Dëshira e fundit e Ornella Vanonit para se të ndërronte jetë, ishte të hante një akullore. Kështu ka zbuluar producenti muzikor dhe mbi të gjitha një mik i ngushtë i ikonës së muzikës italiane, Mario Lavezzi.

Në eventin e Siae Awards, Lavezzi foli për këngëtaren e ndjerë dhe me zërin që i dridhej nga emocionet ai tha se Ornella ‘do të kishte dashur të vdiste kështu’.

“Ornella sapo kishte ngrënë darkë në shtëpinë e saj, kishte planifikuar të shkonte te Fazio të nesërmen, ishte mirë, pastaj u ul në kolltuk për të parë televizion dhe i kërkoi shërbëtores së saj, e cila flinte me të, t’i sillte akullore. Ajo shkoi në kuzhinë dhe kur u kthye e gjeti pajetë. Zemra e saj e braktisi. Por kjo është ajo që do të donte, të largohej kështu”, ka zbuluar Mario Lavezzi.

Kujtojmë se Ornella Vanoni ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, mbrëmjen e 21 nëntorit.