Shënime për Made in Albania – dramë nga Stefan Çapaliku, regjia- Altin Basha


Virion Graçi


kultureMe mbresat e shkëlqyera që më ka lënë një tjetër shfaqke teatrore para dy vjetësh, me tekst e regji nga autor shqiptar, pata shkruar pa hezitim: drama e parë shqiptare. Megjithëse nuk pata përgënjeshtrime, prita të tilla keqkuptime sepse kisha folur figurativisht duke pasur parasysh rendin shpirtëror, emocional të gjërave të rëndësishme ku, në fakt, ajo që po ndodh tani, ajo që na ka ndodhur së fundmi është gjithmonë më e para, më e rëndësishmja, më e shqiptueshmja; ajo na e mbush zemrën e shpirtin me ndjenja të forta të kënaqësisë, të zemërimit, të adhurimit apo të neverisë, zhgënjimit; përjetimi më i fundit i bukurisë, i madhështisë apo i shëmtisë, i groteskut, i komikes na duket dita e parë e një bote të re që po na e mundëson arti i vërtetë. Pikërisht kështu kam arsyetuar dikur e jo duke harruar/shpërfillur faktet historiko-letrare në lëmin e dramaturgjisë shqiptare; duke arsyetuar në këtë mënyrë po përsëris se shfaqja që pashë mbrëmë në Teatrin Kombëtar Eksperimental Made in Albania e S. Çapalikut është drama e parë shqipe. Lënda jetësore e kësaj pjese ishte mjaft e pasur, përditshmëria shqiptare me femrat e proletarizuara të një rrobaqepësie ku u duhet të prodhojnë mallra majmunë, d.m.th., me etiketa të falsifikuara sikur janë prodhuar në vende në Bashkimit Europian. Iu duhet të prodhojnë kostume karnavalesh për gëzimin artificial të bashkëqytetarëve të tyre, iu duhet të prodhojnë veshje, mallra majmunë për policinë italiane si dhe, oferta më e fundit, e mirëpaguar: të prodhojnë perçe për të mbuluar fytyrat e tyre, për të fshehur trupin, jetën, gjininë, hiret, dëshirat e shenjat e përvetshme femërore. Me markën Made in Albania, e cila nuk bind më askënd e duket si antivlerë, si antireklamë e mallit të cilit i bashkëngjitet, dramaturgu S. Çapaliku e ka shënuar qysh në titull pjesën e tij duke i shkuar me guxim dhe sukses deri në fund konceptit fillestar, idesë parake frymëzuese/krijuese. Tingëllon ndoshta e pavend fjala “guxim” për një autor të mirënjohur të shumë pjesëve për teatër dhe me formim e karrierë profesionisti në fushën e letrave artistike, por kam parasysh faktin se kur jeta mbipopullohet me krijesa të zvetënuara, të privuara nga mbrothësia, dinjiteti minimal njerëzor e lumturia; e po ashtu të braktisur nga virtytet e larta mendore e morale, e shumta që mund të nxjerrë artisti krijues prej një bote si kjo është një pjesë komike si psikoterapi për masat konsumatore ose një farsë të rikonceptuar sipas etikës e shijes mesatariste të kohës sonë. Përkundrazi, ndonëse e ka kredhur shikimin në një botë të tillë lëndore, sociale, megjithëse mirëfilli pa heronj për nga ngarkesa ideore-pozitive, ka mundur të japë një dramë të mirëfilltë në kuptimin zhanror të fjalës, një dramë të rëndësishme për teatrin shqiptar. Le t’i kthehemi dramës pa heronj… Në masën gri të personazheve amorfë-punonjëset e rrobaqepësisë, njëri qëndron mes tyre i kristalizuar qartë: roja i rrobaqepësisë, i cili është njëherësh polic, gardian burgu, qehaja që kamzhikon bujkrobërit e kohëve tona; roja, nën interpretimin gjeniun të aktorit të mirënjohur Luftar Paja, si personazh në vepër ka vlera aksiologjike, ai u prin dhe i përcjell dukuritë, etapat, ndryshimet e rëndësishme. Futet në skenë si misionar me një poezi patetike në rusisht, me gjasë ndonjë marsh optimist sovjetik, sillet si hije mbi kryet e grave të poshtëruara duke u barasvendosur midis tyre dhe pronarit, pushtetit absolut; bëhet pjesë e botës mediatike duke rrëmbyer kamerën e televizionit shtetëror meqë dhe vetë ishte i atij profesioni, sepse kishte shërbyer në ushtri si topçi, si artilier.


kulture1


Gjetje të bukura, kuptimplotë. Pa një hero tipik dramatik që ta fitojë natyrshëm pëlqimin, dashurinë, adhurimin e spektatorëve dhe të njësohet gradualisht me brengat, me idealet e fjetura të spektatorit, pjesa e S. Çapalikut e ka një personazh që përçon nga e sotmja drejt së nesërmes një mendim, një zbulesë, një sintezë të fuqishme intelektuale – kritike e ky është zvendësi i pronarit, hija e pushtetit, nëntoka që pret rastin të dalë në dritën e diellit për t’i sunduar të gjithë, të vdekurit e të gjallët. Dhe kjo gjetje e arrirë e tekstit letrar është kuptuar mirë dhe është zbërthyer saktë nga ana regjisoriale dhe prej vetë lojës së aktorit teksa është stilizuar, grimuar e interpretuar si qenie deledash, hermafrodite, si shëmbëlltyrë simbolike e asaj që do të na vijë t’i diktojë ritmin dhe kriteret jetës sonë shoqërore si autoritet, si pushtet i tërësishëm. “Puna iu bën të lirë” – ky është urdhri i fundit që marrin punonjëset e rrobaqepësisë dhe zhurma prej gjinkallash e makinerive të tyre nis të mbizotërojë shurdhueshëm e perdja bie. “Puna iu bën të lirë” ka qenë motoja naziste në kampet e dikurshme të përqendrimit, e cila u bë moto e parapëlqyer dhe në kampet e punës në vendet totalitare-komuniste dhe kryefjalë e propagandës shtetërore.. “Puna iu bën të lirë” është motoja që pronari i ri shqiptar në Made in Albania të S. Çapalikut, kapitalisti i Shqipërisë moderne iu kumton punëtoreve të tij e jo vetëm atyre. Secila vepër e mirë dramatike është një lloj pasqyre e vendosur para spektatorit që ai të shohë, ta zhbirojë jo vetëm veten, por dhe shoqërinë, shoqërinë përkatëse, si paradigmë historike dhe qenien njerëzore si pikë nisje dhe pikë mbërritjeje e çdo bote të re të rikrijuar, të rizbuluar artistikisht. Vepra Made in Albania është një pasqyrë e madhe ku ne mund ta shohim veten jo vetëm si në një afresk mural por dhe me një përmasë të tretë, me përmasën e thellësisë perspektive, me dimensionin e së nesërmes, e cila mundëson perceptimin e të vërtetave komplekse bashkëkohore, tipike shqiptare dhe prej shikuesish fare të zakonshëm, pa ndonjë qasje të fortë emotive ndaj skenës së teatrit. E as kjo cilësi e fundit e përmendur këtu nuk është aspak një kufizim, por, përkundrazi, një tjetër meritë e çmuar e veprës.