Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare poeti i mirënjohur shqiptar Gjok Beci. Poeti vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe prej disa ditësh kurohej në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku dhe ndërroi jetë.
Beci njihet edhe si autor i shumë këngëve folklorike të ansamblit të Mirditës si dhe të festivalit në RTSH, ku ndër më të njohurat është kënga “Rrjedh ne këngë e ligjërime”, kënduar nga Vaçe Zela. Vëllimi i parë i tij poetik “Kur zgjohen bjeshkët” u botua në vitin 1970. Pas një shkëputjeje 20-vjeçare ai boton librin e tij të dytë “Zambaku im” (1990). Në udhën krijuese të Gjok Becit ka pasur një kohë kur iu ndalua të botonte. Pas viteve 2000 ai botoi disa vëllime të tjera poetike, si:”Qiell e Dhe”, “Antologjia e Shpirtit” (1, 2)dhe “Thuj vetes ec”.
Në vitin 2009, me rastin e 70-vjetorit të tij të lindjes, u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” nga ish-Presidenti Bamir Topi.
14 shkurt 2014 (gazeta-Shqip.com)