“Kthim në të ardhmen” / Me Gentian Shkurtin në një bisedë që merr shkas nga vepra me të cilën prezantohet në “Sallonin e artistëve bashkëkohorë shqiptarë”, për të bërë një rrugëtim në të ardhmen, përmes së shkuarës 


Gentian Shkurti“Atë natë Gimin, nxënës i klasë së tetë në shkollën ’60-vjetori i Çlirimit’ nuk po e zinte gjumi … Në mëngjes, kur po shkonte në shkollë, lëvizja e mjeteve iu duk shumë e ngadalshme, kurse fizkultura e mëngjesit në oborrin e shkollës sikur s’do të mbaronte kurrë …” Kjo fjali është shkëputur nga revista “Horizonti”, nëntor 1985, pjesë e tregimit fantastiko-shkencor “Në zemër të tokës”, shkruar nga Maksim Kasimati … Gentian Shkurti, artist bashkëkohor, u rikthehet shpesh revistave të vjetra, ruajtur me kujdes prej 30 vitesh diku në një kënd të bibliotekës, jo vetëm për të takuar të shkuarën. Përmes tregimeve shpesh të shkurtra, dikur ende fëmijë, orvatej në imagjinatë duke krijuar vizionet e së ardhmes. “Ne ecim përmes ëndrrave që kemi krijuar”, shprehej dikur John Armleder, teksa shpjegonte atë çfarë veprat e tij tregojnë. I frymëzuar nga këto tekste që kanë grishur herët imagjinatën e tij, Shkurti nisi të punojë një cikël veprash nën titullin “Kthim nga e ardhmja”. Një kthim, në një kontekst të thellë estetik, që mbart brenda jo vetëm përfytyrimet fëmijërore, por një vështrim kritik të aspekteve sociale politike që kanë shoqëruar këtë takim shpesh gati të pamundur me të ardhmen. Një utopi e krijuar jo pa qëllim, nga një artist me fëmijërinë e kaluar nën regjimin komunist, me një edukim në art në vite tranzicioni, që mbart mbi vete eksperienca nga përvoja ndërkombëtare, por që ka vendosur të jetojë si artist, në një vend që është gjithnjë përjashtues për artin. I ndodhur përballë këtij përjashtimi, Shkurti vazhdon të krijojë, duke alegorizuar, si në këtë rast duke bashkuar simbolet e yllit të pionierit të fëmijërisë, me gradaçielat e mëdha të së tashmes. Një vepër që bën bashkë disa kohë apo ndjesi dhe në të njëjtën kohë të bën të mendosh, duke të zhytur në kohë … Dy vepra nga cikli që mban titullin “Kthim në të ardhmen” janë ekspozuar në “Sallonin e artistëve bashkëkohorë shqiptarë” që u hap tri ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Më poshtë, Shkurti vjen në një rrëfim nisur nga vepra në këtë sallon arti, për të vijuar te skena e artit bashkëkohor në vend.


gentian shkurti 02_1 “Të nesërmen nxënësit i hipën avionit ‘Pionieri’ dhe në orën e caktuar ishin përpara Qendrës Kërkimore Shkencore Nr. 1 …” Le ta nisim nga kjo fjali imagjinare bisedën … Ku ju çon kjo fjali?


Kjo fjali është shkëputur nga një tregim fantastiko-shkencor shqiptar i viteve ’80, vitet e fëmijërisë sime. Në fakt, i gjithë projekti im “Back to the Future” (Kthim në të ardhmen), i referohet letërsisë fantastiko-shkencore të para viteve ’90. Projekti përbëhet nga një cikël pikturash ilustruese. Është përzgjedhur letërsia, e cila flet për vitet e “largëta 2000”, por që në fakt për ne sot janë e shkuara dhe e tashmja. Jam përpjekur t’u rri besnik vizioneve të atëhershme të mbështetura në këtë zhanër të letërsisë shqiptare, por edhe ëndërrimeve të mia fëmijërore. Këto që janë prezantuar në ekspozitë janë vetëm dy nga punët e ciklit, sepse projekti është në proces dhe do të përmbyllet me disa piktura. Numrin nuk e di akoma, por e sigurt është që do të finalizohet me një ekspozitë personale.


“Back to the Future”, e quani veprën tuaj, megjithatë, ju vetë duket sikur jeni kthyer në të shkuarën …? 


E vërtetë që është një lloj kthimi në të shkuarën, por fantastiko-shkencorja, që është një lloj utopie në fund të fundit, po aq sa komunizmi që propagandohej atëherë, në këtë rast përballet me realitetin ose me këtë “të ardhme” fantastike të propaganduar.


Ky është një cikël veprash që do të vazhdojë … Çfarë ka mbetur pa thënë nga kjo ide?


Koncepti mund të prezantohej dhe vetëm me këto dy punë, por ka nevojë mendoj dhe për disa të tjera për të krijuar një panoramë më të plotë të asaj çka dua të transmetoj. Nuk është se kemi shumë vepra të letërsisë fantastiko-shkencore, ndaj dhe pikturat do të vijë një moment që do limitohen vetvetiu në numër.


Loja me fantastiken është një zgjedhje?


Fantastikja, shkencorja dua ta theksoj, sepse ndryshe nga fantastikja, fantastiko-shkencorja në një farë mënyre përveç të qenët një zhanër në art dhe letërsi, përpiqet të parashikojë të ardhmen. Fantastikja nuk e ka për qëllim këtë. Mendoj se është një zgjedhje, kurse mediumi që kam përdorur, piktura, është një zgjidhje.


Ka një kohë që na çon drejt zgjedhjeve në jetë, kjo punë duket sikur e kujton këtë kohë te ju, kohën kur ju imagjinuat avionin që do ju çonte në tokën e artit … Si ndodhi kjo lidhje me artin?


Mendoj se ka filluar siç fillon zakonisht, që fare i vogël, me ato vizatimet e para ku zakonisht është mbështetja e më të rriturve ajo që i jep drejtim këtij hobi. Në rastin tim ishte nëna. Megjithatë që fëmijë nuk e kam menduar se mund të merresha me diçka tjetër në jetë përveçse me art. Sot, me gjithë pengesat dhe shkretëtirën e terrenit të arteve vizuale, ku duket sikur asnjë hobi nuk mund të mbijë dhe të rritet, jo më arti që tingëllon si luks pa lidhje në këto kohë në Shqipëri, nuk jam penduar për këtë zgjedhje fëmijërore, por që u bë destini, ose kësmeti im.


Sa mundet artisti ta tejkalojë vendin dhe realitetin e tij? Çfarë ka lënë në artin tuaj, rritja në një terren me një kaos artistik, postkomunizmi, realizmi socialist … 


Realizmi socialist pothuajse fare, sepse viti ’90 më gjeti 13 vjeç, po vitet e mëpasshme pa diskutim. E thatë mirë, kaosi artistik, sepse të zhvillohesh në atë periudhë tranzicioni si artist, ishte shumë e vështirë të gjeje veten në morinë e zgjedhjeve estetike që shpërthyen pas ’90-s. Kur e mendoj sot, askush në ato vite nuk ishte i qartë mbi artin bashkëkohor. Thjesht qasja me modernitetin e disa artistëve të një brezi më të madh se unë, disa nga të cilët u bënë dhe pedagogë të mi, mendoj se ka qenë të bërit të ndryshmen ose të kundërtën e asaj çka propozonte realizmi socialist. Pastaj, në lidhje me pyetjen mbi tejkalimin e realitetit tim dhe vendit ku jetoj, them se arti në përgjithësi e ka për natyrë ta tejkalojë realitetin edhe kur duket sikur përpiqet ta imitojë atë. Në rastin tim dhe të bashkëmoshatarëve të mi artistë, ndoshta arti ishte si një mjet për ta tejkaluar apo më keq, për ta shmangur realitetin. Aq i larmishëm në egërsinë e vet ka qenë realiteti që ka kaluar brezi im, sa nëse do të isha gjysh në këtë moment do u tregoja nipërve dhe mbesave deri në fund të jetës sime histori të çuditshme dhe absurde. Imagjino etapat e një jete kaq të shkurtër; komunizmi, shembja e tij, periudha e tranzicionit, ’97, tranzicion prapë, e vazhdon e vazhdon tranzicion.


Megjithatë, arti përpiqet të shpjegojë absurdin, a nuk e shihni këtë vendosje si një kurth?


Nuk e shoh kështu artin ose artin e mirë të paktën. Absurditeti mund të jetë pjesë e realitetit tonë, por sigurisht që është shumë pak për ta quajtur art nëse ne vetëm e pasqyrojmë atë. Në fakt kam parë punë të disa artistëve që thjesht (dhe lehtësisht mendoj), gjejnë elemente absurde apo paradoksale në realitetin tonë, por t’i pasqyrosh ato në formë dokumentareske më duket art sipërfaqësor.


Kjo ekspozitë është dhe një mënyrë për të parë se si është zhvilluar arti kontemporan, në një terren që deri 25 vite më parë i kishte shkëputur raportet me këtë art. Më shumë se dy dekada … Si mund ta përkufizoni gjeneratën tuaj?


Po mendoj se i përkas një brezi që siç e përmenda më lart, jemi prekur pak nga jeta në socializëm dhe nuk ka lënë gjurmë të thella. Kjo mendoj se u bëri mirë artistëve të brezit tim, se ishim plotësisht të hapur dhe të pakompleksuar ndaj zhvillimeve të artit bashkëkohor.


 Tirana është një zgrip i ngushtë për këtë lloj arti, megjithatë ju, dhe një pjesë e mirë e artistëve që janë në këtë ekspozitë, keni vendosur të jetoni këtu?


Opinioni im mbi këtë temë është relativ gjatë jetës sime. Si adoleshent, student dhe artist i sapodalë nga shkolla, mendoj se i gjithë brezi im ishte si i dehur nga shpresa, liria dhe energjia pozitive që buronte nga kjo. Duke qenë jo dhe aq të qartë se ç’ndodhte në skenën e artit, në fakt ishim si një anije pa busull dhe mezi prisnim shfaqjen e horizontit. Disa nga ne, ndryshe nga unë dhe ca të tjerë që zgjodhën të jetojmë këtu, vendosën të jetojnë jashtë Shqipërie. Disa vazhdojnë të merren me art dhe disa jo. Kur e mendoj sot, me dhembje po e them që kam bërë gabim që zgjodha të jetoj këtu. Të paktën në lidhje me zhvillimin tim si artist. Nuk e keni vënë re që modeli që u ofrohet artistëve të rinj është ai i artistëve të suksesshëm shqiptarë që jetojnë jashtë? Me këtë lloj modeli nuk ka se si të zhvillohet arti shqiptar dhe skena e tij, përveçse t’ua ndrydhësh artistëve që në gjenezë dëshirën për t’u zhvilluar si artistë këtu.


A duhet artisti të jetë sa më politik në këtë kohë … dhe në kontekstin e një përballjeje të ashpër me politikën, e cila duket sikur ka zëvendësuar qëllimin që duhet të kishte arti, qoftë edhe për shou …?


Nuk më duket se ka një përballje të ashpër të artit me politikën sot. Përkundrazi, më duket se politika po e kërkon këtë përballje me artin, me arrogancën e atij që “të rreh e s’të len me qajt” kur thotë populli. Kurse artistët nuk e kanë guximin e duhur për t’u ndeshur. Në këtë pikë, ku liria artistike për të shprehur individualitetin transformohet në një lloj dekori apo servilosjeje ndaj pushtetit politik, atëherë s’mund të flasim për përballje të artit me politikën, e lëre më pastaj të ashpër. Kemi vetëm dominim të skenës së artit nga politika, me një ndryshim vetëm në formë me artin e para ’90-s.


Ku gabojnë politikat kulturore në artin bashkëkohor sot?


Më duket se duhet shtruar ndryshe pyetja; si duhen ndrequr politikat kulturore të artit bashkëkohor sot? Dhe ka një zgjidhje të thjeshtë mendoj unë. Duhet bërë ekzaktësisht e kundërta e politikave të sotme.