Mes aktorit dhe regjisorit Redjan Mulla sheh vetëm një rrugë dhe ajo është teatri
Për Redjan Mullën ka vetëm një rrugë ku ai do të ecë shpesh dhe kjo është rruga që e çon për në teatër. Nuk ka rëndësi se sa e gjatë është hapësira nga një shfaqje në tjetrën, pasi gjithçka shndërrohet në një tjetër dimension, momenti kur ai ngjit në lëkurën e tij personazhin e radhës. Ka një kod të heshtur mes aktorit dhe personazhit që interpreton. Një kod që është vështirë për t’u deshifruar, pasi shpesh nuk arrin të gjesh kufirin mes njërit dhe tjetrit. Kufiri është aq i padukshëm…I veshur me rrobat e Samurajit, Redjan Mulla ishte shndërruar i tëri në një personazh që mbartte brenda jo vetëm forcën por edhe dhimbjen. Një burrë i vendosur për të thënë të vërtetën, e për të dhënë versionin e tij për konfliktin që lindi për flladin e lehtë të erës, i cili ngriti vellon e gruas dhe zbuloi fytyrën e saj. Një dramë për të vërtetën, një nga temat më bashkëkohore sot, nuk kishte si të mos e prekte një aktor që është i ndjeshëm ndaj çështjeve të shoqërisë sot. Mulla duhej të shndërrohej i gjithi në një samuraj, i cili më shumë se me fjalë i duhej të fliste me gjuhën e trupit. Një histori që vjen nga Japonia e largët, një zgjedhje e menduar mirë e Jonida Beqos, ngjiti për disa fundjava rresht në skenën e Teatrit të Metropolit, dramën “Rashomon”, ku Mulla interpretoi rolin e samurajit. Ngjarjet zhvillohen në Kioto të Japonisë, rreth një mijë vjet më parë, vend i cili deri në shekullin VI ishte kryeqyteti i Japonisë. Porta Rashomon ishte hyrja e madhe në qytet. Me rënien e Kiotos, Rashomon u bë një vend i frekuentuar nga hajdutë dhe kufoma të braktisura. Shfaqja nis në këtë portë, ku një prift, një druvar dhe një berber, diskutojnë mbi ngjarjen e krimit të ndodhur një ditë më parë. Nëpërmjet bashkëbisedimit të këtyre tre personazheve, jepen rrethanat dhe prezantohen tre personazhet e tjera: një bandit, një samuraji dhe gruaja e tij. Ngjarja rrëfehet nga këndvështrimi i këtyre tre të fundit, ku secili, sipas qëllimit dhe interesit të vet, i portretizon rrethanat dhe personat në favor të vetes. I mbushur me ndjenjën e fajit, druvari, i tronditur i pranon priftit dhe berberit që dhe ai ka qenë dëshmitar i rastësishëm i krimit. Një dramë nën një koncept ndryshe regjisorial, duke vendosur për herë të parë në teatër, skena të vërteta dyluftimi. Ndryshe nga teatri i Bertolt Brecht ku i është dashur të interpretojë herët, te vepra e dy autorëve Fay dhe Michael Caine, aktori shqiptar duhet të jepte shpirtin e kohës. Pavarësisht viteve ku të zhvendos pjesa, ajo mbartte gjithë shqetësimet e njeriut modern, gjithnjë në konflikt me të vërtetën dhe gjithnjë në kërkim të saj. “Për të arritur këtë rol, më është dashur të punoj me kujtesën”, thotë Mulla. Kujtesa është një element i rëndësishëm që zhvillon këtë rol i cili është konsideruar i vështirë në vëniet që ka pasur në skena të ndryshme. Samuraj nuk është thjesht një personazh, por një metaforë i cili simbolizon fuqinë, dhe përballjen me të vërtetën. Duket sikur janë dy role brenda një roli, të cilët duhet të flasin përmes trupit dhe zërit. Në skenën e Teatrit të Metropolit, Mulla ishte një Samuraj i vërtetë, ashtu si Fay dhe Michael Caine e imagjinuan kur e hodhën në letër në vitin 1959. Ai e ndjeu që do të ishte i tillë që kur lexoi për herë të parë personazhin. Ka një alkimi mes personazhit dhe aktorit, dhe kjo ndodh që në momentin e parë të takimit të tyre mes rreshtave. Më pas personazhi i dorëzohet aktorit, duke e lënë t’i japë jetë për disa orë. Është i bukur raporti i heshtur dhe shpesh torturues mes aktorit dhe personazhit. Mulla e quan interesante përvojën me këtë shfaqje jo vetëm për subjektin që i flet kohës, dhe historinë që mbart, por dhe për peshën që kishte roli që interpretoi. “Rashomon” ishte një udhëtim i bukur në teatër, i një aktori që gjithnjë gjen forma për të qenë në këtë udhë. Pas mbarimit të studimeve për regji në vitin 2004 në Akademinë e Arteve, Mulla ka qenë aktiv jo vetëm në teatër por edhe në kinematografi duke interpretuar si aktor në disa filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër si tek “Sekretet” e regjisorit Spartak Pecani, apo “Amnistia” e Bujar Alimanit. Por teatri mbetet stacioni i dashur, ku ka ndaluar herët. “Dy veta në shilarës”, një dramë amerikane e viteve ‘60, shkruar nga William Gibson, është një nga veprat ku ka interpretuar herët. Më pas ka qenë takimi me teatrin e Bertolt Brecht, një takim që e rrit aktorin. Teatrin e Brecht ai e ka provuar me role tek “Opera për tri grosh” apo “Arturo Ui”, role që kanë mbetur gjatë jo vetëm në kujtesën e tij si aktor. I konsideruar si teatri i distancimit, teatri i Brecht të përfshin dhe nuk ka se si të mos e ndjesh në fund të shfaqjes që ke qenë pjesë e një eksperience të rrallë në teatër. Si regjisor, Mulla ka vënë në skenë “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett. Një nga veprat më filozofike dhe njëkohësisht të ndjeshme të Beckett-it, që ka të bëjë me kujtesën dhe orët e shkurtra të lumturisë, kuptimin që çdo njeri duhet të gjejë në jetën e tij është boshti i kësaj shfaqjeje. Si regjisor Mulla priret drejt veprave që i flasin së tashmes, por edhe që mbartin një sfidë regjisoriale siç është Beckett. Por Mulla i përket një brezi artistësh që po krijojnë në një kohë jo të mirë për teatrin, dhe ku hapësirat për regjisorët e aktorë të rinj janë gjithnjë e më të vogla. E në këtë situatë që i ngjason shpesh absurdit, ata duhet të ngrenë ëndrrën e tyre, t’i japin jetë përmes personazheve që nuk ka rëndësi se nga vijnë, për sa kohë i bashkojnë me atë çfarë ata duan më shumë, skenën. Ashtu siç bëri samuraji, një personazh që zbriti nga Japonia e 1000 viteve më parë, për t’i treguar publikut një raport të ndërlikuar, e për t’i dhënë përgjigje pyetjes se si duhet ta gjejmë të vërtetën.