Faksimilet e letrës janë ekspozuar në hollin e Muzeut Kombëtar, ku është hapur ekspozita “Marrëdhëniet shqiptaro-ruse në arkivat e dy vendeve tona”. Një sërë letrash, telegrame dhe fotografi ndërtojnë historinë mes dy shteteve


Oliverta Lila


Dokumente të nxjerra nga Arkivi i Shtetit, por edhe nga arkivat ruse, janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar për të dëshmuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Pjesa më e madhe e tyre i takojnë kohës së diktaturës. Në një mori dokumentesh, dallohen dy faksimile të një letre me shkrim dore. Poshtë shënohet: Letër e Enver Hoxhës dhe shënimet e mbajtura prej tij gjatë takimit me Stalinin 1949″. Letra mban datën 23.03.1949 dhe vetë Envet Hoxha ka shkruar në vija të përgjithshme ato që u biseduan me Stalinin. Gjatë gjithë kohës ai shënon për veten “komandanti”, titull me të cilin e thërrisnin edhe pas luftës. Letra përbëhet nga dy faqe, por shkrimi është vështirë i deshifrueshëm, veçanërisht në pjesën e dytë, ku në mungesë të dokumentit origjinal dhe të një cilësie të dobët të fotografisë (dokumentet janë fotografuar dhe stampuar në stenda), është e vështirë që shënimet të deshifrohen. Kuptohet se Enver Hoxha ka parashtruar disa nga problematikat në të cilat ndodhej vendi, tradhtinë e Koçi Xoxës, interesimin e Stalinit për pakicat që ndodheshin në Shqipëri.


23.03.’49 ora 22.05


Pritja nga shoku Stalin


Pyet komandanti: Si jeni nga shëndeti? Paksa i hequr. A i mbante mollzat nga neve?


Komandanti pyet nëse shoku Stalin i lejon të parashtrojë disa çështje.


– Shoku Stalin: Po kur pyesni shtroni gjithçka kini.


– Komandanti filloi nga paraqitja e situatës në vendin tonë pas letravet të BKп.


Kur komandanti flet për tradhtinë e Koçi Xoxes, Pandi Kristo dhe Kristo Themelko, Stalini pyet: Cilët janë këta sllav apo shqiptar?


Komandanti: Shqiptar. Shpjegon se Koçi Xoxe është nga Shqipëria ashtu edhe Kristo Themelko


Shoku Stalin: Ç’religjion kanë?


Komandanti: Orthodhoksë…


Komandanti flet për shpëtimin që erdhi nga letrat e B.K.SS


– Na kur kemi shkruajtur letrat nuk kemi ditur asgjë për çështjen që jugosllavët donin të sillnin forca gjoja kundër Greqisë, por në realitet për të përmbysur sistemin në Shqipëri. Ne sa e kemi marrë vesh nuk ka munguar vigjilenca juaj, por edhe jona.


Jugosllavët e binin tradhtisht këtë


Desha t’i bëj një pyetje Enver Hoxhës: Cilët janë minoritetet në Shqipëri!


Komandanti gjegjet: Afro 5000 të huaj e më shumë dhe për një pakicë greke.


Po shqiptarë ka në Jugosllavi?


Afro një milion…”


Pasi në fletët tjetër shënohen edhe rreshta të tjerë që nuk arritëm t’i deshifrojmë, letra mbyllet me shënimin: “ora 00.15’. Shoku Stalin ngrihet dhe na përshëndet. Këto shënime u mbajtën nga E. Hoxha”.


Përkrah këtyre faksimileve qëndron edhe një letër e shkurtër që Enver Hoxha i dërgon mbi këtë takim Tuk Jakovës (ministri i ri shqiptar në Beograd që kishte negociuar vajtjen në mënyrë legale të Enver Hoxhës në Moskë). Ai shkruan:


“Tukut


U pritëm shumë përzemërsisht nga Vishinski. Dje na priti shoku Stalin. Qëndruam te Stalini 2 orë e 10 minuta. Pritja ka qenë shumë e përzemërt. I shtruam kërkesat tona. Ai u përgjegj se do të na ndihmojnë. Bisedimi i Stalinit ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme për përparimin e vendit dhe forcimin e partisë.


Shumë e do shoku Stalin popullin tonë…”.



Në ekspozitë gjejmë edhe një fotografi të Enver Hoxhës gjatë vizitës së atij viti në Moskë. Në ekspozitë ka një mori dokumentesh të tjera që flasin për marrëdhëniet mes dy shteteve. Gjen aty kërkesën e shprehur nga Enver Hoxha në vitin 1949 për dërgimin e kuadrove të rinisë për studime në shkollën e Komsomolit. Ai shënon: “Duke pasur parasysh nevojën e madhe që ndiejmë për edukimin e kuadrove, në qoftë se ka mundësi lutemi që të pranohet kërkesa jonë për të dërguar 10 kuadro të Bashkimit të Rinisë Punës Shqipërisë për studim në Shkollën Qendrore të V.L.K.S.M. Këto kuadro do të jenë anëtarë e kandidatë të K.Q. të B.R.P.SH. dhe disa sekretarë shumë të mirë rrethesh. Ju përshëndesim n’emër të K.Q. të P.P.SH, Sekretari i Përgjithshëm, Enver Hoxha”.


Të tjera letra të vitit 1953 flasin për projekt-marrëveshjet me qeverinë sovjetike, korrespondenca e Komitetit Qendror të PPSH-së me KQ të BRSS mbi hapjen e muzeut “Lenin-Stalin”, Qarkore e MPJ mbi heqjen reciproke të vizave diplomatike me BRSS më 1956-n, mbi ngritjen e Pallatit të Kulturës si dhuratë për popullin shqiptar, 1958, vizita e Hrushovit në Tiranë më 1959-n duke vazhduar me letrën për mosmarrëveshjet mes dy vendeve në vitin 1960. Në ekspozitë ka gjetur vend edhe dokumentacioni pas vitit ’90, duke pasqyruar edhe marrëveshje të nënshkruara vitet e fundit.