Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë thekson se kriza botërore e botimeve reflektohet dukshëm në Shqipëri. Disa librari flasin për 50% më pak shitje të librit


Oliverta Lila  


Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë pranon se ka një krizë të ndjeshme në fushën e botimeve. Ai nuk mund të flasë në shifra apo përqindje, pasi studime të mirëfillta nuk janë bërë asnjëherë, por çdo botues e ndien në aktivitetin e përditshëm rrudhjen e shitjes së librave. Sipas Ymerit, ky tashmë është një fenomen botëror, ndërkohë që librari të caktuara flasin edhe për një ulje të shitjeve deri në 50%. Kjo ka sjellë detyrimisht uljen e titujve të rinj dhe më pak të drejta autori të blera në tregun e huaj për t’ia sjellë lexuesit shqiptar. Ymeri thekson se situata është qartësisht e dukshme me libraritë bosh dhe me librarët që ngurrojnë të marrin libra të rinj.


Zoti Ymeri, ka kohë që po flitet për një krizë ekonomike. Sa është reflektuar kjo në industrinë e botimeve dhe më drejtpërdrejt në shitjen e librave? 


Këto janë më shumë të dhëna që merren nga veprimtaria e përditshme, por nuk ka tregues statistikorë, siç bën e gjithë bota. Një botues e ndien më shumë e tjetri më pak, një librari më shumë e tjetra më pak, prandaj, për fat të keq nuk mund të  flasim asnjëherë me shifra të sakta. Nuk dimë të jetë bërë asnjëherë asnjë statistikë për shitjen e librave në Shqipëri. Ky është një problem i madh, sepse ne nuk matim dot as lexuesin, as shtresëzimet kulturore, as shtresëzimet e moshave. Megjithatë, kriza në botime ka prekur gjithë botën, duke nisur nga Amerika e Europa dhe ne nuk bëjmë përjashtim. Nga të dhënat që unë kam, vetëm në 2010-2011 ka pasur një rënie të madhe të shitjeve të librit në Amerikë, por janë rritur çmimet e ebook, një fenomen që nuk është shqiptar, sepse te ne thuajse nuk ekziston. Kjo gjendje është edhe në Itali ku gjatë viteve 2009- 2010 ka pasur një rënie mbi 4.3 deri 4. 7%. Vitin që shkoi është shënuar një përmirësim me vetëm 0.3%. Imagjinoni që këto përqindje janë miliona kopje më pak. Kriza çuditërisht është ndier edhe në Gjermani, ndonëse tregu gjerman i librit është quajtur si një nga tregjet më të forta. Ky vend pësoi fenomenin që u quajt “pranvera e zezë” për librin. Të gjithë janë çuditur me këtë gjë. Botuesit kanë pritur që vera do ta zgjidhte këtë problem, por duket sikur nuk ka ndodhur kështu. Franca vazhdon të jetë një treg i librit. Siç e theksova, në Shqipëri nuk kemi evidenca të vërteta statistikore. Ndonjëherë dëgjojmë edhe çudira që nuk dua t’i besoj që janë të vërteta, sepse ka librari që flasin për ulje nga 30- 40 deri në 50%. Por po të shikoni libraritë janë bosh. Unë ndodhem në Vlorë, një qytet që ishte treg i fortë libri dhe shoh që libraritë janë thuajse bosh. Më e keqja është se librarët ngurrojnë të marrin libra të rinj. Gjermanët thonë se këto janë psikoza të krijuara nga jehona që ka në media situata ekonomike, situata politike, etj. Por edhe në Tiranë shihet qartë që në librari hyjnë gjithnjë e më pak njerëz. Sakrifica që bëhet nga publiku te libri është më pak e ndjeshme në një fushë tjetër si tek ushqimi, veshja e kështu me radhë.


A është reflektuar kjo edhe në titujt e rinj që kanë hedhur në treg shtëpitë botuese?


Sigurisht. Kjo situatë jo e këndshme ka sjellë si rrjedhim një ulje të madhe të titujve të rinj. Një vit më parë, në panairin e librit unë e theksova se patëm më pak tituj të rinj për lexuesin dhe sivjet kjo duket fare qartë. Kjo situatë lidhet edhe me tregun jashtë nesh, nga i cili ne blejmë shumë libra. I  referohem këtu blerjes së të drejtës së autorit. Meqenëse botuesit e huaj po shesin më pak të drejta, çmimet e këtyre kontratave janë rritur. Nëse blerja e të drejtës së autorit për një libër shkonte nga 500, 600 ose 700 euro, tani është rritur shumë, sepse shiten më pak kontrata se më parë. Kjo e rrit çmimin dhe detyrimisht botuesit detyrohen të blejnë më pak të drejta. Kjo është një situatë për të cilën ne jemi parapërgatitur që do të vinte duke qenë se ka filluar të ndihet që më parë ndër kolegët tanë jashtë.


A është kërkuar më parë të bëhen studime të sakta mbi këtë problem?


Kemi kërkuar disa herë që të bëhen statistika, raportime shkencore, anketime me studentë, në shkollat e mesme, në nxënësit e fillores, por kjo duhet bërë nga institucione të specializuara.


Një gjë e tillë nuk mund të realizohet nga botuesit që kanë interesa të drejtpërdrejta e që rrezikojnë të kalojnë në subjektivizëm.


Duhet vetëm pak kohë nga organizmi i Panairit të përvitshëm të Tiranës. A mendoni se do të reflektohet kjo situatë në këtë aktivitet?


Për sa i përket panairit të nëntorit, mund të them se gati 90% e sipërfaqeve janë të kontraktuara. Ideja jonë është që këtë vit të përdorim edhe hapësirën e katit të tretë të Pallatit të Kongreseve, e cila nuk është shfrytëzuar asnjëherë deri tani dhe me rastin e 100–vjetorit do të ketë një pamje më ceremoniale.


 


 


 


“Panairi i Vlorës rrezikon të mos organizohet”


Irena Toçi: Botuam vetëm gjysmën e titujve


“Kriza e librit është ndier dukshëm dhe besoj se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës ekonomike. Në situata të tilla, libri është produkti që për forcë zakoni njerëzit e kursejnë të parin, sepse mendojnë fillimisht për produktet e mbijetesës”, kështu deklaron Irena Toçi, drejtuese e shtëpisë botuese “Toena”. Sipas saj, situata është reflektuar në mënyrë të menjëhershme në tregjet e librit dhe këtu Toçi i referohet veçanërisht tregut të Kosovës. “Tregu i Kosovës është rrudhur në mënyrë minimale e po ashtu edhe në qytete të tjera, përveç Tiranës që mund të thuhet se ka mbetur në nivele të kënaqshme. Kjo gjë na ka kushtëzuar në titujt e rinj që kemi nxjerrë në treg, sepse nëse nuk kompensohesh financiarisht për investimet e bëra, atëherë është normale që të arrijmë në këtë pikë”, thekson Irena Toçi. Si rrjedhojë e situatës, ajo tregon se shtëpia e saj botuese ka nxjerrë në treg vetëm 50% të titujve të planifikuar për këtë verë. “Vera nuk ka qenë optimiste dhe besoj se nga fillimi i shtatorit do të nisim botimin e titujve të tjerë. Për më tepër, sivjet rrezikon të mos organizohet as panairi tradicional i Vlorës. Bashkia e qytetit ka një fond minimal në dispozicion edhe pse është 100-vjetori i pavarësisë. Kjo do të thotë kontakt më pak me lexuesin”, thekson Toçi. Sipas saj, shtëpia botuese “Toena” ka parashikuar të mos prekë vetëm fondin që ka parashikuar për botimin e disa titujve të rëndësishëm në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Megjithatë, ajo mbetet optimiste se situata edhe mund të ndryshojë.