Intervista/Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Moro, flet për stinën e frankofonisë
Rudina Hoxha
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Christine Moro, në një intervistë për “Shqip”, thotë se frankofonia mundëson zbulime interesante, duke zgjuar dëshirën për t’u mësuar gjuhën frënge atyre që nuk e njohin ende atë. Sipas saj, pranimi i Shqipërisë në OIF (Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë) përbën tashmë një hap drejt Europës. “OIF, gjithashtu organizon trajnime për funksionarë shqiptarë të ministrive të ndryshme, të cilët mbulojnë çështjet e integrimit evropian”, thotë Moro.
Si vjen stina e frankofonisë këtë vit në Shqipëri? A ka diçka ndryshe nga vitet e tjera?
“Pranvera e frankofonisë” është një aktivitet që zhvillohet çdo vit, pra është një sfidë të propozosh gjithnjë aktivitete të reja, por në të njëjtën kohë, është një kënaqësi të takohemi të gjithë së bashku: pranvera e frankofonisë është para së gjithash një festë e cila përgatitet me shumë entuziazëm dhe dashamirësi, në të cilën marrim pjesë me kënaqësi. Këtë vit, do të ketë spektakle të ndryshëm (në veçanti xhaz, rep akustik, teatër) ekspozita fotografike, si dhe shumë aktivitete të tjera: janë mbi njëqind evenimente që do të organizohen në 14 qytete.
Cili është objektivi kryesor i këtij aktiviteti dhe a mund të flasim për sfida që ekzistojnë përpara?
Objektivi është të mblidhemi dhe të zhvillojmë së bashku aktivitete. Duam gjithashtu t’i tregojmë publikut se frankofonia mundëson zbulime interesante duke u zgjuar dëshirën për të mësuar gjuhën frënge atyre që nuk e njohin ende atë!
Frankofonia është një nga format më të mira të integrimit. Sa pranë e sjell Shqipërinë me Europën një aktivitet i tillë?
Frëngjishtja është gjuha zyrtare që përdoret në institucionet e Bashkimit Europian, pra është e nevojshme që qytetarët shqiptarë ta mësojnë atë. Pranimi i Shqipërisë në OIF (Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë) përbën tashmë një hap drejt Europës: nëse marrim 27 shtetet e BE-së, plus Kroacinë, e cila do të hyjë në BE më 1 korrik të vitit që vjen, shtatë prej tyre janë anëtarë të OIF-së dhe 12 të tjera me statusin e vëzhguesit.
Gjithashtu, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF) organizon trajnime për funksionarë shqiptarë të ministrive të ndryshme, të cilët mbulojnë çështjet e integrimit europian.
Sa interes tregojnë të rinjtë shqiptarë ndaj frankofonisë?
Janë të shumtë të rinjtë shqiptarë që marrin pjesë në aktivitetet e “Pranverës së frankofonisë”, dhe jo vetëm si spektatorë, por dhe si aktorë: në veçanti nxënësit dhe studentët, të cilët së bashku me mësuesit e tyre kanë përgatitur pjesë teatrale dhe shfaqje. Ata ngjiten në skenë për të luajtur dhe recituar në frëngjisht, me shumë talent dhe siguri…
Si ka arritur ky aktivitet të forcojë edhe më tepër bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Francës?
Sigurisht, njohja e gjuhës frënge e lehtëson bashkëpunimin midis dy vendeve. Për të studiuar në Francë, për të përfituar nga formime të ndryshme profesionale, për të zhvilluar projekte bashkëpunimi të përbashkëta, njohja e frëngjishtes është e domosdoshme dhe i lehtëson shumë gjërat. E njëjta gjë edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me vende të tjera frankofone, siç është Zvicra, shumë e pranishme edhe ajo në “Pranverën e frankofonisë”.