Spencer Lofranco, një aktor i njohur më së miri për rolin e tij përballë John Travolta në filmin e vitit 2018, “Gotti’, ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare.

Lajmin e trishtë e ka ndarë vëllai i tij, Santino, të enjten më 20 nëntor, përmes një postimi në “Instagram”. Ai tregoi se i riu vdiq të martën, më 18 nëntor.

“Për legjendën @roccowinning. Vëllai im. Jetove një jetë që vetëm disa mund ta ëndërronin,” shkroi Santino në një mbishkrim të postimit, së bashku me disa foto të Spencer si fëmijë dhe në vitet e fundit.

“Ti ndryshove jetën e njerëzve dhe tani je me Zotin. Do të të dua gjithmonë dhe do të të mungoj Bear. U prehtë në paqe. 18 tetor 1992 – 18 nëntor 2025”, mbylli Santino postimin e tij në “Instagram”.

Ndërkohë TMZ raportoi më 20 nëntor se vdekja e 33-vjeçarit po hetohet në British Columbia, Kanada.

I lindur në Toronto, Spencer Lofranco ka luajtur role në shtatë filma të realizuar midis viteve 2013 dhe 2018. Këto përfshijnë filmin e luftës të Angelina Jolie-s të vitit 2014, “Unbroken”, dhe filmin e vitit 2018, “Gotti”, në të cilin ai portretizoi djalin e John Travolta-s në ekran në një film biografik rreth bosit të mafias me bazë në New York City, John Gotti.

Në një intervistë të vitit 2014 me revistën “Interview”, 33-vjeçari tha se vendosi të fillonte aktrimin në moshën 17 vjeç, megjithëse babai i tij dëshironte që ai të bëhej lojtar hokeji ose avokat.

Ai studioi aktrim në Akademinë e Filmit në Nju Jork për një vit, përpara se të merrte një rol në filmin “Jamesy Boy” të vitit 2014. Filmi “At Middleton” i vitit 2013 ishte roli i tij i parë në ekran. Filmat e tjerë të tij përfshinin filmin “Dixieland” dhe “Home” të vitit 2015, si dhe filmin “King Cobra” të vitit 2016.