Alush Shima, një nga emrat më të njohur të pikturës shqiptare, në një rrëfim për jetën nën diktaturë dhe artin e soc-realizmit. 100 pikturat e krijuara për Enver Hoxhën dhe çfarë ka ndryshuar në pikturën e tij sot…
Arti
Kur Alush Shima krijoi pikturat që sot i ka ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve ishte vetëm një student. Në Tiranën e viteve 1968-1973, ai përpiqej të zgjidhte mes asaj çfarë ndodhej brenda tij, dhe frymës së artit zyrtar që mësonte në Institutin e Lartë të Arteve. Ka qenë një kohë kërkimesh të gjata, ditësh të tëra mbi tablo për të kuptuar atë çfarë vërtet do të ishte arti i tij…dhe në fund artisti i ri iu dorëzua dëshirës, formës që e kishte parë në fotot ilustruese të El Grecon e më vonë të Matisse apo Picasso-s. Sigurisht që kjo zgjedhje nuk do të ishte e lehtë, por artisti nuk do ta pranonte asnjëherë sistemin. Ai zgjodhi të pikturonte lule, i bindur se ato ishin më të vërtetë se njerëzit, dhe t’u jepte dritën që mungonte në jetë pikturave të tij. Më 11 prill 1985 kur diktatori Hoxha vdiq, Shima mblodhi një tufë me irida në oborrin e Kinostudios ku në atë kohë punonte si piktor filmash, dhe vrapoi për në shtëpi. U fut në studio dhe i vendosi lulet në tryezë dhe nisi nga puna. Kjo tablo do të shitej në vitet ‘90 në Londër. “Territore të vogla”, ekspozita që e riktheu sërish në Galerinë e Arteve është pikërisht koha e fillimeve të tij në pikturë… Dëshira për t’u shprehur i lirë ndihet në çdo tablo, që në fushat e arta të grurit, dasma me fytyra të qeshura e Skënderbeut, flokët e krehur ndryshe të Margarita Tutulanit, në tablotë e Zanës (bashkëshortes së tij) veshjet e saj plot ngjyra, disa vizatime nudosh, apo krijesat e çuditshme që kërkojnë të shprehin një revoltë ndaj kohës pak më tej…Kjo ekspozitë është nisja e një rrugëtimi të gjatë artistik për Alush Shimën, që ashtu si për çdo artist që jetoi në një sistem totalitar nuk ka qenë i lehtë. Por, sot teksa i sheh këto piktura gati 40 vjet më pas, Shima ndihet sërish i lirë, dhe i qetë që ndryshe nga artistë të tjerë miq të tij, nuk bëri pakt me kohën. Ai jetoi i dyzuar ashtu siç shprehet në intervistën e mëposhtme, duke bërë dy jetë, atë përtej shtëpisë dhe jetën brenda saj në studio, aty ku ishte “Ai”, i vërteti…
Riktheheni në Galerinë Kombëtare të Arteve, që dikur e keni drejtuar, me një ekspozitë me tablo të viteve 1968-1973. Si ishte kjo periudhë për ju?
Pjesa më e madhe e tablove të kësaj ekspozite, i përkasin një kohe kur unë isha student në Institutin e Lartë të Arteve. Janë detyra jashtë shkolle, që na i jepnin në atë kohë dhe unë i bëja për të provuar veten, për të parë se si mund të ndërtoja një kompozim, si mund t’i vendosja figurat, si mund të ndaja planet për të mësuar… Këto tablo janë dhe kërkimet e mia të para artistike. P.sh tabloja e parë që shihet në hyrje të ekspozitës, me një fushë me grurë, është realizuar gjatë praktikës së vitit të katërt. “Dasma e Skënderbeut”, një tjetër tablo që juve ju tërhoqi vëmendjen është realizuar po në kohën kur isha student. Ajo është një pikturë realiste, dhe nuk ka probleme me formën, në mënyrë që të përbënte rrezik. Këto ishin piktura që unë i realizoja në shtëpi dhe i ruaja aty.
Që në fillimet e para në pikturë, keni zgjedhur një formë e cila binte ndesh me formën zyrtare të kohës… I kujtoni përpjekjet e para për të krijuar atë që do të ishte më vonë stili juaj artistik?
Kur mbarova Institutin e Lartë të Arteve për pikturë, fillova ta kërkoja pikturën me një formë disi më ndryshe, jo duke ndjekur parimet e realizmit socialist, që ishte dhe metoda e vetme që ekzistonte te ne, një metodë e huazuar nga Rusia, por që mua nuk më pëlqente e nuk isha dakord me të. Fillova ta shihja pikturën në një këndvështrim tjetër, duke e parë disi më ndryshe ashtu si orientohej piktura kryesisht në Europën Perëndimore. Pikturat që janë në këtë ekspozitë i përkasin një periudhe të viteve 1968-1973. Të gjitha reflektojnë një fazë timen kërkimore, pasi në atë periudhë isha në kërkim të vetes. Shkolla në atë kohë ishte një institucion ku mund të mësoje anën profesionale dhe orientimi që ajo të jepte ishte drejt artit të realizmit socialist që ishte metoda zyrtare e kohës. Nëse duhet ta shihje pikturën ndryshe nga kjo mënyrë, përpjekjet duhet të ishin personale, dhe duhet të përpiqeshe të gjeje mundësitë për t’u ballafaquar me vepra të huaja arti, gjithmonë përmes ilustrimit, pasi veprat reale nuk kishe ku t’i gjeje. Ishte një periudhë ku dëshira për artin më bënte të gjeja mundësi nga më të çuditshmet.
Një pikturë që të tërheq vëmendjen në këtë ekspozitë është dhe portreti i një burri veshur me kostum, tepër elegant i Mihal Hanxharit… Cila është lidhja juaj me këtë personazh?
Mihal Hanxhari ka qenë drejtori i Bibliotekës së Universitetit të Tiranës. Një njeri i cili kishte studiuar në Budapest dhe në vitet ‘60-‘75 kryen një punë të shquar për ngritjen në nivele europiane të bibliotekës së universitetit. Unë dhe shumë shokë të mi, kemi mësuar shumë prej tij, pasi ishte një njeri me nivel të lartë kulturor, në mënyrë të veçantë në fushën e arteve. Ai posedonte një arsenal librash të cilat ruheshin në një fond të veçantë në bibliotekë, ku ndër të tjera kishte dhe shumë libra arti, të cilët na i jepte pa asnjë lloj hezitimi. Shpesh ai dhe i komentonte këto libra duke na treguar se përse ishte ndërtuar në atë mënyrë piktura, apo çfarë kishte dashur të shprehte autori. Ai na ka treguar gjëra që gjatë viteve të shkollës as që i kishim prekur fare, pasi dhe profesorët kishin frikë të shpreheshin, pasi ishin njerëz që paguheshin prej shtetit. Përmes këtij njeriu ne patëm fatin të hapnim një dritare, për ta parë pikturën dhe artin në një sens krejt tjetër.
Duket se ka pasur një lloj lirie në art deri në vitet e para të ‘70-s?
Ato vite kanë qenë shumë të vështira, sepse me pikturën luhej me jetën e njeriut. Aq më tepër pas plenumit të katërt në vitin 1973. Përpara këtij plenumi kishte nisur një lloj hapje ndaj artit dhe shumë artistë ishin ndier disi të çliruar duke besuar se kjo hapje do të zgjaste. Nuk mendohej se mund të ndryshohej metoda e soc-realizmit, por kjo metodë mund të ishte disi më e lirshme për krijuesit. Plenumi dhe ajo çfarë ndodhi pas tij, tregoj se hapja ishte thjesht një ëndërr që ne kishim krijuar në kokat tona dhe realisht asgjë nuk ishte e vërtetë. Plenumi tregoi se linja që komunizmi kishte projektuar në art do të vazhdonte deri në fundin e tyre.
Si ka qenë jeta juaj nën diktaturë? Si e kujtoni veten në atë kohë?
Nga këndi që e shoh sot atë periudhë mendoj se kam qenë një njeri i dyzuar. Njëri që isha për publikun, për njerëzit që më rrethonin në punë, në lagje dhe tjetri ai që isha brenda në studio, ai i vërteti. Në atë kohë njeriu ishte i detyruar të mbante një maskë dhe të fshihte të vërtetin që ishte realisht. Kjo situatë ka qenë për një numër të madh njerëzish që ndryshe shfaqeshin e ndryshe ishin. Por, kjo ishte një maskë mbrojtëse pa të cilën pasojat mund të ishin tepër të egra, sepse ai sistem i tillë ishte ndërtuar mbi dhunë dhe vetëm përmes dhunës mund ta mbante pushtetin aq sa e mbajti. Kam shumë kujtime jo të mira nga ajo periudhë… P.sh. njëherë një punë e imja në një ekspozitë, kishte ngjallur pakënaqësi te drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Më thirri sekretari i lidhjes në atë kohë, Kujtim Buza, dhe më kërkoi ta rishikoja pikturën dhe se do të bëhej një mbledhje për këtë punë… “Merre dhe njëherë në shtëpi e shikoje”, më tha. Raste të tjera të kësaj natyre kam pasur plot, dhe kur punoja si piktor filmi në Kinostudio. Gjithnjë gjendeshin njerëz që do të kritikonin të gjenin pakënaqësira në punët e mia, njerëz që i pëlqente të bënin këtë punë…Por, kujdesi në ato vite ka qenë më se i tepruar, pasi ndryshe s’mund të bëhej.
Por, me gjithë censurën e madhe që kishte në art në atë periudhë, në karrierën tuaj, ju keni një periudhë ku atakoni shtetin, dhe pikërisht udhëheqësin Enver Hoxhën… Në vitin 1994 ku hapët një ekspozitë, me piktura që i kishit realizuar gjatë socializmit dhe i mbanit të fshehura ku figura kryesore ishte udhëheqësi komunist?
Unë që i vogël nuk e kam pëlqyer atë regjim. Në fillim nuk dija ta shpjegoja pse, por me kalimin e viteve e gjeta përgjigjen. E para në atë sistem nuk ishim të lirë dhe liria është gjëja elementare që kërkon njeriu, dhe kur s’ke lirinë nuk ke asgjë. Ky ishte një element i rëndësishëm për të mos e dashur atë sistem. Kur hyje në probleme arti, ai sistem ishte i jashtëzakonshëm me skandalet që krijonte me pikturat. I gjithë arti ishte një gënjeshtër e madhe. Çdo vepër që varej në ekspozitë ishte një farsë. Asgjë nuk kishte nga e vërteta. Jo vetëm nga e vërteta jetësore, por as nga ajo artistike. Por as dhe si kualitet artistik, pasi ishin punë që shiheshin vetëm nga përmbajtja. Gjithçka ishte vetëm ashtu si e donin ata, për të bërë propagandën e tyre. Dhe ky cikël pikturash që ju thoni, është realizuar pikërisht në ato vite të vështira. I kam prezantuar në një ekspozitë në vitin 1994, por kam përshtypjen që kanë nevojë për një riciklim, për t’i sjellë sërish në një tjetër ekspozitë. Ato janë krijuar me tema politike të para nëpërmjet meje, ku shfaqen dukuri, të cilat ishin amorale për kohën. Kam një seri të madhe me portrete të Enver Hoxhës. Por unë s’i kam bërë ato piktura duke shfaqur portretin e tij, por e kam bërë si gomar, si majmun, si përbindësh, si monstër. Në forma të tilla është i gjithë cikli i atyre pikturave. Janë mbi 100 piktura, të cilat i kam realizuar në atë lloj forme, pasi atë ndjesi më ngjallnin ato fjalime që ai citonte para njerëzve. Këto piktura kanë qenë të fshehura sigurisht, pasi të gjenin ato punë në atë kohë, ekzekutimi ishte pak. Dy poetët e Librazhdit u ekzekutuan për një vjershë mendo të shiheshin mbi 100 punë me atë subjekt. Ishte fat që unë arrita të mbijetojë dhe t’i ruaja këto vepra të cilat janë edhe sot.
Çfarë mendoni për artin e krijuar në atë periudhë, dhe për atë brez piktorësh që e krijuan atë?
Ata ishin piktorë që iu përshtatën sistemit, dhe me veprën e tyre krijuan atë gënjeshtër të madhe. Realisht, punët e krijuara në atë periudhë nuk di si t’i quaj, por megjithatë ato mbeten punë që i kanë shërbyer regjimit. Vepra e tyre po ta shohësh në sensin njerëzor është e pazakontë, është një gjë e transformuar. Gjithçka në ato vepra i është përshtatur politikës që ndiqte Partia e Punës. Sigurisht që ka pasur piktorë të aftë, nuk e vë në dyshim, të cilët po të kishin qenë ndryshe mund të kishin realizuar vepra shumë të mira, por kjo ka qenë zgjedhja e tyre. Unë nuk i kritikoj, secili mban përgjegjësinë në kurrizin e tij, por piktura që u realizua në atë kohë ishte e tillë. Ishte vetëm një propagandë për sistemin.
A keni pasur modele, piktorë që do të donit t’i ngjanit?
Sigurisht që kam pasur shumë modele, pasi duhet kuptuar që arti kështu ndërtohet. Çdo piktor apo çdo krijues në fillim duhet të shohë paraardhësit e tij, të shohë punët e tyre, të marrë prej tyre dhe në fund të gjejë veten. Dhe shembuj të tillë ka plot. Kam pasur shumë autorë që i kam pasur idhuj, të cilët edhe sot i nderoj, pasi prej tyre kam mësuar shumë. Në moshën e re kam pasur si idhull El Greco-n, Peter Paul Rubens, më vonë kam pasur Henri Matisse, Pablo Picasso-n… Janë mjeshtër të mëdhenj nga të cilët çdo i ri mund të mësojë jashtë mase. Por për fatin tim të keq këta piktorë në atë kohë kanë qenë të ndaluar e nuk pranoheshin. Ishte diçka e madhe dhe t’u zije emrin në gojë. Ne mund të flisnim vetëm për piktorët rusë, të cilët jo se ishin piktorë të këqij, por kishin një mënyrë tjetër të të parit të pikturës.
Në këtë ekspozitë shumë tablo i janë dedikuar femrës. Ç’vend ka zënë femra në pikturën tuaj?
Jo vetëm në pikturën tim, por në art femra zë gjithmonë një vend të rëndësishëm, sepse është një figurë delikate, e bukur dhe për një artist është një objekt frymëzimi. Nuk di të ketë një piktor i cili nuk ka vizatuar femrën. Një pjesë të tablove femra i përkasin gruas sime, Zanës. Ndërsa tabloja e quajtur “Studentja” është Margarita Tutulani, të cilën unë e kisha bërë për një ekspozitë dhe nuk u pranua, me idenë se nuk është një vepër që i përshtatet metodës së realizmit socialist. Kur e shoh pikturën mendoj se nuk kishte ndonjë gjë për të mos u pranuar. Kjo punë do të ekspozohej në “Ekspozitën e pranverës”, e cila dukej sikur kishte krijuar një lloj lirie për artistët, por duket se ajo ishte një liri që ne e kishim krijuar në mendje, pasi nuk ekzistonte, parimet ishin po ato.
Çfarë ndryshuan vitet ‘90-të në pikturën tuaj?
Vitet ‘90 qenë një ndryshim i madh jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Fituam atë që ne e quanim të pamundur më parë, lirinë e shprehjes. Për një njeri që merret me art kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë kisha tri dekada që e ëndërroja këtë liri, për të bërë atë çfarë dëshiroja dhe të mos i fshihja punët e mia brimave. E kjo liri erdhi në ‘90-n. Sigurisht që erdhi me shumë reformacione, me shumë gjëra që ne si mendonim që do të ndodhnin ashtu, por e rëndësishme është që liria erdhi…Kjo solli një lloj ndryshimi dhe në pikturën time, por thelbi i pikturës sime është sërish mbi të njëjtat linja dhe forma në të cilën ka ecur ndër vite. Unë kam qenë korrekt i parimeve të mia e kam vazhduar në këtë mënyrë. Këto 20 vite piktura mund të jetë perfeksionuar, pasi mundësitë e perfeksionimit janë më të mëdha, qoftë edhe nga ana teknike. Po t’i shihni tablotë e vendosura në këtë ekspozitë nga mbrapa do të shihni kushtet e varfra në të cilën ato janë krijuar. Kurse sot hapësira është e madhe për të gjetur mundësitë për të shprehur artin tënd. Këtë e quaj sukses jo vetëm për mua, por për të gjithë artistët shqiptarë që janë të lirë të gjejnë veten, në ato forma që ata dëshirojnë. Sot çdo njeri e gjen vetë rrugën e tij, pa e trembur se dikush do ta ndalë nga qëllimi tij, duke i thënë se kjo nuk duhet bërë kështu…
A keni pengje?
Sigurisht që kam pengje. Nëse do të kishim qenë të lirë në ato vite, ndoshta piktura ime do të kishte shkuar më përpara. Por, edhe me kaq unë jam i kënaqur, pasi mendoj se kam ditur të orientohem drejt.
box
Shima, piktori 1 milion dollarë
Gati 9 vjet më parë revista “Millionaire” e Las Vegasit do të publikonte çmimin rekord në historinë e artit shqiptar, që lidhej me tablonë “Iridat e shpresës” e piktorit Alush Shima që nxirrej në shitje për 1 milion dollarë. Vepra e realizuar nga piktori në vitin 1984, i ishte shitur një milioneri zviceran nga autori më 1993-in me çmimin 17 mijë dollarë. “Iridat e shpresës” është vërtet një relike. Një natyrë e vdekur në stilin impresionist, e realizuar në vitin 1984, kur arti në Shqipëri ishte në presionin e censurës, dhunës dhe varfërisë ekonomike. E pikturuar në vaj mbi një thes sheqeri, ajo merr akoma më shumë vlerë. Dhimbja e njeriut e përkthyer në një thes sheqeri në gëzim të shpirtit. “Alush”- Më e madhja histori arti që nga Van Gogh-u? Kjo pikëpyetje shoqëronte prezantimin e piktorit shqiptar në revistën “Millionaire”. Ashtu si Gogh-u pikturat e Shimës të joshin me dritën që mbartin. Kritika e huaj e ka afruar shpesh punën e tij me të, jo vetëm për dritën, por dhe për portretet që ka realizuar. Alush Shima është një nga artistët shqiptarë, punët e të cilit vazhdojnë të jenë në tregun bashkëkohor të artit në botë si ndër më të kërkuarat. Ka shitur në Amerikë, Britaninë e Madhe, Greqi, Singapor etj. Në dukje të thjeshta, pikturat e Shimës të përfshijnë me ngjyrat dhe elementët që mbartin. Pas viteve ‘90-të, Shima është një ndër artistët që diti ta “shiste” artin e tij, jashtë hapësirës shqiptare. Ai ka udhëtuar, duke hapur ekspozita në Galeri të ndryshme në botë, por dhe duke zgjedhur vende që ishin frymëzuese për të pikturuar. Dhe pse nuk është më në moshën që ishte kur krijoi pikturat e kësaj ekspozite, Shima është në një kërkim të vazhdueshëm artistik, duke pikturuar çdo ditë. Ai vazhdon të besojë te forma që ka zgjedhur në telajo, dhe ta shohë pikturën si një komunikim prej të cilit nuk mund të ndahet…