Tre kompozitorët Aleksandër Peçi, Endri Sina dhe Shpëtim Kushta, përmes një letre i kërkojnë ministrit të Kulturës, Visar Zhiti, të shpallë publikisht çmimet dhe të kryejë sa më parë pagesën për punën e bërë
Aleksandër Peçi, Endri Sina dhe Shpëtim Kushta, tre kompozitorët fitues të konkursit për veprat muzikore të realizuara për 100-vjetorin e Pavarësisë, përmes një letre të hapur drejtuar ministrit të Kulturës, Visar Zhiti, në dijeni dhe të Kryeministrit Sali Berisha, kërkojnë që MTKRS-ja të shpallë publikisht çmimet dhe të kryejë sa më parë pagesën për punën e bërë. “Në muajin dhjetor 2012, juria e konkursit të 100-vjetorit, e caktuar nga MTKRS-ja, ka firmosur vendimin për shpalljen e çmimeve të konkursit. Pas një pritjeje prej gjysmë viti, ne laureatët kërkojmë urgjentisht që ju të jepni urdhrin për shpalljen e çmimeve në ueb të MTKRS-së dhe të na paguani lekët. Lekët kanë ardhur në MTKRS me VKM që në 2012-n dhe është krejtësisht antiligjore se përse është shkelur kjo VKM e qeverisë shqiptare? Kemi firmosur kontratat, na kanë kërkuar dhe numër llogarie e IBAN, të cilat i kemi sjellë në dhjetor. Na premtuan se do t’i nisnin në fund të dhjetorit, por na gënjyen, na gënjejnë prej 6 muajsh se do t’i paguajnë dhe tani dëgjojmë të thuhet se nuk i shpallim çmimet se kemi frikë se i paguajmë. Po si mund të flasë dikasteri serioz kështu? Ka 12 vjet që MTKRS-ja s’ka bërë asnjë konkurs muzikor dhe tani edhe për të vetmin konkurs shiko si sillet dikasteri i qeverisë shqiptare.
Ju tani keni ardhur në këtë post, por titullarë të këtij dikasteri gënjejnë, nuk i shpallin çmimet dhe nuk paguajnë. A mos vallë lekët tona të VKM-së kanë shkuar në drejtime të tjera?”, thuhet në letër. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, pas shpalljes së konkursit në qershor 2012, çmimet do të ndaheshin në muajin nëntor dhe veprat fituese do të interpretoheshin në një koncert publik zyrtar në Tiranë, po atë muaj, veprat shqiptare nuk janë vënë në skenë. “Në një urdhër të ministrit, urdhërohet financa në fillim të majit që të na likuidojë lekët e konkursit të 100-vjetorit ne laureatëve, por dhe jurisë, e cila ende s’është paguar. Edhe ky urdhër nuk është zbatuar. Po si funksionon ky dikaster, kur VKM-ja shkelet, urdhri i ministrit shkelet? Veprat fituese duhej të luheshin nga institucionet. Pse s’janë luajtur? Është në dinjitetin e postit që mbani dhe të marrëdhënieve shumë miqësore që kemi personalisht, të shpallni çmimet dhe të paguani lekët tani e jo pas votimeve siç u shprehët. Çmimet janë vendim i kësaj jurie, i këtij stafi të MTKRS-së dhe lekët kanë ardhur me VKM. Ne laureatët kërkojmë urgjentisht të zbatohet vendimi i jurisë, i firmosur dhe nga Drejtoria e Arteve, e të zbatohet urdhri i ministrit e të shpallni çmimet dhe të na paguhen tani në maj”, përfundon letra e tre kompozitorëve. Çmimet e konkursit kombëtar muzikor janë: Vepra më e mirë në gjininë skenike opera, nga 1 deri në 3 akte, nga 600 000 lekë të reja deri në 1 800 000 lekë të reja; Vepra më e mirë në gjininë skenike balet, nga 1 deri në 3 akte nga 600 000 lekë të reja deri në 1 800 000 lekë të reja dhe vepra më e mirë në gjininë simfonike si: simfoni, poemë simfonike, vokale simfonike, 1 400 000 lekë të reja.
MTKRS-ja shpalli konkursin për veprat muzikore me qëllim mbështetjen e krijimtarisë artistike kombëtare në fushën e muzikës me objekt 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit (1912-2012), duke nxitur krijuesit mbarëshqiptarë të muzikës për të shkruar vepra të reja muzikore të frymëzuara nga kjo ngjarje historike.
Me veprat fituese ishte parashikuar të realizohej edhe një CD me titull “100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë 1912-2012 në veprat e krijuesve shqiptarë”, e cila nuk është realizuar ende.