“Programimi krijues, angazhimi me shikuesit dhe nuhatja për prirjet e reja qëndrojnë në thelb të transmetimeve të shkëlqyera televizive” – Michel de Rosen, Drejtori Ekzekutiv i Eutelsat.
Transmetuesi satelitor Eutelsat, përmes të cilit Digitalb mundëson transmetimet e tij satelitore, shpalli fituesit e Çmimeve Televizive 2012. Çmimet Televizive Eutelsat (Eutelsat TV Awards) është një ngjarje ndërkombëtare unike, që vlerëson cilësinë e kanaleve televizive tematike që transmetojnë përmes satelitit. Mbi 120 kanale nga 19 vende morën pjesë në konkurrimin e këtij viti, me formatet e tyre të programimit, inovacionin dhe marrëdhëniet me audiencën, të vlerësuara nga një panel ekspertësh të medias që përfaqësojnë tregjet e transmetimit më dinamike në botë.
Simon Albury, ish-Shefi Ekzekutiv i Shoqërisë Mbretërore Televizive (Royal Television Society) dhe kreu i jurisë së sivjetshme tha: “Duhet theksuar se 2012-a ka qenë një vit historik për televizionin. Rekordet e mëparshme të shikueshmërisë nëpër botë u thyen nga mega-evente si lojërat olimpike dhe transmetuesit dëshmuan kapacitetin e tyre të pakufi për të krijuar ide inovative programimi dhe për t’i kthyer mbërritjen e platformave të reja dhe ndryshimin e zakoneve të shikuesve në avantazhin e tyre”.
Çmimet e Jurisë
Juria e Eutelsat përfshin ekspertë nga publikime dhe shoqëri televizive lider në rang botëror. Çmimet e jurisë për këtë vit iu dhanë “Teletoon+” në Poloni për kanalin e saj për fëmijët, për seksionin e Kulturës/Dokumentarëve morën çmime “Top Secret” (Rusi) dhe “Pasto TV” (Afganistan). Për seksionin “Lifestyle” u vlerësua “Real Time” nga Italia; për Lajme/Informacion, “Sky TG24”; për Programin më të Mirë, “Sheakspeare from Kabul” nga BBC në persisht; dhe për kanalin më të mirë, “Spiegel TV Wissen” nga Gjermania.
Gjithashtu, në seksionin e Kinemasë, mori çmim “Premiera” nga Rusia; për seksionin Fiction/Zbavitje e Përgjithshme u vlerësuan “MBC 1 HD” nga Emiratet e Bashkuara; për Muzikën u vlerësua “C Music TV” nga Mbretëria e Bashkuar; për Sportin, çmimin e mori “Eurosport” në Francë, ndërsa zgjedhja e publikut i shkoi “TRT Haber” nga Turqia.
Çmimet Speciale
Përveç çmimeve të ndara nga juria, Eutelsat shpalli edhe dy çmime speciale në Venecia. Një çmim u dha për “Sky Sports Group” për mbulimin e jashtëzakonshëm të Lojërave Olimpike 2012, me 13 kanale të dedikuara, 12 nga të cilat ishin HD dhe një 3D. Një skuadër prej 60 atletësh italianë që kanë fituar një numër të kombinuar prej 600 medaljesh olimpike, punuan krah më krah me gazetarët sportivë për të komentuar gjatë këtij eventi.
Një çmim tjetër i veçantë iu dha TVM-së (transmetuesi kombëtar i Madagaskarit) për përkushtimin në pasqyrimin e diversitetit krahinor në programet e tij dhe në gjenerimin e produksioneve “fiction” që trajtojnë problematika të qenësishme për audiencën e tij.
Sateliti
Eutelsat Communications mundëson aktualisht transmetimet satelitore të platformës lider në Shqipëri, DigitAlb. Lidhur me këtë bashkëpunim, Andrew Wallace, drejtori komercial i Eutelsat, ka thënë se: “Angazhimi afatgjatë i DigitAlb-it për kapacitet në satelitet Eutelsat ankoron më tej këtë pozicion si pikë referimi për transmetimin dixhital në Ballkan”.