Këshilli Bashkiak i Parisit ka marrë një vendim historik për të nderuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, me vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën “63, bulevardi Saint-Michel”, ku Kadare dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të bukura të letërsisë së tij.
Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakë përkujtimore

Vendimi u miratua njëzëri nga Këshilli Bashkiak i Parisit, si një homazh i gjallë dhe emocionuespër kolosin e letrave shqipe dhe, nëpërmjet tij, për kulturën shqiptare.

Lajmin e bëri të ditur në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Francë, duke e cilësuar këtë vendim si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare.

“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij, njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës.”– thuhet në njoftim.

Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX.

Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit”. Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, përfshirë “Prix Mondial Cino Del Duca” dhe “Jerusalem Prize”.