Shembja e Teatrit, ish-eurodeputetja gjermane: Më tërbon fakti që Komisioni Europian në Shqipëri nuk ndërhyri. Apeli im për ambasadorët
Ish-eurodeputetja gjermane, Doris Pack gjatë një takimi me artistët që protestojnë për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar ka deklaruar se qytetarët e Tiranës, duhet të ishin pyetur me anë të një referendumi nëse janë dakord për prishjen e kësaj godine apo jo.
“Nëse duhet të ishin pyetur qytetaret me anë të një referendumi? Unë mendoj që qytetarët e Tiranës duhet të ishin pyetur nëse do të donin që të ndërtohen kulla të larta në këtë zonë apo të ruhej ky vepër e trashëgimisë kulturore”, tha ajo.
Pack nuk ka lënë pa shigjetuar as kolegët e saj europianë të stacionuar në Tiranë duke thënë se “ajo që e tërbon më shumë në këtë situatë është fakti se Komisioni Euriopian në Shqipëri nuk ndërhyri në këtë çështje”.
“Nuk e kam kuptuar pse Kryeministri dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë duan t’ia heqin Teatrin Kombëtar qytetarëve dhe ata s’kanë marrë një vendim të konsultuar për këtë çështje. Qeveria mori vendim për ta shkatërruar Teatrin dhe për të ndërtuar ndërtesa të tjera në këtë hapësirë. Kam një apel për të gjitha Ambasadat dhe ambasadorët se ata duhet të jepnin përgjigje se çfarë do të bënin për të njëjtën çështje në vendet e tyre”, u shpreh Pack.
Më pas ajo iu drejtua disa prej artistëve që protestojnë prej shumë kohësh, duke thënë:
“Nuk e kuptoj se si ju po protestoni kaq gjatë dhe njerëzit që kanë përgjegjësi për këtë nuk ju dëgjojnë”, deklaroi ajo.