Ylli i serialit dramatik britanik “Adolescence”, Owen Cooper, ka hyrë në histori si fituesi më i ri i Çmimit Emmy në kategorinë “Aktori më i mirë mbështetës”.
Cooper është vetëm 15 vjeç dhe portretizoi Jamie Miller në serinë shumë të vlerësuar nga kritika, e cila triumfoi në disa prej kategorive kryesore të çmimeve, duke përfshirë edhe çmime për bashkëaktorët e tij Stephen Graham dhe Erin Doherty, si dhe për regjisorin Philip Barantini.
“Adolescence”, që më herët këtë vit dominoi listat e më të shikuarave në Netflix, rrëfen historinë e një 13-vjeçari të arrestuar për vrasjen e një shoku klase. Seriali është përshëndetur jo vetëm për tematikën e ndjeshme që trajton, por edhe për realizimin teknik të veçantë, çdo episod është xhiruar në një plan të vetëm pa ndërprerje.
Ndërkohë Cooper, i cili ishte vetëm 14 vjeç gjatë xhirimeve dhe nuk kishte aktruar kurrë më parë, arriti të lërë pas emra të mëdhenj të industrisë si Javier Bardem, Peter Sarsgaard si dhe bashkëaktorin e tij nga “Adolescence”, Ashley Walters.
Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, Cooper tha se para tre vitesh nuk ishte askushi:
“Është e pabesueshme. Kur nisa klasat e dramës disa vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të isha në Shtetet e Bashkuara, e aq më pak në këtë skenë. Mendoj se kjo natë dëshmon që, nëse dëgjon, fokusohet dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish gjithçka në jetë”.