E shkruar më 1988, ky skenar për kinokomedi ka mbetur në dorëshkrim në familjen Bubani. Pjesa e shkruar plot humor të rikthen në Shqipërinë e viteve ‘80, kur Sadushi, një ish-drejtor ndërmarrjeje, i përkushtuar pas punës, sheh si e braktisin një e nga një ish-miqtë e kolegët pas daljes në pension


Untitled-9I veshur me një xhaketë të gjatë, si i ati, i biri i Dionis Bubanit, shkrimtar i njohur i letërsisë për fëmijë dhe i humorit, mban fort në duar një dorëshkrim. “Është një nga komeditë e tij më të bukura”, thotë ai, duke ta lënë dorëshkrimin e zverdhur nga koha në duar. I shkruar me shkrim dore, ky skenar për një kinokomedi, ashtu si Bubani e ka cilësuar në faqen e parë, është shkruar në vitin 1988 dhe mban titullin “Shamia e Sadushit”. Ky dorëshkrim është vetëm një nga ajo mori letrash që Bubani i ndjerë i ka lënë në studion e tij para se të ndahej nga jeta, gjashtë vjet më parë. I njohur për humorin e hollë, dhe për stilin plot sarkazëm, ai sjell në këtë vepër një histori të Shqipërisë para viteve ‘90, të jetës së thjeshtë që bëhej në ndërmarrjet e mëdha socialiste, përmes një personazhi që e ka quajtur Sadush. Nën një titull simbolik “Shamija e Sadushit”, Bubani orvatet të tregojë se shamia nuk është një element i vendosur rastësisht që në hyrje të komedisë. Ajo do t’i duhet Sadushit në rrugëtimin e tij për ta nxjerrë shpesh nga xhepi e për të fshirë lotët. Ai është një ish drejtor ndërmarrje, i cili ka qenë i përkushtuar ndaj punës, dhe kur del në pension sheh që të gjithë miqtë apo kolegët me të cilët ai ka jetuar e braktisin me indiferencën e tyre. Ajo që i kishte lidhur ata me Sadushin ishte posti i tij. Vuajtja e personazhit sjell një kinokomedi plot situata të ndërthurua dhe me humor, që është pjesë e letërsisë së shkruar nga Bubani. Përmes tij, ai sjell një fytyrë të vërtetë të një kohe dhe një sistemi. Një fabul, e thjeshtë, e cila ngjason tepër koherente edhe sot. “Sadushi ecën, në mbrëmje, kokulur. Teshtin dhe nxjerr shaminë e bardhë, me viza jeshile. Këtë shami do ta shohim herë pas here, gjatë tërë filmit. Me të, Sadushi do të fshijë djersët dhe lotët…”, lexon në faqen e parë të këtij dorëshkrimi, mbi të cilën është shkruar dhe nënvizuar me të kuqe “Ideja e skenarit të kinokomedisë”. Ja prologu i shkruar nga Bubani gati 20 vjet më parë. “Kalojnë rrugës Aristoteli dhe Besniku, dy punonjës të ndërmarrjes ushqimore, ku ka qenë drejtor Sadushi, para se të dilte në pension. Ata bisedojnë me gjallëri. Sadushi matet t’i përshëndesë. Ata nuk e përfillin dhe ikin tutje. Sadushit i ngrin buzëqeshja në buzë. Ata kalojën indiferentë pranë tij, sikur të jetë ndonjë gur kilometrazhi. Mendon: “Ndoshta nuk më vunë re. Po bëhet natë dhe kushedi ku e kishin mendjen”. Kthen kokën pas tyre dhe matet t’i thërrasë. Ata janë zhdukur në mes të kalimtarëve të tjerë. Në trotuarin tjetër, kalon një vajzë e zhdërvjellët, me flokë të shkurtra, me një çantë jeshile në dorë. Është Manjola, shefja e kuadrit të ndërmarrjes ushqimore. Sadushi e përshëndet përzemërsisht, por ajo ikën tutje pa i folur. Sadushi i thërret në emër, ajo ikën tutje pa e kthyer kokën. Ai shtang dhe mendon: “Me siguri dhe Manjola nuk më ka vënë re. Nuk ka asnjë arsye përse të mos më flasë. Nuk jemi vrarë të shkretën, kemi diskutuar sinqerisht probleme pune. Dhe unë në përgjithësi me vartësit e mi jam sjellë mirë, i kam respektuar dhe i kam ndihmuar me mish e me shpirt!”. Kapërcen rrugën, djathtas duket një lulishte, me një duzinë tavolinash ku shërbehet birrë dhe meze. Sadushi arrin te dera dhe i hedh një sy lulishtes. Të gjitha tavolinat janë të zëna. Askush nuk e fton si më parë. Shikon në fund të lulishtes një tavolinë me tre të njohur dhe me një karrige bosh. U avitet. Janë Zeneli (drejtor i ndërmarrjes tregtare), Nestori (ish-përgjegjës i repartit të sheqerit) dhe Pandi (drejtor i ndërmarrjes bujqësore)….”. Kjo është ideja që Bubani ka hedhur në faqen e parë të dorëshkrimit për Sadushin, një ide e cila shtjellohet më pas në 156 faqe të shkruara me aq kujdes nga një prej satiristëve më të mirë shqiptarë. Por duket se ky skenar do të qëndrojë gjatë në familjen Bubani, mes dorëshkrimeve të tjera që i biri, herë pas here i nxjerr si thesare për t’ua treguar miqve të tij. Ai thjesht do të botohet diçka nga i ati, kjo është ajo që ai ka në dorë të bëjë për të. Ky dorëshkrim, por dhe një mori dorëshkrimesh të tjera të lëna nga Bubani, nxjerrin në pah një problem me të cilin ne ende nuk jemi mësuar të përballemi në kulturën tonë. Dorëshkrimet e lëna pas vdekjes së autorit, të cilat zakonisht posedohen nga familjarët, janë në pjesën më të madhe të rasteve “thesare të humbura”. Duke i ruajtur me fanatizëm si një kujtim i vyer i njeriut të tyre të dashur, ata fshehin padashur autorin që është brenda tyre, duke e pasur të vështirë ta drejtojnë atë në rrugën që këto dorëshkrime duhet të kenë, botimin dhe kontaktin me lexuesin.


Dionis Bubani lindi në Bukuresht, më 18 shtator 1926, në rrugën atëherë të quajtur “Turku”, e më vonë “Malet Tatra”. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Bukuresht. Ishte djali i Gjergj Bubanit, përkthyes, editor e publicist. Gjatë viteve 1932-‘33 në Konstancë të Rumanisë, Gjergji botoi gazetën patriotike “Kosova“. Në vitin 1940, Dionis Bubani, së bashku me familjen u kthye në Shqipëri, vendlindjen e babait të tij. Pas katër vitesh që u kthyen në Shqipëri, regjimi komunist e burgosi Gjergj Bubanin, andaj Dionisi i ri u desh të kujdeset për vete dhe familjen. Ai punoi në një fabrikë biçikletash, shiti cigare rrugëve e nëpër kafene, por punoi edhe si kartelist, madje edhe si daktilograf në Ministrinë e Jashtme. Meqë ishte djali i publicistit, ai filloi të merret edhe me shkrime. Në fillim, punimet e veta i botoi në “Letrari i ri” dhe “Rinia”, ndërsa në vitin 1946, filloi të bashkëpunojë me revistën humoristike “Hosteni”, redaktor i së cilës u bë më vonë. Dinos Bubani në Tiranë studioi filologji. Gjatë punës së tij krijuese Dionis Bubani u mor me publicistikë, satirë, humor dhe letërsi për fëmijë e për të rritur, përkthime dhe me shkrimin e komedive. Për punën e tij krijuese dhe për përkthime ai u shpërblye disa herë. Ai njohu për së afërmi shumë rilindës e njerëz të shquar të kulturës sonë: ÇajupinAsdreninKutelinPoradecinLuarasinKadarenë,


Agollin, Godon, Grillon, Nikollën, Greblleshin, e shumë të tjerë, për të cilët edhe ka shkruar një vepër. Është interesant të përmendet se Dionis Bubani ka përkthyer edhe “Poemën” e Lasgush Poradecit nga rumanishtja në shqip, të cilën Poradeci e shkroi gjatë kohës kur po jepte provimin pranues në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht. Dionis Bubani vdiq në Tiranë, më 10 shkurt 2006.