Artisti i njohur i jareve shkodrane ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare


Bik NdojaBik Ndoja, shpirti i jareve shkodrane, ka mbyllur sytë përgjithmonë dje në moshën 90-vjeçare. Emri i tij i vërtetë është Ludovik Ndoj Gjergji, por publiku e njohu gjithnjë me emrin Bik. Ai lindi më 13 gusht të vitit 1925 dhe ishte një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek XX. Këngën e nisi që në fëmijëri, për t’u bërë më pas pjesë e pandarë e jetës së tij. Në vitin 1969 iu akordua titulli “Artist i merituar”, ndërsa në vitin 1999, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”, në vitin 2007 Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, ndërsa që në vitin 2011 pranë institucionit të Presidentit qëndron dosja për akordimin e titullit “Mjeshtër i madh”, por që asnjëherë nuk iu dha. Për herë të fundit, Bik Ndoja mori pjesë në një aktivitet artistik në vitin 2014, atë të “Ahengut shkodran”. Homazhet në nderim të bilbilit të këngës qytetare shkodrane, Bik Ndoja, do të zhvillohen sot në teatrin “Migjeni”, nga ora 11:00-13:00 ditën e hënë. Fotografitë e tij mbushën dje rrjetet sociale, nga fansa dhe njerëz të njohur të artit që shprehnin ngushëllime për ndarjen nga jeta. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, një foto ku kishte dalë me këngëtarin e shoqëronte me shprehjen: “Lamtumirë Bik Ndoja, bashkë me vitin 2015! I këndoi së bukurës tërë jetën e vet e për tërë jetët tona …”.