Robert Hackman: 23 vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, bunkerët u përdorën nga njerëzit e Gërdecit


Fotografi vjen me një ekspozitë personale më 22 tetor, në Muzeun Historik Kombëtar


Bunker Albania_1Gjithë joshjen e tij ndaj Shqipërisë, Robert Hackman e tregon sa herë dikush e pyet për udhëtimet e tij në kërkim të fabulës artistike në Ballkan. Është Shqipëria vendi që Hackman veçon për historinë dhe ndjesitë që mbart. Me aparatin fotografik në dorë, Hackman nuk ka fotografuar vetëm natyrën, ndërtesat e vjetra të një kohe të shkuar, njerëzit … por dhe disa krijesa të veçanta dhe krejtësisht unike në historinë e ish-bllokut socialist, të cilat kishin pushtuar Shqipërinë komuniste, bunkerët. Në çdo vend të Shqipërisë ku udhëtoi nuk mund të mos shikonte bunkerë.


Askush nuk e di saktësisht se sa bunkerë u ndërtuan nga regjimi komunist në Shqipëri. “Është e pamundur t’i numërosh sot, sepse shumë prej bunkerëve janë shkatërruar, të tjerë janë ricikluar apo ripërdorur. Numrat që përmenden shpesh janë 500 000 e madje deri në 700 000. Kur mbërrita në Shqipëri në 2001-shin, vendi ende po vuante pasojat ekonomike të falimentimit të skemave piramidale të 1997-s. Mes kaosit të jetës së përditshme, një element i përhershëm të kujtonte se gjërat dikur ishin krejt ndryshe. Vite më parë shqiptarët qeveriseshin nga një prej diktaturave komuniste më autokratike që bota kish njohur ndonjëherë. Nëpër rrugica, në fusha, buzë rrugëve dukeshin bunkerët, kujtim i ditëve kur Shqipëria ishte e izoluar dhe shqiptarët nuk e njihnin botën e përtej bunkerëve. Lajmet e kontrolluara nga diktatura komuniste u tregonin shqiptarëve se si bota e huaj përpiqej të sulmonte parajsën e tyre komuniste”, thotë ai. Bunkerët e fotografuar nga Robert Hackman do të vijnë përmes një ekspozite më 22 tetor në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë është një mënyrë për të treguar Shqipërinë e së shkuarës dhe së tashmes me syrin e një artisti. Në një tekst kuratorial, Hackman tregon historinë e bunkerizimit të vendit sipas këndvështrimit të tij. Jo vetëm nën kontekstin estetik, por dhe atë historik, ai jep një histori të këtyre krijesave, që për shumicën e shqiptarëve janë të padëshiruar. Vetëm një herë shqiptarët i përdorën bunkerët sipas tij. “Në mars 2008, në Gërdec, një fshat i vogël 14 kilometra larg kryeqytetit ku po çmontoheshin mbetje municionesh, ndodhi një nga shpërthimet më të mëdha të pasluftës. Mungesa e masave paraprake të sigurisë çoi në shpërthimin e mbi 400 tonë eksplozivi, shpërthim që u ndie në një distancë prej 100 miljesh. Banorët e këtij fshati të përgjumur u strehuan nëpër bunkerë. Sa ironike që bunkerët e Hoxhës mbrojtën vendasit nga municionet e kohës së komunizmit gati 23 vite pas vdekjes së tij”, thotë Robert Hackman. Duke i quajtur bunkerët si pjesë të ekzistencës shqiptare, fotografi thotë se shembulli më kuptimplotë i vendit që zënë bunkerët në jetën shqiptare është Piramida. “Ky muze në formë piramide u ndërtua për të forcuar kultin e personalitetit të Hoxhës, për të ekspozuar shkrimet dhe kujtimet e tij. Sot Piramida është shtëpia e televizionit privat publik më të ndjekur. Muzeu nuk u shndërrua dot në monumentin madhështor të ‘Atit të Kombit’. Përmendorja e vërtetë e Hoxhës janë gati gjysmë milionë bunkerë që mbuluan anembanë fushat, dominuan malet e kodrat dhe barrikuan bregdetin. Historia dëshmon se fitimtarët vendosin se si do të lexohet e shkuara. Në rastin e Shqipërisë, triumfuan shqiptarët, jo Republika Socialiste, e po këta shqiptarë do të vendosin se si do të kujtohen bunkerët e Hoxhës”, thotë Hackman.


[callout]Histori


Të ndërtosh një bunker, si të ndërtosh një shtëpi


Robert Hackman


Pasuria dhe energjia e shpenzuar në ndërtimin e bunkerëve ishte e jashtëzakonshme për një vend të vogël e të varfër si Shqipëria komuniste. Ky vend do të ishte ndryshe sot, nëse kjo pasuri dhe energji do të ishte shpenzuar për të ndërtuar shtëpi e rrugë. I dëgjoj shpesh shqiptarët të thonë se ka aq çimento në një bunker të vogël këmbësorie sa për të ndërtuar një apartament me dhoma. Është çimento e cilësisë së lartë që, veç përmirësohet duke u vjetruar. Një fermer më tregoi një bunker të tillë, të cilit i kishte thyer një copë të vogël që pengonte rrugëkalimin drejt shtëpisë së tij. Nuk kishte qenë e lehtë. U deshën tri ditë dhe ndihma e vëllait të tij për të dëmtuar aq pak bunkerin. Po në tokën e tij, pak më lart, në majë të kodrës, ishte edhe një bunker tjetër, ku varej një antenë televizori dhe ku kishte haurin e derrave. Si shumica e shqiptarëve, ky fermer e kishte rimarrë pasurinë, që me të drejtë i takonte, duke i vënë bunkerët në shërbimin e tij. Sot bunkerët u përkasin atyre shqiptarëve që i kanë kthyer në mjedise banimi, kafene, magazina, haure, rezervuare uji, parmak trotuari, ura apo pishina. [/callout]