Fotografi i famshëm britanik Martin Parr, i njohur për imazhet e tij plot ngjyra që pasqyruan jetën e përditshme në Mbretërinë e Bashkuar, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga drejtoresha e Fondacionit Martin Parr, Jenni Smith, e cila tha për BBC News se ai u nda nga jeta të shtunën në shtëpinë e tij në Bristol.

Në një deklaratë, fondacioni bëri të ditur se Parr do t’u mungojë shumë dhe se a ka lënë pas bashkëshorten e tij Susie, vajzën Ellen, motrën dhe nipin. Familja ka kërkuar nga publiku që t’u kërkohet privatësia në këtë moment të vështirë.

Me sy të mprehtë për çuditëritë e përditshme dhe humorin e jetës, Parr la pas një trashëgimi të paharrueshme që përfshin edhe Shqipërinë e viteve ’90.

Parr u bë i njohur gjithashtu në mesin e viteve 1980 me projektin “The Last Resort”, një studim fotografik mbi pushimet e klasës punëtore në New Brighton, Merseyside. Veprat e tij spikatën për kapjen e detajeve më të vogla të jetës së përditshme, duke kombinuar humorin me reflektim shoqëror dhe duke nxitur debate e diskutime.
“Unë bëj fotografi serioze të maskuara si argëtim,” kishte deklaruar ai në një intervistë për “The Architectural Review në vitin 2020, duke shtuar: “E vërteta është subjektive, por unë e tregoj botën ashtu si e gjej.”

Jonathan Stephenson, bashkëpunëtor i tij në projekte arti dhe dizajni, tha për BBC News se Parr u nda nga jeta paqësisht, teksa shikonte futboll. Ai e përshkroi si “një mik besnik dhe të palëkundur” dhe shtoi: “Ishte një privilegj i madh dhe frymëzim i vazhdueshëm të shihje botën përmes syve dhe mendjes së Martin-it. Entuziazmi i tij për jetën e përditshme ishte ngjitës.”
