Jeta e kompozitorit të njohur përmes disa faqeje ditari që la pas në 80-vjetorin e lindjes…



Kur tingujt e Ravel, mbushnin hapësirat e apartamentit ku ai ndante jetën bashkë me të shoqen dhe vajzën Etrin, Feim Ibrahimi ulej në tavolinën e punës dhe shkruante. Ato nuk ishin nota mbi partitura, por shënime mbi atë çfarë nuk mund t’i thoshte dot as te miqtë, apo kolegët. Me besimin që kishte te shkrimi, ai e dinte se ky ishte një dialog që mund t’ia besonte vetëm vetes, apo Verës (të shoqes). Ajo ishte gjysma tjetër e tij, ajo që e kuptonte me një vështrim gjendjen e kompozitorit. Sot ajo nuk mund të harrojë shqetësimin e tij pas kritikave të vazhdueshme pas Festivalit të XI apo Plenumit IV në fillim të vitit 1973, apo sesi Koncerti nr. 1 për piano dhe orkestër, i cili solli dhe kthesën e parë në muzikën profesioniste shqiptare, do t’i sillte aq shumë ankth. Në studion e Feimit ajo ende sot ruan procesverbalet origjinale të diskutimeve të gjata deri në mëngjes, dhe zhytet në trishtim. Por çuditërisht në raportin e Plenumit IV, mbajtur nga diktatori, emri i Feimit rreshtohet pas emrave të kompozitoreve Çesk Zadeja e Tish Daija si kompozitorët më të mirë…”Feimi nuk është dënuar me ndonjë internim apo transferim apo burgim…Feimi është kritikuar ashpër për veprat të cilat i janë censuruar dhe ndaluar për t’u ekzekutuar apo për t’u transmetuar. Kështu janë bërë mbledhje të stërzgjatura, madje edhe në Komitetin e Partisë së Tiranës për Koncertin nr. 1 dhe nr. 2 për piano( 2 u ndalua dhe thuajse u zhduk edhe fizikisht, sepse u fshinë edhe regjistrimet. Për fat shpëtoi partitura).Po kështu e pësoi edhe Koncerti për oboe&Orkestër. Dhe të mendosh që të tria këto vepra kanë fituar Çmimin e Madh të Dekadës së Majit e pastaj gjithçkaja përmbysej. Për sa më sipër, unë disponoj procesverbalet origjinale të atyre mbledhjeve që zhvilloheshin në bodrumet apo në sallën e Lidhjes, faksimile të të cilave i kam botuar edhe në librin tim “Vikama e tingullit” dhe kam shpjeguar disi edhe fatin që e shpëtonte. Ndoshta mund të paralelizohet me fatin e më të shquarve tanë në letërsi”, thotë Vera. Më 20 tetor ishte 80-vjetori i lindjes së një prej artistëve më në zë të muzikës klasike shqiptare, Feim Ibrahimi. Një përvjetor që kaloi në heshtje për një reformator të muzikës shqiptare, me veprat që kanë zënë vend jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë. Në këtë përvjetor, bashkëshortja e tij Vera, na tregon disa detaje nga ditarët e mbajtur nga Feimi, ku shpreh pikëpamjen për gjendjen që po kalon vendi, por dhe ato mbi estetikën në muzikë. Kritikat e vazhdueshme mbi veprat e tij, duket se e kanë trishtuar kompozitorin, i cili ndihet fajtor në një farë mënyre ndaj njerëzve të tij të afërt që mund t’i kishte shkaktuar shqetësim. Ja çfarë shkruan ai në një nga shënimet: “Vazhdimisht kam ndier nevojën të hedh shënime nga ajo që kam jetuar, sidomos nga 30 vjetët e fundit, periudhë, e cila natyrisht është ajo kur u krijua e u formua personaliteti im si kompozitor. Ngjarjet që kam kaluar shumë vite të shkuara më kanë tronditur, në kohën e tyre, më kanë krijuar vështirësi dhe shqetësime të mëdha. Ato disa herë kanë qenë të rrezikshme për mua, gruan dhe vajzën time të vetme dhe pse jo edhe për rrethin familjar, vëllain, motrat ndoshta edhe nipat e mbesat. Ç’ishte ky fat për një absurditet të tillë? Ç’faj kishte gruaja Vera, vajza Etri vogëlushe 5 apo 6-vjeçare pse munda të “gaboja” unë? Pse për një të ashtuquajtur gabim ideologjik në krijimtarinë time duhet të kishte dy a tri a katër a më shumë dënime unë, gruaja, vajza, etj…”. Interesante janë dhe shënimet e tij mbi estetikën në art. “Krijimtaria është gjendje emocionale është botë ndjenjash. Sa më i madh është pushteti i ndjenjave mbi krijuesin, aq më i veçantë e aq më i panatyrshëm është edhe reagimi i tij nga faktorët realë…Sa shqetësime, sa fluturime, sa gëzime e trishtime ndien njeriu në gjendje të tillë…”, shkruan Ibrahimi. Pak më tej në një tjetër citat nënvizon se “Çdo njeri ka botën e tij. Edhe krijuesi ka një botë të vetën që e krijon gradualisht, me mund dhe përpjekje. Ajo është rezultat i një akumulimi të gjatë dijesh, njohurish, pune, eksperience. Sa më e madhe dhe sa më e pasur të jetë, aq më shumë ndikon dhe reflekton ajo në sasinë e në cilësinë e krijimtarisë…”. Sipas tij, “arti i një kombi nuk zhvillohet e nuk trajtohet në parcela të veçanta…Mohimi dhe indiferentizmi për çdo gjë shqiptare që zhvillohej jashtë atdheut-mëmë, ka qenë një linjë e ndjekur në letërsi, art, kulturë, shkencë…”. Tepër kritik ndaj ideologjizmit, ai e shihte atë si një devijim për artin”. Ideologjizmi ka ndikuar në trajtimin e gabuar dhe me ekstremitete të problemeve estetike. Absolutizmi i kërkesave për vepra të thjeshta e të kuptueshme, demokratizimin e muzikës e barazoi me vulgaritetin, duke shmangur zbërthimin e problemeve serioze përmes koncepteve filozofike. Fobia ndaj së huajës dhe qëndrimet dogmatike i sollën dëm të madh krijimtarisë muzikore”, shkruan Ibrahimi. Në një tjetër shënim lexojmë:”Ars nova” nuk është thirrje e re, ajo vjen nga thellësitë e shekujve të Mesjetës së hershme, vijon dhe do të vijojë gjithë jetën. “Ars nova” kemi thirrur edhe në Shqipërinë në fundin e viteve ’60-të e në fillimin e viteve 70-të, në kushtet e diktaturës së rreptë të Europës. Megjithatë, krijimtaria jonë muzikore nuk është më udhëkryq me pikënisje, siç mund të luajë me fjalë ndonjë “kritik”, por është një kthesë te një rrugë e nisur me kohë…”. Kompozitori ka bërë dhe jetëshkrimin e tij, duke nisur nga qyteti i lindjes, Gjirokastra. I lindur më 20 tetor 1935 në këtë qytet, Ibrahimi është një nga kompozitorët me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Studimet i bëri në Konservatorin e sapokrijuar në atë kohë të Tiranës më 1962 nën drejtimin e Tish Daisë deri në vitin 1966. Më pas ai do të jepte mësim në degën e kompozicionit e më vonë do të mbante dhe postin e nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve. Posti i tij më i lartë qe ai i sekretarit për muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1977–1991) ; më vonë qe edhe drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit. Pas rënies së diktaturës Ibrahimi u përpoq të bënte të njohur muzikën tonë jashtë vendit, por jeta nuk i la shumë kohë për këtë, pasi mbylli sytë përgjithmonë më 2 gusht 1977 në Torino.


 


Pjesë nga ditari


E përkryer ishte diktatura gjysmëshekullore për ne shqiptarët o miqtë e mi


Uragan i papërmbajtshëm tmerr i pafund në pafundësi


Viktima të vrarë, të vrarë viktima


Vrasësit jetojnë


Të vrarët vdekur…


“O Tempora o Mores”!


Paqe të përjetshme atyre që ranë për lirinë pa liri


Paqe të përjetshme të pafajshmëve që humbën nga pafajësia


Përjetësi kujtimit të atyre që na lanë pas të ndershmin kujtim të përjetshëm


Amin!


Salzburg. 10 mars 1994