[callout]Filmi Ballkanik – Qendra Kombëtare Kinematografike do të jetë së shpejti pjesë e një projekti të përbashkët me të gjitha vendet e Ballkanit, në krijimin e fondit ballkanik të financuar nga EU, që pritet t’i japë zgjidhje situatës financiare të pabarazisë së buxheteve, duke ndihmuar fuqimisht në krijimin e një kinematografie të re ballkanike.
Pjesëmarrja – Rreth 30000 përfaqësues institucionalë, 1200 skenaristë dhe regjisorë, 5000 producentë, 4500 distributorë, 4500 gazetarë, përfaqësues të mbi 100 vendeve, të akredituar përpara fillimit të festivalit
Trofeu – “Winter Sleep” i regjisorit turk Nuri Bilge Ceylan, është fituesi i edicionit të 67-të të Festivalit të Kanës. Një fitore e pritur, sipas mediave të këtij festivali, për filmin që tregonte historinë e një familjeje që drejton një hotel në Turqi.
Propozimi – Një tjetër propozim erdhi nga Rodeo, një shtëpi produksioni italiane e cila ishte angazhuar në një bashkëprodhim italo-francez i ambientuar në Paris ku një nga katër personazhet kryesore të filmit ishte një vajzë e re shqiptare
Çadrat – Amerikani Pip Chodorov, me baba ukrainas nënë polako-angleze dhe banues në Francë ka ngritur çadrën e parë ngjitur me pallatin e festivalit pa e menduar që 26 vjet më vonë, ideja e tij do t’i jepte jetë një prej hapësirave më interesante të festivalit që tashmë quhet International Village mbushur me çadra pa fund ku valëviten flamujt e vendeve, institucionet e të cilëve e kanë populluar dhe gjallëruar.
Mungesat – QKK duhet sa më parë të regjistrojë dhe të monitorojë të dhënat për industrinë e kinematografisë në Shqipëri, së pari për të plotësuar një vakum informativ të patolerueshëm dhe nga ana tjetër, si një domosdoshmëri për të kuptuar situatën financiare[/callout]
Festivali i Kanës/ Përtej show-t në tapetin e kuq… Sa afër dhe larg është Shqipëria nga evenimenti më i rëndësishëm i kinemasë botërore. Ilir Butka, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, tregon “takimet” që do të mund të sjellin ndryshime në distribucion, apo në përfshirjen e Shqipërisë në projekte ndërkombëtare
“Palma e Artë”, trofeu që frymëzon çdo vit qindra prodhime kinematografike në mbarë botën, këtë vit udhëtoi drejt Turqisë. “Winter Sleep” i regjisorit turk Nuri Bilge Ceylan, është fituesi i edicionit të 67-të të Festivalit të Kanës. Një fitore e pritur, sipas mediave të këtij festivali, për filmin që tregonte historinë e një familjeje që drejton një hotel në Turqi. Pavarësisht komercialitetit, lidhja e fortë me të brendshmen, njerëzoren, vijon të jetë ajo çfarë e prek shikuesin. Përtej tapetit të kuq dhe veshjeve glamoze të këtij festivali, ajo çfarë publiku kërkon të shohë në ekranin e madh është vetja. Rreth 30000 përfaqësues institucionalë, 1200 skenaristë dhe regjisorë, 5000 producentë, 4500 distributorë, 4500 gazetarë, përfaqësues të mbi 100 vendeve, të akredituar përpara fillimit të aktivitetit dhe po aq akreditime ditore, ky festival është pa dyshimin më të vogël mundësia më e madhe dhe më e mirë për ata që duan realisht të bëhen pjesë aktive e industrisë së filmit. Ilir Butka, drejtori i ri i Qendrës Kinematografike, udhëtoi drejt Kanës, jo për të parë një film shqiptar në ekranin e madh, gjë që duket se do të dojë kohë të ndodhë, por për të marrë pjesë në takime të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë kinematografikë. Kana nuk është vetëm gara e madhe e filmave, por dhe arena ku për më shumë se 10 ditë producentë, regjisorë dhe skenaristë apo qendra të ndryshme filmike, gjejnë njëri-tjetrin për të ndarë ide dhe projekte për të ardhmen. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë ishte prezente në këtë edicion të Festivalit të Filmit të Kanës, për të marrë pjesë në disa takime institucionale të organizmave kinematografikë, në të cilat është anëtare, të cilat organizohen çdo vit gjatë periudhës së zhvillimit të festivalit, si dhe takime të tjera të nivelit të ulët që mund të shërbejnë për prezantimin me projekte të ndryshme ndërkombëtare ku QKK mund të ketë në funksion si bashkëfinancuese, për të nxitur dhe për të mbështetur bashkëprodhimet e shtëpive filmike shqiptare me homologet e tyre nga vendet e tjera”, thotë Butka. Sipas tij, pjesë e rëndësishme e takimeve kanë qenë ato me homologët e vendeve të South Eastern Europe Cinema Network, ku Shqipëria bën pjesë si anëtarë me të drejta të plota. Takimet me përfaqësuesit e Maqedonisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kroacisë, etj., përgjithësisht ishin të lidhura me gjetjen e formave të bashkëpunimit në rajonin ballkanik dhe nevojën e rritjes së buxhetit të QKK në funksion të mundësisë për të qenë edhe ne kontributorë në projekte të përbashkëta. Ndërkohë që deri tani kemi qenë përfitues të financimeve të tyre. Mjafton të përmendim faktin që Kosova dhe Maqedonia tashmë janë financues të disa prej projekteve shqiptare nëpërmjet të ashtuquajturit Fondi Minoritar i Koproduksionit, që lejon financime minore në një prodhim duke u bërë pjesë e bashkëprodhimit”. Sigurisht ndihesh në pozita jo të barabarta kur përballesh me homologë si kryetari i Qendrës Kombëtare të Maqedonisë i cili ka një buxhet 7 milionë euro në dispozicion dhe të ofron bashkëpunim ndërkohë që QKK disponon vetëm 500 mijë euro dhe kjo e bën të pamundur reciprocitetin dhe për rrjedhojë demoralizon çdo iniciativë për të bashkëprodhuar”, thotë Butka.
Fondi Ballkanik i Filmit
Vendet e rajonit, ku përfshihet dhe Shqipëria, kanë kohë që kërkojnë forma që do ta çonte kinemanë e tyre drejt suksesit. Qendra Kombëtare Kinematografike do të jetë së shpejti pjesë e një projekti të përbashkët me të gjitha vendet e Ballkanit, në krijimin e fondit ballkanik të financuar nga EU, që pritet t’i japë zgjidhje situatës financiare të pabarazisë së buxheteve, duke ndihmuar fuqimisht në krijimin e një kinematografie të re ballkanike. Butka është takuar në Kanë me një përfaqësuese të industrisë kinematografike nga Bosnja, e cila kërkoi përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt. “Ky propozim në fakt korrespondon pikërisht me idenë që hodha disa javë më parë në Forumin e Prishtinës për domosdoshmërinë e krijimit të një Fondi Ballkanik të Filmit si e vetmja formë për krijimin e një klime të favorshme artistike bashkëpunimi në rajon për industrinë kinematografike të rajonit”, thotë Butka. Mbledhja e radhës së EFP European Film Promotion ku Shqipëria është anëtare, ishte nga të parat takime ku Shqipëria mori pjesë. Nga stafi i EFP u bë një prezantim i punës së kryer gjatë vitit, u raportua për situatën financiare dhe u aprovua projektbuxheti për vitin e ardhshëm. Gjithashtu u hodhën sugjerime për strategjinë që EFP do të ndjekë në promocionin e filmit europian në festivale të ndryshme për të rritur impaktin dhe arritjen e rezultateve pozitive si në vizibilitet ashtu edhe në rritjen e bashkëprodhimeve midis vendeve. Një nga projektet më interesante të organizuar nga EFP është Producers On The Move, ku Shqipëria ka marrë pjesë, duke shpresuar që producentët tanë të bëhen pjesë e kësaj iniciative vitet e tjera. Nxitja e mbështetja e bashkëprodhimeve midis industrive kinematografike është dhe synimi i Eurimages, sipas drejtorit ekzekutiv të tij, Roberto Olla. “Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e Eurimages dhe ne jemi përfitues në disa financimeve që nga koha e aderimit në këtë institucion të rëndësishëm europian. Kinematografia shqiptare i ka paraprirë procesit për integrimin e vendit në BE, duke u bërë pjesë e rëndësishme e përfaqësimit tonë me seriozitet dhe profesionalizëm”, thotë Butka. Dritë për bashkëpunim vjen dhe nga pavijoni italian në Festivalin e Kanës. “Gjatë Forumit të organizuar nga Giffoni Film Festival në fillim të këtij muaji, pata mundësinë të bisedoj me përfaqësuesen e lartë të zyrës për kinematografinë në MIBACT, Ministrinë e Kulturës Italiane, së cilës i shpjegova situatën e QKK-së, ekzistencën e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë për krijimin e së cilës, për koincidencë, kemi kontribuar dikur pas vështirësive të hasura 14 vjet më parë në realizimin e filmit italian ‘Hotel Dajti’, i cili u realizua në Shqipëri në atë kohë dhe producenti italian ndërhyri deri në nivelet më të larta për të mundësuar një marrëveshje midis dy vendeve. Gjatë takimit i rreshtova një sërë propozimesh lidhur me mundësitë që ekzistojnë në koordinimin dhe bashkëpunimin e përbashkët, duke gjetur hapësirat juridike dhe financiare në të ardhmen. Në Italian Pavillion në Kanë u ritakuam me dr. Troccoli e cila konkretizoi menjëherë çka biseduam në Tiranë, duke më prezantuar me drejtuesin e një projekti të përbashkët në të cilin ishte përfshirë dhe Ministria jonë Kulturës dhe Universiteti i Arteve. Me përfaqësuesin e këtij projekti u diskutua për gjetjen e mundësive në përfshirjen e QKK si partnere të këtij projekti. Një tjetër propozim erdhi nga Rodeo, një shtëpi produksioni italiane e cila ishte angazhuar në një bashkëprodhim italo-francez i ambientuar në Paris ku një nga katër personazhet kryesore të filmit ishte një vajzë e re shqiptare. Filmi në fjalë kishte në dispozicion 2 milionë euro dhe përfaqësuesit e produksionit kërkuan të dinin diçka më shumë rreth mundësive financiare që ekzistojnë në Qendrën tonë për mbështetjen e aktorëve shqiptarë në produksionet e huaja si në këtë rast”, thotë Butka.
QKK, së shpejti pyetësor për artistët
Industria kinematografike në Shqipëri ka mungesa për sa i përket të dhënave. Integrimi i të dhënave të kinemasë sonë për sektorin audiovizual dhe atë kinematografik ka qenë një nga pikat e diskutuara gjatë takimit me European Audiovisual Observatory . QKK duhet sa më parë të regjistrojë dhe të monitorojë të dhënat për industrinë e kinematografisë në Shqipëri, së pari për të plotësuar një vakum informativ të patolerueshëm dhe nga ana tjetër, si një domosdoshmëri për të kuptuar situatën financiare në këtë sektor dhe për të hedhur dritë mbi raportin e investimeve publike krahasuar me investimet private, të cilat jo vetëm nuk janë konsideruar deri tani si një potencial i madh investimi, por nuk janë njohur akoma si pjesë e rëndësishme e industrisë kinematografike shqiptare. Sipas Butkës, së shpejti, QKK do të ketë gati një pyetësor i cili do t’u sugjerohet për t’u plotësuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët e sektorit kinematografik dhe audiovizual, me qëllimin e ndërtimit të databazës së të dhënave, të cilat do të shërbejnë si informacion zyrtar i Shqipërisë, për sa i takon kinematografisë. “Me këtë informacion do të identifikojmë potencialet tona reale dhe gjithashtu do t’i pasqyronim qeverisë një panoramë të qartë të zhvillimit kinematografik, duke justifikuar me dinjitet kërkesën tonë të vazhdueshme për rritje buxheti, si një nevojë e domosdoshme e rritjes ekonomike në këtë fushë”, thotë Butka.
Distribucioni
Distribucioni është një element i rëndësishëm i cili i ka munguar filmit shqiptar. Sipas Butkës, në funksion të nxitjes së bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit kinematografik në rajonin e Ballkanit ishte edhe prezantimi i platformës VOD që po ndërtohet në Maqedoni, për momentin akoma në versionin alfa, ku mund të aplikojnë edhe producentët dhe autorët shqiptarë, ku mund të hedhin informacionet e tyre në një lloj imdb-je ballkanike, e cila krijohet për herë të parë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë sistem do të kontribuonte në mundësinë e krijimit të mundësive të reja, edhe në distribucion ndaj një tregu që i kalon kufijtë tanë. “Edhe lidhur me këtë, në Forumin e Prishtinës sugjerova rëndësinë që do të kishte për industrinë kinematografike ballkanike krijimi i një networku distribucioni të përbashkët, me synim rritjen e audiencës dhe kultivimin e iniciativave të reja, që do t’u përgjigjeshin kualiteteve distribuese dhe promocionale të kohës. Mjafton të përmendim që në Shqipëri, sektori i distribucionit të filmit është inekzistent dhe kjo do të mjaftonte për të riformatuar me urgjencë sistemin, të cilit praktikisht i mungon një prej hallkave më të rëndësishme pa të cilin nuk mund të mbyllet cikli”, thotë Butka. Gjatë ditëve të Festivalit të Kanës, ishte parashikuar dhe mbledhja vjetore e EUFCN, European Film Commission Network ose Filming Europe. “Në këtë kuadër të marrëdhënieve me agjencitë e ndryshme të Film Commission, u organizuan takime me përfaqësuesit e Apulia, Genova, Trentino, Sardenja, Nordic, Roma e Lacio, Spanjë, Vjenë, etj., ku u njoha me projekte që mund të shfrytëzojnë territorin shqiptar si lokacion për xhirimet e tyre me qëllim uljen e kostove”, thotë Butka. Sipas tij, me Apuglia Film Commission, QKK, është në prag të lidhjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, cila do të krijojë mundësi të aplikimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në Creative Europe dhe Interreg, si dhe financimin e projekteve të kineastëve të rinj me një buxhet, të cilin do ta ofrojnë në kuadër të projektit Memoria, tashmë në funksion prej disa vjetësh. Ndërsa Kana e mbylli siparin e saj, duke e bërë Turqinë protagoniste të vitit, Butka shpreson që Shqipëria të jetë sërish pjesëmarrëse në këtë festival, por jo si QKK, por me një prodhim të sajin. “Uroj që vitin tjetër të jemi prezent aty jo vetëm si Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por edhe si pjesëmarrje kineastësh producentësh, studentësh dhe dashamirës të filmit dhe të Shqipërisë, por edhe me shpresën e madhe që të jemi shoqëruesit të gjithë së bashku të një filmi shqiptar, i cili mund të përfaqësojë vendin në këtë event fantastik”, thotë Butka.
Box
Fshati Ndërkombëtar
“Fshati Ndërkombëtar” është një nga hapësirat më interesante në Kanë. Sipas Butkës, i cili do të donte të gjente aty edhe studentë shqiptarë, kjo është një nga vendet më të bukura të festivalit. Gjen aty në një hapësirë relativisht të reduktuar fizike, të përfaqësuara interesat më të larta financiare kinematografike, institucione kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, profesioniste dhe amatore, miliarderë me jahte që u ngjajnë pallateve lundruese dhe njëkohësisht kineastin e ri që pasurinë e tij të vetme ka pasionin dhe dëshirën në kërkim të miqve me të cilët mund të ndajë këtë pasuri, ëndrrat dhe projektet e tij të ardhshme.
Pikërisht këtë kategori ka targetuar amerikani Pip Chodorov, me baba ukrainas nënë polako-angleze dhe banues në Francë. Është ai që ka ngritur çadrën e parë ngjitur me pallatin e festivalit pa e menduar që 26 vjet më vonë, ideja e tij do t’i jepte jetë një prej hapësirave më interesante të festivalit që tashmë quhet International Village mbushur me çadra pa fund ku valëviten flamujt e vendeve, institucionet e të cilëve e kanë populluar dhe gjallëruar. Ky ishte pavijoni amerikan i cili me 500 m² që nga ajo kohë është shndërruar në një nga hapësirat më interesante jo vetëm për nga programi i pasur i kurseve, workshop-eve, seminareve, prezantimeve, konferencave për shtyp etj., por edhe për formën origjinale të menaxhimit. E marrë me një qira marramendëse prej rreth gjysmë milion euro, e pafinancuar me fonde publike, kjo hapësirë e ka mbështetur ekzistencën e saj mbi dy kontributorë të rëndësishëm, studentët dhe sponsorët e fuqishëm si Kodak, American Expres etj., që duke financuar ide të tilla luajnë një rol jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pazëvendësueshëm publik, po të kemi parasysh mungesën e një institucioni që kryen rolin e Ministrisë së Kulturës në SHBA. Rreth 200 studentë kinematografie nga SHBA, Hong Kongu, Koreja dhe vende të tjera vijnë në këtë paviJon duke paguar rreth 3000 USD personalisht për të marrë pjesë në eksperiencën e paharrueshme që ofron festivali dhe njëkohësisht për të ndjekur kurset intensive rreth industrisë së filmit, bashkëprodhimet dhe distribucionin, të cilat janë argumente që kryesisht programet e shkollave nuk i trajtojnë. Paketa e ofruar nga ky lloj organizimi përfshin baxhën për frekuentimin e festivalit, merkatos (marché du film), shfaqjen e filmave, kurset, hotelin, ushqimin dhe çdo informacion rreth aktiviteteve më të rëndësishme.