillet për në banesën e fundit mes lotësh dhe duartrokitjesh


LANDI TANIArkivoli me trupin e pajetë të Roland Trebickës ka mbërritur pak para orës 11:00 në hollin e Teatrit Kombëtar, ku për më shumë se dy orë, qindra njerëz janë përulur në nder të kujtimit të tij. Një foto e tij e vendosur në një nga banerat e reklamave në hyrje të teatrit, ka bërë të ndalen edhe kalimtarë të rastit për ta vështruar. Roland Trebicka, aktori që çdo mëngjes të jetës së tij hynte i qetë në oborrin e teatrit për të nisur një ditë të zakonshme pune, dje ka hyrë në oborr për t’u ndalur në hollin që të fton të shkosh për në skenë, për të kaluar orët e fundit. Dhe vetë ai do të donte që ndalesa e tij e fundit të ishte teatri, vendi prej të cilit nuk e ndau dot as sëmundja… Ndarja me Roland Trebickën nuk ishte një ndarje e lehtë për miqtë e tij dhe kolegët. Dhe pse prej kohësh e dinin sëmundjen e tij, vdekja dukej gati-gati e pabesueshme kur sillnin në mendje Rolandin. Ca njerëz na duken si të pavdekshëm dhe Roland Trebicka do të mbetet i tillë.


030720131451Gjate homazheve te aktorit Roland Trebicka


Fytyrat e miqve, kolegëve endeshin të përlotur dje, në ambientet e teatrit. Askush nuk e fshihte dot dhembjen e kësaj ikjeje. “Ai ishte një pikë frymëzimi për ne. Brilant në prova. Vinte dy orë para nesh”, thotë aktori Fatos Sela. “Dhe koha po vajton për humbjen e Rolandit, mikut tonë të shtrenjtë, brilant në humor. Ai nuk e kishte kohën për të ikur tani. Ai ishte i dashuruar pas skenës dhe publiku ishte i dashuruar pas tij”, thotë Ilir Bezhani, i njohur ndryshe te publiku si Sandri te “Pallati 176”. “Humorin nuk e kishte rastësor, e kishte edhe në jetë… Humori ishte brenda ADN-së së tij”, thotë Bezhani me sytë që mezi i mbajnë lotët. Alfred Bualoti, regjisori që i besoi rolin e Jovan Bregut, rol i cili do të thyente shikueshmërinë e një roli në ekranet dhe teatrin shqiptar, thotë se do t’i mungojë gjatë Rolandi, jo vetëm si aktor, por dhe si një mik. “Trebicka më kujton Eduardo de Filippon. Jo të gjithë aktorëve mund t’i takojë fakti që të identifikohen me një personazh”, thotë Bualoti. “Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë e qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve”, tha aktorja Luiza Xhuvani. “Berberi i Seviljes” ka qenë një nga shfaqjet ku Xhuvani ka luajtur përkrah Trebickës, ku ai shfaqej në një rol krejt ndryshe nga ato që publiku ishte mësuar ta shihte. Një rol dramatik, me të cilin Trebicka shkëlqeu nën regjinë e Erik Vinger. “Iku Landi, është një ikje tronditëse për të gjithë ne të gjallët dhe me siguri e papritshme për të ikurit e tjerë. Ishte i ri, i veçantë në artin e tij, dhe mbi të gjitha në njerëzoren e lakmueshme. Ishte tinëzare kjo ikje. Para pak muajsh u rikthye në skenë, na u duk triumfues siç kishte qenë për gati 40 vjet në majë të sukseseve. Landi, dije se çdo njeri që të ka dëgjuar dhe të ka parë është i tronditur; ti ishe një magjistar i artit tënd, ti le një zbrazëti kombëtare. Nuk besoj se të gjallët shqipfolës do të munden të mos drithërohen nga mungesa jote. Familja, skena shqiptare dhe ne miqtë jemi të shurdhtë me dhimbjen që na le: të gjithë krenohemi që ishim bashkudhëtarë me ty. Ishe padyshim ai që na bëje të harronim çdo gjë kur ishim para teje”, u shpreh një nga miqtë e tij, regjisori Mevlan Shanaj. Përpara arkivolit të aktorit të njohur të skenës shqiptare është përulur dje dhe politika. “Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm, fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur. Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani, përmes një mesazhi ngushëllimi për familjen. “Më bukur se Roland Trebicka, askush tjetër nuk u shkri në personazhet e tij dhe në këtë aspekt ai ka jetuar, jeton dhe do të jetojë në këto personazhe artistike. Ka fituar pavdekësinë që meriton”, tha Kryeministri Sali Berisha gjatë homazheve. “Është një humbje shumë e madhe, dhe një boshllëk i pazëvendësueshëm për skenën e teatrit shqiptar, por edhe një prani e përjetësuar përmes rolesh të luajtura në mënyrë të jashtëzakonshme në historinë e teatrit dhe të filmit. Me nderim e përcjellim jo vetëm si një komik të madh, por edhe si një njeri vërtet të rrallë”, tha kryesocialisti Edi Rama. Ngushëllime për familjen Trebicka ka shprehur edhe ambasada amerikane.” Zoti Trebicka do të kujtohet gjithnjë si një nga aktorët më të mëdhenj të teatrit shqiptar. U prehtë në paqe!”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane. Dhjetëra telegrame ngushëllimi kanë ardhur në adresë të Teatrit Kombëtar për këtë humbje. “Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta me rastin e humbjes së njeriut Tuaj të dashur. Jeta, vepra dhe kujtimi i artistit, z. Roland Trebicka, janë personifikimi i krenarisë artistike e krenarisë kombëtare dhe frymëzim artistik për të gjitha gjeneratat në Kosovë dhe Shqipëri. Ju lutem që në emrin tim dhe artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, t’i pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta në këto çaste të rënda për të gjithë ne”, thuhet në mesazhin e drejtores së Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha. Mesazh ngushëllimi ka nisur dhe Teatri i Gjakovës, teatrot e rretheve, si ai i Durrësit apo Elbasanit.

Prej hollit të teatrit, arkivoli i mbushur plot me lule u shoqërua me duartrokitje e lot, për t’u prehur përgjithmonë për në banesën e fundit. Këto ishin orët e fundit të Roland Trebickës në teatër, në një të enjte me shi, e të mbushur plot me miq, që si kurrë më parë ishin të gjithë aty, për të shprehur nderimin e pafund për të, komikun e madh të teatrit shqiptar.


 


Një jetë në teatër


Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Në vitin 1971 emërohet si aktor në Teatrin Popullor. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”. Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë; Jovan Bregu është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”), te “Një burrë me trëndafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Ëndrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro. Është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i madh” dhe së fundmi, Bashkia Korçë i akordoi titullin “Nder i qytetit”.